Sezoni turistik dhe dilema ligjore e mbetjeve urbane
Problemi i mbetjeve del në pah pothuajse çdo vit në fillim të sezonit turistik, kur qytetarët dhe mediat ndeshen me këtë fenomen në zonat turistike bregdetare. Gjatë gjithë historisë njerëzore, njerëzit kanë hedhur dhe asgjësuar materiale të padëshiruara në rrugë dhe vende publike, si dhe kanë mbetur pa u ndëshkuar. Para ndryshimeve të mëdha drejt nje shoqërie moderne, brenda qyteteve në rritje, në mes të viteve 1800, ndërtimi i kanalizimeve nuk ishte përparësi në listat e qeverive të atyre kohërave. Mbeturinat hidheshin në rrugë dhe krijonin një ambient johigjienik për banorët lokalë dhe grumbujt e këtyre mbeturinave që zmadhoheshin, mundësonin përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive. Në shekullin e XIV, rritja e mbeturinave në Evropë ndikoi shumë në përhapjen e sëmundjeve epidemike. Miu i zi që ushqehej nga këto mbeturina në atë kohë ishte mbartësi i pleshtave që bënin rolin e përcjellësit për sëmundje epidemike ku rezultonin në vdekje të njerëzve në masë.
Sot në kohët moderne, shumë është investuar, shumë gjëra kanë ndryshuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botën e civilizuar. Duhet të mbajmë parasysh se në vendet europiane e botërore me një nivel të lartë të cilësisë së ambientit, puna për një menaxhim të saktë ka nisur shumë-shumë vite më parë. Për fat të keq, Shqipëria u gjend në një tranzicion ekonomik e politik e pa përgatitur përballë ekonomisë së tregut, e cila ka në themel të vet një shoqëri konsumi. Etja për konsum është shumë herë më prioritare sesa dëshira për të përpunuar atë që konsumohet. Edhe pse vetë qeveria aktuale punon me përkushtim të madh në këtë drejtim, edhe pse donatorë të ndryshëm kanë ndihmuar në zbatimin e projekteve sa më efikase të nivelit makro, është e pamundur që në një kohë kaq të shkurtër të arrihet të menaxhohet problemi i mbetjeve urbane me parametra plotësisht bashkëkohorë. Edhe në një familje të vetme nuk mund të krijosh një ambjent të pastër, nëse amvisa apo nikoqirja e shtëpisë kujdeset për rregull e pastërti dhe të tjerët konsumojnë e hedhin ku të duan dhe pa asnjë rregull e kriter. Pra, në qendër të problemit, si politikë afatgjatë, qëndron edukimi në të cilin shkolla dhe propaganda proaktive kanë rolin e vet, por nuk mund të lëmë pa përmendur njohjen dhe zbatimin e ligjit; akti i parë imediat nga duhet nisur puna. Ligji në radhë të parë vendos para përgjegjësisë organet e pushtetit vendor, përgjegjësi që dalin nga të drejtat dhe detyrat e tij duke mos përjashtuar edhe individin, si objekt dhe subjekt i kësaj veprimtarie. “Kushtetuta” e pushtetit vendor në Shqipëri është ligji Nr.8652, datë 31.7.2000, “Për Organizimin dhe Funksionimin e qeverisjes vendore”. Pikërisht, në kreun e parë ne dispozitat e përgjithshme në nenin 3, pika “d” në pjesën “Misioni i pushtetit vendor” citohet: “Pushteti vendor në Republikën e Shqipërisë siguron qeverisjen në një nivel sa më afër shtetasve nëpërmjet realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme. Në të njëjtin ligj, në nenin “10” pika “f”, në pjesën “Funksionet e veta të komunës dhe bashkisë”, citohet se: “Komunat dhe bashkitë ushtrojnë funksionet e veta në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike; grumbullimin, largimin dhe përpunimin e mbeturinave.
Baza e veprimtarise së kryerjes së shërbimit te menaxhimit të mbetjeve urbane është ligji Nr.8094, datë 21.3.1996 “Për Largimin Publik të Mbeturinave”. Ligji mësipërm synon mbrojtjen e mjedisit nga ndotja që vjen nga mbetjet urbane në territoret e bashkive e të komunave nëpërmjet disiplinimit të shërbimit publik për pastrimin e mbeturinave në njësitë vendore (dorëzimin, mbledhjen, fshirjen dhe grumbullimin) brenda perimetrit të territoreve të tyre. Me interes është të theksohet fakti që në baze te ketij ligji të gjitha llojet e mbeturinave, pas dorëzimit të tyre, janë pronë shtetërore. Po kështu sipas këtij ligji, “mbeturina” janë lëndët ose objektet që dalin nga veprimtaria njerëzore, mbetjet nga ekonomia shtëpiake që janë të destinuara për braktisje në të cilat përfshihen: - Mbeturinat që dalin nga shtëpitë e banimit, mbeturinat e kuzhinës, rrecka, cifla, kanoçe, hi, blozë, plastikë, etj. - Mbeturinat që dalin nga lokalet. - Mbeturinat që dalin nga kopshtet, lulishtet dhe oborret funksionale të ndërtesave publike (lokale, restorante) etj. - Mbeturinat që dalin nga ndërmarrjet private e shtetërore të shkaktuara nga prodhimi, si ai artizanal, tregtar, shërbimeve etj. - Mbeturinat që dalin nga ndërtimet e ndryshme, si rëra, dhera, etj që janë në masa të parëndësishme sa 1/10 m3. -Ndërsa në ligjin Nr.9010, datë 13.2.2003. “Për Administrimin Mjedisor të Mbetjeve të Ngurta” është e percaktuar se “Mbetje urbane” janë mbetjet e shtëpive, të ndërtesave administrative, sociale dhe publike. Në këtë emërtim përfshihen edhe mbetjet që vijnë si rezultat i veprimtarive tregtare, vendeve të pushimit e argëtimit, sasitë dhe përbërjet e të cilave nuk pengojnë trajtimin e tyre bashkë me mbetjet urbane.
Dorëzimi, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave
Dorëzimi i mbeturinave bëhet nën kujdesin e prodhuesit të mbeturinave i cili detyrohet të mbështjellë dhe mbulojë ato për të mënjanuar çdo rrezik për përhapjen e tyre dhe nëpërmjet koshave, kazaneve e stacioneve të betonit trasportohen në pika të caktuara të vendosura nga bashkia e qytetit dhe komuna. Mbledhja e mbeturinave dhe largimi i tyre për në vendgrumbullim bëhet nga personat juridikë e fizikë që janë të specializuar e liçensuar në shërbimet e pastrimit të mbeturinave. Largimi kryhet me mjete që sigurojnë respektimin e kërkesave higjeno-shëndetësore dhe ekologjike dhe që respektojnë normat e qarkullimit, duke qenë të pajisura me leje (autorizim) për kalime në rrugë të ndaluara për qarkullimin dhe për qëndrime në vendet e ndalim qarkullimit.
Largimi publik i mbeturinave përfshin: - Dorëzimin e mbeturinave; - Mbledhjen e mbeturinave; - Pastrimin dhe grumbullimin e mbeturinave të rrugëve; - Transportimin e mbeturinave; - Larjen me ujë të rrugëve
Detyrime, ndalime e kufizime
1-Për vendgrumbullimet e mbeturinave, si dhe për kontenierët, pikat e koshave dhe stacioneve të betonuara për hedhjen dhe dorëzimin e mbeturinave, ndalohet ndryshimi i cilësisë dhe i destinacionit të truallit të vendosjes së këtyre pikave, i metodave të teknikës e teknologjisë së mbledhjes së mbeturinave e të transportimit të tyre, me përjashtim të rasteve kur bëhet me miratim me shkrim të organeve të pushtetit lokal. 2-Ndalohet hedhja e mbeturinave jashtë kontenierëve. 3-Largimi publik i mbeturinave është detyrim ligjor bazuar në dispozitat e ligjit të mësipërm.Bashkia e qytetit , me anë të personave të autorizuar prej saj, ka të drejtë të kontrollojë e mbikqyrë zbatimin e largimit të tyre. 4-Largimin publik të mbeturinave e organizojnë organet e pushtetit lokal, në zbatim të proçedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.Për çdo zonë pastrimi organet e pushtetit lokal mund të lidhin kontratë me sipërmarrësit që janë të specializuar në shërbimet e pastrimit dhe grumbullimin e mbeturinave me afate deri në 5 vjet, sipas dispozitave në fuqi të prokurimit publik. 5-Të gjitha ndërtimet e reja, publike a private, që realizohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, detyrohen të parashikojnë hapësira të posaçme, pranë rrugëve publike, për vendosjen e kontenierëve, kazanëve, koshave, si pikë për dorëzimin e mbeturinave.Këto pika për dorëzimin e mbeturinave miratohen së bashku me projektin dhe planin urbanistik. 6-Gjithë personat fizikë dhe juridikë që kryejnë veprimtari stacionare ose ambulatore dhe ata që kryejnë veprimtari transporti (ngarkim-shkarkim), detyrohen të mbajnë pastër truallin përreth lokalit dhe vendit të punës në një gjerësi 2-5 m. 7-Në rastet e situatave të jashtëzakonshme që lidhen me forca madhore, me shëndetin publik ose mjedisin, organet e pushtetit lokal, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit, me shërbimin higjeno-shëndetësor, nxjerrin urdhër për masat e veçanta që duhen zbatuar gjatë vazhdimit të situatës së jashtëzakonshme.Ato kanë të drejtë të shpallin ndalim qarkullimi të përgjithshëm për mjete të veçanta të përkohshëm.
Në ligjin Nr.9010, datë 13.2.2003, “Për Administrimin Mjedisor të Mbetjeve të Ngurta” është e percaktuar se “Organet shtetërore, qendrore e vendore, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit kanë për detyrë: -hartimin e planeve kombëtare dhe lokale për administrimin mjedisor të mbetjeve; -përcaktimin e metodologjisë për trajtimin mjedisor të mbetjeve, në përputhje me llojin e natyrën e tyre; -sigurimin dhe përdorimin e efektshëm të mjeteve të nevojshme financiare; -kontrollin e vazhdueshëm mbi veprimtaritë që krijojnë mbetje, si dhe mbi ato që angazhohen në transportimin, riciklimin, përpunimin dhe asgjësimin e tyre në fushat e sektorët që mbulojnë.
Ndërsa në ligjin Nr.9010, datë 13.2.2003, “Për Administrimin Mjedisor të Mbetjeve të Ngurta”, neni 11, është e percaktuar se përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve urbane kryhen nëpërmjet metodave dhe renditjes së mëposhtme të detyrueshme për zbatim:
-ndarja e mbetjeve sipas klasifikimit të miratuar; -riciklimi dhe ripërdorimi i tyre; -kompostimi; -groposja; -djegia në impiante të posaçme. -Ministri i Mjedisit dhe Ministri i Shëndetësisë miratojnë rregullore tip për secilën nga metodat e mësipërme. Organet e qeverisjes vendore miratojnë rregulloret për çdo rast konkret, duke iu referuar rregulloreve tip të miratuara.
Tarifat, shpenzimet dhe gjobat e pastrimit
Bashkitë dhe komunat caktojnë tarifat për largimin publik të mbeturinave. Pagesa është e detyrueshme dhe e menjëhershme për të gjithë personat fizikë e juridikë që përfshihen në largimin publik të mbeturinave.Pagesa vjetore e taksës së pastrimit ndahet me këste mujore. Shpenzimet për largimin publik të mbeturinave mbulohen nga pjesa e buxhetit të Bashkisë. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, për nene të caktuara, dënohen me gjobë.
I dashur lexues, mos harro se edhe ju vetë jeni përgjegjës, por edhe mund të ndikoni fuqishëm për cilësinë e ambientit që ju rrethon.