E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi, Berisha dakord me Bashkinë

Kreu i qeverisë i kërkon Ministrit të Punëve Publike të bashkëpunojë me Bashkinë për sheshin "Skënderbej"


Kushtet e Kryeministrit: Të mos hiqet monumenti i "Skënderbeut" dhe të zbatohen të gjitha vërejtjet e IMK-së


Konflikti mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për sheshin "Skënderbej" ka marrë rrugën e zgjidhjes. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se miraton planin e Bashkisë së Tiranës për sheshin "Skënderbej".


Gjithashtu Berisha ka siguruar Bashkinë se nuk do të ndërhyjë me plan tjetër për të rrëzuar financimet që po bëhen nga qeveria e Kuvajtit, e cila pas vizitës së Kryeministrit ka vendosur të rrisë fondin e dhuruar deri në dhjetë milionë euro.


Më tej, kryeministri i ka kërkuar Ministrit të Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, të bashkëpunojë me Bashkinë e Kryeqytetit për gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit mbi mënyrën sesi duhet të rindërtohet sheshi, por pa cenuar monumentin e heroit kombëtar.


Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha u shpreh se "ndërtimi i sheshit "Skënderbej" nuk duhet të shndërrohet në kapital politik, por duhet të kryhet në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore".


Duke kërkuar që çështja e sheshit "Skënderbej" të trajtohet në mënyrën më serioze, Kryeministri pohoi se gjatë vizitës së tij në Bruksel ka takuar përfaqësuesit e studios belge, e cila është autore e projektit të rehabilitimit të qendrës së Tiranës. "Ajo është një studio realisht serioze dhe ata janë arkitektë të talentuar.


Unë i sqarova se apriori nuk kam asnjë kundërshtim për ristrukturimin, apo ndërtimin rishtas të sheshit, por ka disa probleme kryesore që duhen shqyrtuar", u shpreh kryeministri, duke vçuar si parësore zgjidhjen e çështjes së trafikut.


Sipas Kryeministrit, problemi më i madh që ka aktualisht kryeqyteti është trafiku, dhe projekti belg sipas kryeministrit e zhvesh sheshin nga funksioni i tij kryesor që është lehtësimi i trafikut.


"Eksperimentin e parë e bëri sot (dje) z. Rama dhe u krijua një bllokim i përgjithshëm trafiku. Trafiku zgjidhet pa diskutim me një sistem unazash, por jo që këto unaza të jenë fiktive", tha Kryeministri, duke shtuar se në prioritetet e qeverisë është ndërtimi i një unaze tjetër.


Vç këtyre, Berisha ka kërkuar gjithashtu edhe zbatimin e të gjitha vërejtjeve të Institutit të Monumenteve dhe Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit. "Nuk ka asnjë tendencë për të bllokuar ndërtimin e sheshit, por përcaktimet e Institutit janë të detyrueshme për Bashkinë dhe qeverinë.


Sheshi me vendimin e z. Rama është shpallur ansambël i trashëgimisë kulturore dhe në çdo vend të botës, zëri kryesor është ai i Institutit të Monumenteve", tha Kryeministri Berisha. Instituti, sipas tij, ka përcaktuar shumë drejtë se sheshi nuk mund të bëhet piramidë dhe ka sugjeruar një pjerrësi që lejon rrjedhjen e ujërave dhe respekton identitetin.


Konflikti mes qeverisë dhe bashkisë, për rikonstruktimin e sheshit "Skënderbej" nisi në muajin mars, kur gjatë një mbledhje qeverie Kryeministri Berisha urdhëroi Ministrinë e Punëve Publike të niste punën për asfaltimin e sheshit "Skënderbej".


Kryeministri akuzoi bashkinë se kishte zvarritur për një kohë të gjatë rikonstruksionin e sheshit, ndonëse fondi prej dhjetë milionë dollarësh ishte akorduar që në vitit 2008, nga qeveria Kuvajtiane.


Por, bashkia e Tiranës është përgjigjur, duke i kërkuar qeverisë për të disatën herë shpronësimin e godinës së INSIG-ut, me qëllim devijimin e trafikut gjatë periudhës që do të kryheshin punimet në shesh. Shpronësim ky që ende nuk është kryer.


Më tej qeveria, nëpërmjet ministrit të Kulturës e ka cilësuar të pavlefshëm planin e studios belge, për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej" me argumentin se projekti dëmtonte zonën të cilën vetë Rama, në atë kohë ministër i Kulturës e kishte deklaruar kompleks trashëgimie kulturore.


Deklarata e ministrisë së Kulturës u pasua nga një tjetër deklaratë e Institutit të Monumenteve Kulturës. Sipas IMK-së, projekti belg nuk ishte miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe për pasojë nuk mund të zbatohej në kompleksin trashëgimi kulturore, në qendër të Tiranës. Kësaj "lufte" mes institucioneve i dha fund dje vetë kreu i qeverisë, duke aprovuar planin e bashkisë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›