E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vietnami feston 50-vjetorin e përfundimit të luftës me SHBA-në

Me një paradë madhështore ushtarake dhe thirrje për paqe, Vietnami shënoi 50-vjetorin e përfundimit të luftës me Shtetet e Bashkuara, e cila përfundoi më 30 prill 1975 me rënien e Saigonit dhe bashkimin e vendit.

Ngjarja u kremtua në Ho Chi Minh City, ish-kryeqyteti i Vietnamit të Jugut ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për të ndjekur paradën dhe për të kujtuar ditën që shënoi fundin e një lufte 30-vjeçare për pavarësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, To Lam, tha në fjalimin e tij se “të gjithë vietnamezët kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe të ndjekin lumturinë”, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar dhe një të ardhme të përbashkët.

“Në frymën e mbylljes së të kaluarës dhe respektimit të dallimeve, ne angazhohemi të ndërtojmë një Vietnam të paqes, prosperitetit dhe zhvillimit,” shtoi ai.

Ngjarja u ndoq nga udhëheqës të vendeve fqinje si Kamboxhia, Laosi dhe përfaqësues të Kinës, ndërsa trupat e tyre morën pjesë në paradë. Helikopterë me flamurin vietnamez dhe avionë luftarakë fluturuan mbi Pallatin e Pavarësisë simbolin e fundit të fitores ndërsa ushtarë me uniforma historike marshuan në nder të të rënëve.

To Lam kujtoi gjithashtu se fitorja e Vietnamit nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e aleatëve si Bashkimi Sovjetik, Kina, Laosi, Kamboxhia dhe mbështetjen e njerëzve në mbarë botën përfshirë edhe ata në SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›