Shkodër – Rikonstruktohet kopshti në Bardhaj, vëmendja edhe te sistemi parashkollor

Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Objekteve Publike pranë Bashkisë Shkodër ka nisur punimet për rikonstruksionin e kopshtit “Bardhaj”. Ky investim vjen pas dekadash pa ndërhyrje, periudhë gjatë së cilës godina ishte degraduar dhe kishte nevojë urgjente për përmirësim.
Drejtoresha e kopshtit, Arjeta Mlika, u shpreh se rikonstruksioni është një hap i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët dhe stafin edukues. Sipas saj, ky investim është edhe një garanci më shumë për prindërit, duke u siguruar atyre një ambient të sigurt dhe funksional për edukimin e fëmijëve të tyre.
“Ky rikonstruksion është në të gjitha ambientet e godinës së kopshtit, pasi në një periudhë të gatë kohore nuk është investuar në asnjë moment. Tualetet do të bëhen brenda godinës pasi kanë qenë në ambientet jashtë. Fëmijët do kenë kushte shumë të mira si dhe do ketë mundësi për aktivitete mësimore dhe do të jenë më të sigurt”, u shpreh Milka.
Ky investim është pjesë e strategjisë së Bashkisë Shkodër, e cila, para nisjes së sezonit të ri arsimor, po ndërhyn në disa institucione edukative në qytet dhe zona rurale.
Përmirësimi i infrastrukturës arsimore është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të bashkisë, me synimin për t’u ofruar fëmijëve një mjedis më të sigurt, modern dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre.
/rtsh.al/