E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sqarime teknike për ciklet e studimit

Shkeljet Kushtetuese

Projektligji vjen ndesh me Kushtetutën, duke cenuar rëndë sigurinë juridike që duhet të garantohet nga norma ligjore.

Për sa i përket organizimit të cikleve të studimit, projektligji bën një rregullim të ndryshëm nga ai aktual dhe nuk parashikon sesi do të përshtaten diplomat e fituara sipas përcaktimeve të mëparshme me ato të ligjit të ri. Projektligji nuk ekuivalenton asnjë nga programet “Master të Nivelit të Dytë”, ose “Studime të Thelluara Pasuniversitare”, por shprehet se kreditet e tyre mund të ekuivalentohen në studimet e doktoraturës.

Në këtë aspekt, projektligji bie ndesh me parimin e një të drejte të fituar, atë të sigurisë juridike dhe procesin e rregullt ligjor të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6/1 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Rregullimi i propozuar në nenin 35 diskriminon studentët që kanë përfunduar studimet, ata që po studiojnë aktualisht, si dhe ata që deri në momentin e përshtatjes së programeve të studimit, diploma universitare ju ekuivalentohet me një diplomë “Master”. Diploma “Master”, sipas këtij projekti, është një diplomë ndërmjet asaj të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të studimeve, të emërtuara përkatësisht “Bachelor” dhe “Master Shkencor”. Sipas projektit, në përfundim të studimeve të plota 3+2, diploma që merret nuk do të jetë më DND, por “Master Shkencor”. Me rregullimin që propozohet në projekt, diplomat e mëparshme dhe atyre që do t’u lëshohen deri në përshtatjen e programeve, do të kenë një vlerë akademike më të ulët se ato që janë lëshuar dhe lëshohen aktualisht, duke prekur rëndë kështu interesat e dhjetëra apo qindra mijëra personave të cilët kanë mbaruar apo vazhdojnë universitetet. Praktikisht, në tregun e punës, me këtë rregullim do të krijohet pabarazi për shkak të vlerësimit të ndryshëm të diplomave me fuqi prapavepruese, duke vendosur në pozita diskriminuese një shtresë të tërë të diplomuarish të mëparshëm dhe në diplomim e sipër në raport me vlerësimin e ri të diplomave, gjë që bie ndesh me nenin 18 të Kushtetutës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›