E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Rama kërkon mbështetje nga Internacionalja Socialiste

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka kërkuar mbështetjen e plotë të vendeve anëtare në Internacionalen Socialiste për procesin integrues të Shqipërisë. Ndërsa ka marrë pjesë në Kongresin e 24 zgjedhor të Internacionales Socialiste, zhvilluar në Cape Toën, Afrikë e Jugut, lideri i opozitës shqiptare zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e partisë Socialdemokrate gjermane dhe socialiste franceze.
 

Një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, Kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
 

Një temë e rëndësishme që u diskutua ishte edhe programi i Partisë Socialiste "Për një Rilindje Shqiptare", duke u përqendruar në çështjet më delikate si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Zoti Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste "Për një Rilindje Shqiptare", por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm.
 

Në kongresin e Internacionales Socialiste, u rizgjodhën në detyrën e Presidentit të Internacionales zoti Jorgo Papandreu dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm zoti Luis Ajala. Në përfundim të seancës zgjedhore, lideri socialist Edi Rama zhvilloi takime me të dy drejtuesit më të lartë të internacionales, të cilët i përgëzoi për detyrën e re.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›