E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, Mediu: Asnjë lëshim ndaj dëmtuesve të mjedisit

TIRANË- Në prag të sezonit turistik, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, kërkoi nga agjencitë rajonale të mjedisit të ushtrojnë inspektime urgjente për pastrimin e territorit.

Gjatë një takimi në ministrinë e Mjedisit me drejtues të agjencive rajonale të Mjedisit, ministri Mediu paralajmëroi se të gjithë ata që abuzojnë me ligjin, duke dëmtuar mjedisin, do të ndëshkohen me masat më të rrepta të përcaktuara në ligj. Ekzekutimi i gjobave për kryetarët e bashkisë dhe komunave, sipas tij, është shtyrë për një muaj dhe nëse nga këto inspektime konstatohet shkelja e detyrimeve gjobat rikthehen.

Ministri i Mjedisit kërkoi “të merren të gjitha masat për ndëshkimin e atyre që derdhin ujërat e zeza në det, por edhe ndaj atyre që e lejojnë këtë, kujtdo strukture shtetërore që t’i përkasin”. Derdhja e ujrave të zeza në det mbetet një nga shqetësimet më të mëdha edhe për këtë vit.

Ndërkohë, pubet dhe lokalet do të jenë në shënjestër të aksioneve të mjedisorëve, me qëllim uljen e ndotjes akustike.

Bashkia e Tiranës i ka dorëzuar ndërkohë MMPAU një kërkesë për një aksion të përbashkët në këtë drejtim. Ndërsa ministri Mediu kërkoi edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të kontrolluar këto subjekte.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›