E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik, Policia e shtetit merr masa

Në prag të sezonit turistik policia e shtetit ka marrë një sërë masash, jo vetëm për garantimin e rendit e të sigurisë publike, por dhe për krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët e huaj që udhëtojnë drejt Shqipërisë për qëllime turistike. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e policisë së shtetit theksoi se në kuadër të këtyre masave, shërbimet e policisë në të gjithë vendin janë porositur, që në rast konstatimi të kundravajtjeve administrative në fushën e qarkullimit rrugor të kryera nga shtetas të huaj, që udhëtojnë për qëllime turistike në vendin tonë, do t`i komunikojnë drejtuesit të mjetit shkeljen e kryer dhe do ta këshillojnë atë.
 

Sipas zëdhënëses së policisë së shtetit ky këshillim do të bëhet me qëllimin e tërheqjes së vëmendjes së drejtuesit të mjetit për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me synim rritjen e sigurisë në rrugë. Ndërkohë sipas saj raporti i ngjarjes i përpiluar nga punonjësi i policisë do t`i dërgohet Përfaqësive Diplomatike dhe konsullore të akredituara në vendin tonë dhe Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Jashtme ndërsa për shtetasit kosovarë ky raport do t`i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Policor të Kosovës.
“Në ato raste kur shtetasit e huaj, që udhëtojnë drejt vendit tonë për qëllime turistike, do të përfshihen në incidente, ngjarje apo aksidente rrugore, ndaj tyre do të zbatohen kërkesat e parashikuara në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Rrugor” theksoi zëdhënësja.
 

Policia e shtetit thekson gjithashtu se për kontrollin e zbatimit të këtyre masave, nga Departamenti për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit do të ushtrohen inspektime të vazhdueshme pranë strukturave të Komisariateve të Policisë dhe Njësive Rajonale të Policisë Rrugore.

Gjithashtu Policia e Shtetit thekson se për t`i ardhur në ndihmë qytetarëve, ka bërë të mundur verifikimin online të kundravajtjeve rrugore të kryera gjatë përdorimit të mjetit, të cilat janë akoma të palikujduara.Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë tek faqja e Policisë së Shtetit në internet, ku në rubrikën "Shërbime për qytetarët" është vendosur linku "Kontroll për kundravajtjet rrugore".
Duke klikuar në këtë link qytetari lidhet automatikisht me sistemin Elektronik të administrimit të kundravajtjeve rrugore- Egjoba të Policisë së Shtetit dhe bën të mundur verifikimin e detyrimeve të pashlyera që qytetari ka në të gjithë Shqipërinë.
 

“Përmes këtij shërbimi të ri, i cili u bë i mundur me ndihmën dhe bashkëpunimin e Programit ICITAP, Policia e Shtetit synon të jetë sa më pranë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Këto masa janë në vazhdën e iniciativave të ndërmarra dhe implementuara nga Policia e Shtetit në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë dhe shtetasve të huaj ” përfundon deklaratën e saj zëdhënësja e policisë së shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›