Kreu i pensionistëve Isa Gorica: “Rritja e pensioneve, e papërfillshme”
Avushe Zhuka
Pensionistët mbeten të pakënaqur nga vendimi i fundit i qeverisë, i cili sipas tyre i rrit pensionet në masë të papërfillshme. “Rritja e pensioneve mesatarisht në masën 550 lekë të reja është një rritje simbolike, që nuk i ndihmon aspak pensionistët. Bëhet propagandë nga qeveria për rritjen e pensioneve, por në fakt janë vetëm fjalë”, shprehet presidenti i Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe të Papunëve, Isa Gorica. Kreu i pensionistëve, i pyetur dje nga gazeta “Albania”, rrëfen pakënaqësinë dhe zhgënjimin që pësuan pensionistët për shtesën e fundit që iu bë pensioneve. Kjo rritje, sipas presidentit të Federatës, Gorica, nuk përballon dot as 50 për qind të masës së inflacionit. Qeveria e përllogarit inflacionin në masën 3.2 për qind në fakt realisht është në masën 5.8 për qind. Gorica tregon arsyet se pse rritja e pensioneve i ka zhgënjyer pensionistët. Një nga arsyet se pse rritja e fundit e pensioneve është e papërfillshme për këtë kategori është rritja e konsiderueshme e çmimeve në dy fusha të rëndësishme për pensionistët që janë barnat e shërbimet shëndetësore si dhe rritja e çmimit të produkteve ushqimore.
Barnat
Pensionistët përballen me një përkeqësim të situatës përsa i përket shkurtimit të listës së ilaçeve dhe rritjes së kostos së shërbimeve mjekësore. Sipas Goricës, çmimi i ilaçeve farmaceutike është rritur me 40 për qind duke e krahasuar atë me çmimet e barnave në vitin 2009. Ka një përkeqësim të listës së ilaçeve që qeveria rimburson për pensionistët. Ky përkeqësim sipas Isa Goricës është shumë i theksuar. Është reduktuar lista e barnave shëndetësore me rimbursim dhe ky rimbursim duke e krahasuar me listën e rimbursuar në vitin 2005 arrin vetëm në masën 30 për qind. Po kështu janë hequr nga lista e barnave të rimbursuara 60 për qind e medikamenteve cilësore që importoheshin nga BE dhe është bërë zëvendësimi i tyre me ilaçe të cilësisë dytësore që vijnë nga vende jo Evropiane, si Qipro apo India. Rreth 180 mijë pensionistë në të gjithë vendin përfitojnë nga lista e ilaçeve të rimbursuara. Por sipas presidentit të Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe të Papunëve, Gorica rreth 100 mijë pensionistë marrin ilaçe me listë, pasi nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve të shtrenjta. Po kështu shërbimet mjekësore dhe sidomos vizitat në aparaturat që diagnostikojnë disa lloje sëmundjesh është rritur në masën 200 për qind. Kjo për faktin se rreth 80 për qind e pensionistëve këtë shërbim e kryejnë tek sektori privat, pasi spitalet shtetërore në disa raste nuk i disponojnë këto aparatura të kushtueshme, dhe në raste të tjera nuk e përballon dot këtë shërbim.
Pensioni
Vendimi i qeverisë për rritjen e pensionit mesatarisht me 550 lekë në muaj nuk i ndihmon aspak pensionistët. Kjo rritje e bërë disa javë më parë nga qeveria nuk e përballon dot rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore siç janë mishi, bulmeti,vaji dhe sallami. Sipas Goricës, efekti i rritjes së pensioneve nuk ndihet, madje në disa raste vihet re një përkeqësim i situatës së pensionistëve. Një tjetër problem që shqetëson pensionistët është rritja e çmimit të energjisë elektrike për të cilën kreu i pensionistëve thotë se në fakt është rritur në masën 28 për qind dhe jo në masën 17 për qind siç shprehet qeveria. Për kompensimin e energjisë elektrike pensionistëve u është dhënë një shtesë simbolike prej 140 lekësh, në kohën kur ku rimbursim është në vlerën 580 deri në 620 lekë në muaj. Sipas Goricës, një rritje e tillë që i është bërë pensionit, nuk është as sa 30 përqindëshi i mbi shpenzimeve që ka realisht një pensionist në vitin 2010. Ai shprehet se në fakt qeveria e ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të gjithë pensionistëve në vend. “Është një fatkeqësi e madhe ta trajtosh pensionistin në këtë mënyrë. Në fund të fundit ai ka kontribuar për këtë vend duke punuar për më shumë se 30 vjet”-shprehet Isa Gorica.
Pensionistët zhgënjehen nga trajtimi i qeverisë
Rritja e pensioneve mesatarisht me 550 lekë nuk mbulon rritjen e shpenzimeve dhe shërbimeve për kategorinë e pensionistëve. Ky është reagimi i kreut të Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe të Papunëve, Isa Gorica, lidhur me shtesën e fundit që qeveria bëri për pensionistët pak kohë më parë. Sipas Goricës, ka një sërë arsyesh që e bëjnë këtë shtesë të pensioneve të papërfillshme. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore që konsumohen në masë, rritja e çmimit të energjisë si dhe rritja e kostos së shërbimeve mjekësore, bëjnë që pensionistët mos ta vënë re fare shtesën. Madje duke bërë krahasim me vitet e kaluara pensionistët vënë re një përkeqësim të situatës së tyre ekonomike. Sipas Goricës një rritje e tillë që i është bërë pensionit, nuk është as sa 30 përqindëshi i mbi shpenzimeve që ka realisht një pensionist në vitin 2010. Shkurtimi i listës së ilaçeve të rimbursuara nga qeveria për pensionistët, ka bërë që këta të fundit t’i sigurojnë barnat e munguara në mënyrë private gjë që ndikon në përkeqësimin e situatës financiare. Rreth 180 mijë pensionistë në të gjithë vendin përfitojnë nga lista e ilaçeve të rimbursuara. Por sipas presidentit të Federatës së Sindikateve të Pensionistëve dhe të Papunëve, Gorica rreth 100 mijë pensionistë marrin ilaçe me listë, pasi nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve të shtrenjta. Madje pensionistët janë të detyruar të kryejnë vizita mjekësore shpesh herë në mënyrë private, për shkak të mungesës së disa aparateve në spitalet shtetërore. Sipas Goricës qeveria vetëm ka propaganduar rritjen e pensioneve por në realitet nuk i ka ndihmuar aspak pensionistët.
Qeveria rriti pensionet në masën nga 4 deri në 10 për qind
Nga vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve të marr disa javë më parë, përfitojnë 540 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Pensionistët përfituan një rritje nga masa 4 për qind deri në masën 10 për qind të pensionit. Sipas Isa Goricës rritja mesatare e pensioneve është në masën 550 lekë, që rezulton të jetë në fakt një shumë e papërfillshme për pensionistët. Nga 540 mijë pensionistë 193.200 persona përfitojnë shtesë për pleqëri urbane, 46.100 shtesë për invaliditet urbanë dhe 51.100 përfitojnë pensione familjare urbane. Nga rritja në masën 4 për qind të pensionit ekzistues përfitojnë 114.240 pensionistë, nga këto, 89.600 pensione janë për pleqëri urbane. Nga rritja e pensioneve në masën 10 për qind përfitojnë 160 mijë pensionistë në gjithë vendin. Sipas ISSH pensionistët dhe kategoritë e tjera do të vazhdojnë të përfitojnë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr 401 datë 21.06.2006 kompensim për 500 dhe VKM Nr 763 datë 27.12.2006 në masën prej 760 lekë në muaj dhe në masën prej 190 lekë në muaj sipas vendimit të datës 27.4.2009 “Për rritjen e pensioneve”. Dukë përfshirë edhe këtë rritje të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqësisë llogariten jo më pak se 12 840 lekë në muaj. Pensioni minimal i pleqërisë ka pësuar një rritje prej 410 lekë në muaj. Pensioni i pjesshëm i pleqërisë duke përfshirë rritjen e fundit të realizuar arrin në vlerën totale të ardhurave 12 297 lekë në muaj.
23 Korrik 2010