Sezonet ekstra, 1 mijë lekë për provim
Studentët kanë propozuar që për çdo provim që jepet në dhjetor ose prill, të paguhet 1 mijë lek
Në muajin dhjetor studentët kanë mundësi të japin deri në dhjetë provime, në prill jo më shumë se katër
Rregullorja e re e universiteti të Tiranës u jep më shumë mundësi studentëve për të shlyer provimet në të cilat kanë rezultuar ngelës. Kjo do të bëhet e mundur falë dy sezoneve shtesë që senati i Universitetit të Tiranës, ka miratuar gjatë mbledhjes së fundit. Përvç tri sezoneve klasike, në pranverë, verë dhe vjeshte studentët kanë të drejtë të japin provime edhe gjatë muajve dhjetor dhe prill.
Kështu të gjitha ata studentë të cilit nuk kanë plotësuar numrin minimal të krediteve që u duhet për të hyrë në sezonin e pranverës kanë mundësi që të rekuperojnë gjatë sezonit të dhjetorit. Ndërsa ata që pas sezonit të pranverës, që realizohet gjatë muajit shkurt, nuk i kanë marrë të gjitha provimet mund të riprovojnë sërish gjatë sezonit të prillit.
Por këto dy sezone do të kenë dallime nga ata klasiket me të cilët është operuar deri më sot në sistemin arsimor universitar në vend. Kështu formula e re propozon që çdo provim që do të jepet gjatë sezoneve të dhjetorit dhe të prillit duhet të jetë me pagesë. Ky KKS i ka propozuar senatit të Universitetit të Tiranës, që tarifa e një provime të jetë një mijë lek.
Shumë që do të duhet ta paguaj çdo student pavarësisht, nëse e merr apo jo provimin. Sipas kreut të Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika shuma prej një mijë lekësh është një vlerë e cila mund t ndryshojë në varësi të fakulteteve, pasi fjala e fundit i takon këshillit administrativ të universitetit.
Është ky organi që do të vendosë nëse do të jetë kjo vlera përfundimtare që do të duhet të paguajnë studentët për të hyrë në provim, ose ndonjë vlerë e tjetër që mund të jetë edhe më e lartë.
Kohëzgjatja
Sezonet e reja të provimeve do të jenë të ndryshme nga njëra-tjetra, pasi kohëzgjatja e tyre nuk do të jetë e njëjtë. Sipas propozimit të KKS-së sezoni i provimeve që do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor do të ketë dhjetë data. Në këtë mënyrë çdo student ka mundësinë që gjatë këtij sezoni të japë deri në dhjetë provime, por gjithmonë duke pasur parasysh se sa do ti kushtojë në lek ky mundim.
Për studentët e fakultetit të Drejtësisë apo të Mjekësisë, në rast se do të japin dhjetë provime, do të duhet të paguajnë ekstra rreth një të katërtën e tarifës së shkollimit, e cila për të dy këto fakultete është 40 mijë lek. Për sa i përket sezonit të prillit ai do të jetë më i shkurtër, në dispozicion të studentëve nuk do të jenë më shumë se tri ose katër data provimesh.
Pavarësisht se rregullorja e re e Universitetit të Tiranës ka vetëm pak ditë që është miratuar, praktika e sezoneve të provimeve ekstra ka filluar të aplikohet në disa fakultete, ndër të cilët mund të përmendin fakultetin e mjekësisë.
Ndërsa për të gjithë fakultete e tjera të UT-së, kjo formulë e re do të aplikohet gjatë vitit të ardhshëm akademik 2010-2011, pasi tashmë muaji prill është duke përfunduar dhe është pothuajse e pamundur që fakultetet të jenë gati për këtë proçedurë të re.