E Diel, 1 Nëntor 2026

Presioni i kompanive ajrore, shtetet tërhiqen nga masat e sigurisë

Pasi ka përfshirë pjesën më të madhe të europës, hiri vullkanit të Islandës është duke iu afruar dhe hapësirës ajrore shqiptare. Të dhënat më të fundit nga agjencitë meteorologjike europiane raportojnë për shpërndarjen e hirit edhe në rajonin tonë duke prekur shtete si Serbia, Bullgaria dhe veriu i Italisë.


Ndërkaq, duket se shtetet e prekura nga vala e hirit vullkanik janë dorëzuar përballë presionit të kompanive ajrore të cilat kanë kërkuar me forcë lehtësimin e masave të marra duke lejuar fluturimin.


I pyetur për afrimin e hirit vullkanik edhe në hapësirën ajrore shqiptare si dhe uljen e masave të sigurisë nga shtetet europiane në lidhje me fluturimet në zona të prekura prej tij, kreu i Aviacionit Civil Shqiptar Ervin Mazniku theksoi se ka një tërheqje të autoriteteve shtetërore duke ua lënë kompanive ajrore të drejtën për të marrë vendim nëse do të fluturojnë apo jo.


Madje krerë të Shoqatës Botërore të Fluturimeve e cila ka në gjirin e saj mbi 90 për qind të kompanive ajrore në të gjithë globin kanë kanë kërkuar lejimin e fluturimeve duke marrë përsipër të gjitha pasojat. "Më shumë se me futjen e Shqipërisë në hartën e zonave të prekura nga hiri vullkanik rëndësi ka qëndrimi që do të mbajnë vendet përballë kësaj situate.


Krahasuar me ditët e shkuara ka një tërheqje të shteteve për sa i përket masave të marra ndaj rrezikut të hirit duke ia lënë të drejtën e vendimmarrjes kompanive nëse do të fluturojnë ose jo. Kompanitë kanë marrë përsipër rrezikun në këtë rast", - theksoi Mazniku.


Për sa i përket ditës së djeshme, autoritetet e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" raportojnë për një përmirësim të situatës për destinacionet ku fluturohet direkt nga Shqipëria. Kështu, mësohet se dje lejuar është fluturimi i avionëve që kanë destinacion Milanon, Vjënën, Pizan, Bergamon, Peruxhian, Budapestin dhe Lubjanën.


Lejimi i fluturimeve në këto zona edhe pse hartat e shpërndarjes së hirit vullkanik të Zyrës së Kontrollit Ajror Europian konfirmojnë "pushtimin" e tyre nga hiri duket se lidhet direkt edhe me tërheqjen e shteteve nga masat e marra.


Nga ana tjetër, vazhdojnë të mbeten të bllokuara fluturimet direkt nga Rinasi për në Londër, Frankfurt, Mynih, Trieste, Bolonja e Rimini. Autoritetet e Rinasit i bëjnë thirrje pasagjerëve që para çdo udhëtimi të konfirmojnë pranë kompanive përkatëve zhvillimin e tij.


Ndërkaq, problemeve të shkaktuara nga vullkani që shpërtheu javën e shkuar në Islandë duket se do të shtohet shpërthimi edhe i një tjetri po në të njejtën zonë. Shkencëtarët që po studiojnë vullkanin në Islandë, thonë se shpërthimi vullkanik ka hyrë në një fazë të re, duke prodhuar më shumë llavë sesa pluhur dhe hi.


Por sipas tyre vullkani është shumë aktiv dhe mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani tjetër pranë tij. Këtë paralajmërim e përcolli edhe Presidenti i Islandës, Olafur Grimsson, duke iu referuar vullkanit Katla që rrezikon të shpërthejë. "Ajo që kemi parë deri tani, në fakt, është një provë e vogël e asaj që mund të ndodhë.


Unë nuk shtroj pyetjen se a do të shpërthejë Katla, por kur do të shpërthejë. Prandaj mendoj se është koha që qeveritë evropiane dhe autoritetet e transportit ajror kudo në botë të fillojnë të bëjnë plane për t'i paraprirë shpërthimit të mundshëm të vullkanit Katla", - do të shprehej ai.


Destinacionet direkt nga Rinasi ku nuk lejohet fluturimi

Londra
Mynihu
Frankfurti
Bolonja
Trieste
Rimini


Brenda javës u anulluan 60 mijë fluturime


Kompanitë e fluturimeve janë duke u përballur me dëme të pallogaritshme pas shpërthimit të vullkanit në Islandë i hiri i të cilit u shpërnda në pjesën më të madhe të Europës duke paralizuar edhe trafikun ajror.


Nga dita e enjte deri të dielën e javës së shkuar janë anulluar rreth 60 mijë fluturime në të gjithë Europën duke i shkaktuar kompanive një dëm total që përllogaritet të jetë mbi 800 milionë euro.


Kompani fluturimi në Francë, Angli, Gjermani, etj., janë duke u bërë presion autoriteteve ajrore të tyre që të rihapin fluturimet me pretendimin se situata nuk është aq alarmante për marrjen e masave të tilla drastike.


Madje kompani të ndryshme kanë kryer edhe fluturime prove me avionë pa pasagjerë për të parë ndikimin e hirit vullkanik tek avionit si dhe për të matur shkallën e rrezikut. Pas provave ato kanë siguruar autoritetet se nuk ka rrezik madje kanë theksuar se marrin përsipër çdo përgjegjësi në rast se cënohet siguria e pasagjerëve.


Drejtues të kompanive të fluturimit në Gjermani kanë lëshuar kritika ndaj ministrit të Transporteve të këtij vendi Peter Ramsauer, sipas të cilave ai është nxituar në vendosjen e ndalim-fluturimit në hapësirën ajrore gjermane.


Korrespondëntë të BBC-së në aeroportin e Frankfurtit raportojnë për anullimin e 95 fluturimeve nga 100 të tillë që ishin parashikuar të kryheshin brenda nja afati të shkurtër kohor gjatë ditës së djeshme.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›