E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë botërore në vitin 2050, Shqipëria nën ombrellën turk



George Friedman

Vijon nga numri i kaluar

Anëtarët e Koalicionit do të kuptojnë se plani fillestar i tyre ka dështuar. Ata nuk do të jenë të sigurt se sa mirë mund ta kuptojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por do ta dinë se e gjithë kjo nuk mund të kuptohet mirë. Më shqetësuesja është se bindja e tyre, që e gjithë flota ajrore e Shteteve të Bashkuara ishte asgjësuar, doli e gabuar; dhe tashmë e dinë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende e kanë kapacitetin për t`i goditur ata. Ata nuk mund ta dinë se këto janë vetëm ato që kanë mbetur nga forca që u zhduk në kohën midis zbulimit të sulmit mbi Yjet e Betejës dhe Koalicioni nuk do të ketë asnjë mënyrë për ta zbuluar. Mjegullnaja e luftës do të jetë po aq e dendur në shekullin XXI saç ishte edhe në të kaluarën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë një lëvizje shtesë. Inxhinierët do të analizojnë të dhënat, për të treguar pikën zanafillore të raketave që dërrmuan Yjet e Betejës, dhe atëherë ushtria do të lëshojë një raketë në zonë dhe baza do të shkatërrohet. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të urdhërojnë forcat ushtarake, të cilat do t`i grumbullojnë pa u marrë vesh në stacionet e tyre eksperimentale në Hënë, për të përgatitur dhe ekzekutuar sulme mbi të gjitha bazat japoneze në Hënë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sigurohen që të mos gjenden sërish në befasi.
Ashtu siç ndodh shpesh në luftë, sapo ekzekutohet sulmi fillestar, i planifikuar për vite me radhë, cilido fillon të improvizojë, gjë që shkaktohet nga pasiguria. Shumica e planeve të luftës parashikon që lufta të mbarojë shpejt. Rrallë ndodh një gjë e tillë. Kjo luftë do të vazhdojë, e ndarë në tri pjesë.
Pjesa e parë: pasi të kenë rivendosur një komandë të pakapshme të Hapësirës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vënë në zbatim një program përplasjeje për të rritur qëndresën e tyre dhe për të mbajtur jashtë loje Koalicionin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalëngadalë, përgjatë vitit në vazhdim, do ta rritin aftësinë zbuluese të tyre, derisa të barazohen me nivelet e para-sulmit. Ritmi i hulumtimit, i zhvillimit dhe i përhapjes në kohë lufte është i jashtëzakonshëm, krahasuar me kohën e paqes. Brenda një viti, që nga Dita së Falënderimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t`i kenë tejkaluar nga ana teknologjike fuqitë me bazë hapësinore që u shkatërruan.
Pjesa e dytë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lëvizin për të riparuar flotën e tyre Hipersonike, të ndodhur përballë sulmeve të vazhdueshme ajrore mbi pajisjet e fiksuara të prodhimit, tashmë të ditura nga gjuajtësit e Koalicionit. Mirëpo, Koalicioni nuk do ta ketë aftësinë për të ruajtur gjurmimin e mjaftueshëm mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, pavarësisht disa pengesave, impiantet do të jenë në veprim, duke ndërtuar gjuajtës supersonikë.
Pjesa e tretë: Koalicioni do të përdorë periudhën përpara se Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rindërtojnë forcat e tyre për të imponuar një realitet të ri në Tokë. Japonezët do të përpiqen të kapin hapësira të tjera në Kinë dhe Azi, por do të jenë shumë më pak agresivë sesa Turqia, e cila do ta shohë periudhën e përkujdesjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shans për të vepruar me bllokun polak dhe për t’u pozicionuar si fuqi vendimtare në rajon.

Lufta do të fillojë me një krye-dredhi ndaj bllokut polak. Tashmë do të bëhet një sulm i bashkërenduar nga turqit në Tokë, i mbështetur nga pajisjet ajrore të saj. Eliminimi i bllokut polak do t`i jepte Turqisë dorë të lirë kudo. Prandaj, në vend që ta harxhojnë fuqinë e tyre në Afrikën e Veriut apo në Rusi, turqit “do ta vënë dorën në zjarr” për gjithë këtë, duke sulmuar nga Bosnja për në brendësi të Ballkanit.
Arma kyç do të jetë këmbësori i koracuar, - një ushtar i vetëm, i mbështjellë në një kostum të fuqishëm, i cili është në gjendje të ngrejë sasi të konsiderueshme peshe dhe t’i mbrojë ushtarët nga dëmtimi. Gjithashtu, kostumi do ta lejojë të lëvizë me shpejtësi. Le ta shohim atë si një njeri-tank, vetëm se më shumë vdekjeprurës. Ai do të mbështetet nga shumë sisteme të blinduara, të cilat mbajnë pajisjet dhe paketat e fuqisë. Paketa e fuqisë do të jetë më kritikja. Të gjithë sistemet do të punojnë me rrymë elektrike dhe do të lëvizin nëpërmjet njësish akumulimi të rrymës elektrike, bateri me shumë fuqi dhe jetë brenda tyre. Por, sado të përparuara, ato do të kenë nevojë të karikohen sërish. Kjo do të thotë se hyrja në rrjetet elektrike do të jetë e vetmja gjë më e rëndësishme në luftim, krahas me centralet elektrike që e përcjellin elektricitetin nëpërmjet rrjeteve. Elektriciteti do të jetë për luftimin në shekullin XXI, ashtu si ishte nafta në shekullin XX.
Qëllimi i Turqisë do të jetë që t`i tërheqë forcat e bllokut polak në një betejë asgjësimi. Ndryshe nga luftimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky do të jetë i planifikuar si një operacion i kombinuar armësh, duke përfshirë këmbësorët e blinduar, logjistikat robotike dhe platformat e armëve; tashmë, edhe gjuajtësit hipersonikë të kudogjendur, që shërbejnë si artileri me precizon.
Si pasojë e goditjeve shkatërruese të hapjes, blloku polak do të kërkojë ta shmangë përqendrimin e forcave të tij tokësore, në mënyrë që të mënjanojë goditjet ajrore. Turqit do të duan të ushtrojnë presion mbi ta, për t`i përqendruar forcat e tyre, duke sulmuar në atë mënyrë, që t`i detyrojnë të mbrojnë objektivat kryesore apo, në mënyrë alternuese: të copëtojnë bllokun, kur polakët të refuzojnë t’i angazhojnë forcat e tyre për një mbrojtje të tillë.
Turqit do ta sulmojnë Veriun nga Bosnja, për në rrafshinat kroate, dhe në Hungari, ku vendi është i hapur, i sheshtë e ku i mungojnë barrierat natyrore. Ata do të hyjnë në Budapest, megjithëse qëllimi i tyre final do të jenë malet Karpate në Sllovaki, në Ukrainë dhe Rumani. Nëse ata i marrin Karpatet, Rumania dhe Bullgaria mbeten të izoluara dhe do të bien, duke e kthyer Detin e Zi në një liqen turk. Hungaria do të pushtohet dhe Polonia do të izolohet e do të përballet me kërcënimin nga Jugu. Gjithsesi, në qoftë se polakët vendosin të përqendrohen në rrafshinën hungareze, për të mbrojtur Budapestin, dhe kësisoj të përpiqen të mbajnë të bashkuar bllokun, fuqia ajrore turke ka gjasa t`i shkatërrojë forcat e bllokut.
Polakët do të kërkojnë mbështetjen ajrore amerikane, në mënyrë që ata të mund të angazhojnë forcat turke, ndërkohë që këto përparojnë për në Kroaci, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kenë fuqi ajrore për t`ua dhënë. Si rezultat, turqit do ta zaptojnë Hungarinë brenda pak javësh dhe shumë shpejt pas kësaj do të pushtojnë Karpatet. Rumunët, të izoluar, do të kërkojnë dhe do të arrijnë armëpushimin. Evropa Juglindore, në kufirin polak dhe në Ukrainë, do të jetë në duart e turqve. E gjithë ajo që mbetet do të jetë Polonia.
Forcat turke do të përparojnë drejt Krakovias me goditje ajrore, duke e bërë copë-copë ushtrinë polake. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shqetësohen se polakët nuk do të jenë në gjendje të rezistojnë, dhe mund të jenë të detyruar të bëjnë lutje për paqe. Strategjia e Shteteve të Bashkuara do të jetë të fitojë kohë për të rindërtuar asetet e saj strategjike, dhe pastaj të lëshojë një sulm global të befasishëm mbi Turqinë dhe Japoninë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të duan ta shpërhapin fuqinë e tyre për të mbështetur luftimin taktik në Poloninë Jugore. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë në gjendje që të rrezikojnë humbjen e aleatit të tyre polak, meqenëse kjo do t`i jepte fund lojës kundër Turqisë. Në mënyrë që t’i angazhojnë polakët për të vazhduar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet t`i dëmtojnë rëndë turqit.
Në shkurt të vitit 2051, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lëshojnë një pjesë të rëndësishme të forcës ajrore që i ka mbetur, duke përfshirë disa gjuajtës të rinj me aftësi të përparuara, të cilët i godasin forcat turke kudo, që nga Polonia Jugore deri në qendrat logjistike prapa në Bosnjë, si dhe më tej në Jug. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të pësojnë humbje të mëdha nga forca ajrore turke, por ushtria turke do të pësojë humbje serioze, ndërkohë që vriten me qindra këmbësorë të blinduar, krahas shkatërrimit të një numri të madh sistemesh robotike dhe pajisjesh. Turqia do të jetë larg të qenit e sakatuar, por do të dëmtohet.
Turqit do ta kuptojnë shpejt se nuk ka asnjë shans për ta fituar luftën. Paaftësia e tyre për të rihyrë në Hapësirë, plus aftësisë së amerikanëve për të krijuar me shpejtësi një forcë të re ajrore, do t`i shpartallonte në çast ata. Gjithashtu, turqit do të kuptojnë se japonezët nuk do të jenë në gjendje t`i ndihmojnë, sepse do të jenë të angazhuar me problemet e tyre në Kinë. Kumari i madh do të dështojë dhe me këtë dështim secili do të mendojë për veten e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë dukshëm të përqendruara më parë te Turqia sesa te Japonia, kështu që turqit do të kenë nevojë ta nxjerrin sa më shpejt Poloninë jashtë lufte. Por forcat tokësore turke më pas do të jenë të përhapura anë e mbanë një perandorie të stërmadhe. Përqendrimi në Poloni do të thotë t’i hiqje forcat nga diku tjetër; por kjo për një kohë të gjatë nuk do të jetë ndonjë opsion me shanse për sukses. Turqit do të ishin tejet të ekspozuar ndaj rebelimit, që nga Egjipti deri në Azinë Jugore.
Përpara fillimit të luftës, Koalicioni do të dojë që Gjermania t`i bashkohet sulmit mbi Poloninë, por gjermanët do të refuzojnë. Këtë herë, kur turqit t’u afrohen atyre, pothuajse do t’u ofrojnë një çmim. Si këmbim, për të ndihmuar Gjermaninë në Poloni, Turqia do të tërhiqet në Ballkan pas luftës, duke mbajtur vetëm Rumaninë dhe Ukrainën. Turqia do ta ngrejë fuqinë e saj përqark Detit të Zi, detit Adriatik dhe Detit Mesdhe, ndërsa gjermanët do të kenë dorë të lirë që nga Veriu i Hungarisë, duke përfshirë Poloninë, Baltikun dhe Bjellorusinë.
Nga pikëpamja gjermane, ajo që ka qenë “ëndrra në diell” e turqve, përpara vitit 2050, do të jetë tani një propozim praktik. Turqit do të ishin një fuqi e Mesdheut dhe e Detit të Zi dhe do t’u nevojitej Ballkani që të siguronin zotërimin e tyre. Turqit nuk do të kishin interes, për sa i takon Veriut të Ballkanit, pasi një përfshirje e tillë do të përpinte forcat e nevojshme në këto hapësira. Gjermanët, ashtu si polakët dhe rusët, do të vendoseshin në rrafshinën veriore evropiane; dhe kjo vendosje e re do të siguronte anën lindore të tyre. Më e rëndësishmja është se kjo vendosje do të përmbyste prirjen që vijonte kundër Gjermanisë dhe Evropës Perëndimore, që nga rënia e Rusisë. Evropianët e Evropës Lindore më në fund do të ktheheshin sërish në vendin e tyre.
Gjermanët do ta marrin vesh se amerikanët, në të vërtetë, do të përqendrohen sërish në rajon, por amerikanëve për t’u kthyer do t’u duhet kohë. Për gjermanët do të ketë një dritare të vërtetë mundësie për ta kapur. Të mbyllur në vetvete dhe kundërshtues ndaj rrezikut, gjermanët nuk do të jenë aq aventurorë sa turqit. Por alternativa do të jetë një forcë turke në lindje të tyre apo, edhe më keq, shpartallimi i turqve; kësisoj, gjermanët do të kenë një forcë edhe më të fuqishme polake dhe amerikane. Në përgjithësi, gjermanët nuk do të jenë ndërmarrës rreziku, por ky është një rrezik që ata duhet ta ndërmarrin. Gjermanët do t’i mobilizojnë forcat e tyre, duke përfshirë forcën e vjetër ajrore të tyre, por që është ende e aftë; do t’i godasin polakët nga perëndimi, në fund të pranverës së vitit 2051, ndërkohë që turqit do ta rinisin sulmin e tyre nga jugu. Gjermanët do të rekrutojnë francezët dhe një numër vendesh të tjera në manovra, por pjesëmarrja e tyre do të jetë më shumë politike sesa ushtarake.
Nga ana tjetër, Britania do të frikësohet, në lidhje me atë që po ndodh. Megjithëse do të ketë vijueshmëri të një loje gjigante të politikës globale të fuqisë, britanikët ende do të merren thellësisht me balancën globale të fuqisë. Edhe njëherë ata do të gjenden përballë mundësisë së një kontinenti të mbisunduar nga gjermanët, gjithsesi, të arritur me ngadalë nga Gjermania dhe, prapëseprapë të varur nga përforcimet turke. Britanikët do ta kuptojnë se, në qoftë se kjo ndodh, çfarëdo shpërfillje kundrejt Evropës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çfarëdo zmbrapse ciklike në izolim, do të nënkuptonte katastrofë. Britania nuk do të ketë asnjë synim për t’u përfshirë në këtë luftë. Por në këtë pikë nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër dhe mund të ofronte diçka të çmuar: një forcë ajrore të vogël të paprekur, e cila kur të bashkohej me shërbimin sekret të Shteteve të Bashkuara, mund t`i dëmtonte rëndë gjermanët dhe turqit. Plus kësaj, mbrojtja e saj ajrore e përparuar për t’u mbrojtur kundër goditjeve ajrore turke dhe gjermane, do ta bënte Britaninë një bazë të sigurt operacionesh. Britania do të duket se qëndron e tërhequr, ndërkohë që e rivendos fshehurazi një pjesë të konsiderueshme të forcave të saj ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbrojtjet ajrore dhe koha e alarmit do të jenë edhe më të mëdha.
Në fund, Polonia do të sulmohet nga të dyja anët, nga perëndimi dhe nga jugu. Forcat sulmuese do të përparojnë gjeografikisht, ashtu siç kanë bërë edhe më parë pushtuesit, por teknologjia do të jetë krejt e ndryshme. Nuk do të jetë këmbësoria e madhe në numër e Napoleonit apo formacionet e armatosura të Hitlerit. Forca që do të sulmojë do të jetë fare e vogël në limitet e trupave aktuale. Forca njerëzore do të konsistojë në këmbësorë të blinduar, të shpërndarë, siç janë zakonisht këmbësorët, por me fusha zjarri të qarta dhe të përputhura pjesërisht - tani këto fusha do të jenë prej duzina miljesh. Të lidhur së bashku me rrjete kompjuterike, këmbësorët e blinduar do të komandojnë jo vetëm armët që mbajnë, por edhe sistemet robotike si dhe gjuajtësit hipersonikë që gjenden me mijëra milje lart, të cilët mund t`i thërrasin, nëse nevojiten.
Sistemet robotike do të mbijetojnë në bazë të të dhënave dhe fuqisë. Nëse shkëputet ndonjëri, atëherë sistemet do të ishin të padobishëm. Ata kanë nevojë për një rrjedhë të vazhdueshme informacioni dhe instruksionesh. Gjithashtu, ata kanë nevojë për një rrymë të vazhdueshme fuqie për të qenë vazhdimisht në veprim. Meqenëse sistemet me bazë hapësinore të turqve janë prishur, turqit do t`i zëvendësojnë mjetet ajrore të telekomanduara që rrinë pezull, duke zbritur poshtë dhe duke fluturuar përreth hapësirës së betejës për t’u dhënë informacion. Informacioni do të jetë gjithmonë jo i plotë, ndërkohë që do të rrëzohen vazhdimisht UAV-të.*) Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë të dhëna më të mira, por do t’u mungojë forca ajrore për të asgjësuar sulmuesit.
Sigurimi i fuqisë së mjaftueshme për kostumet e blinduara të këmbësorëve dhe të robotëve do të jetë një tjetër problem. Këto kostume duhet të punojnë me anë të elektricitetit dhe do të kenë nevojë të rikarikohen apo t`i ndërrojnë bateritë e tyre të mëdha çdo ditë, apo diçka e tillë. Do të jenë arritur përparime të mëdha në akumulimin e elektricitetit, por, në fund të fundit, bateritë ende do të shkarikohen. Prandaj, një burim kyç do të jetë rrjeta elektrike e fuqisë e lidhur te impiantet e prodhimit të energjisë. Që të shkatërrosh impiantet e prodhimit të energjisë elektrike, atëherë sulmuesve do t’u duhet të ngarkojnë në masë nëpër anije bateritë e karikuara ngado ku është energjia elektrike, dhe pastaj t`i shpërndajnë ato anembanë fushës së betejës. Sa më tej përparojnë trupat, aq më e gjatë do të bëhet linja e furnizimit. Në qoftë se mbrojtësit janë të përgatitur ta mbyllin rrjetin e tyre të energjisë elektrike, gjithashtu kur ta shohin të nevojshme që t’i shkatërrojnë impiantet e tyre të energjisë - një strategji e përzhitjes së tokës - atëherë sulmi do të ngadalësohej nga mungesa e energjisë. Çdo gjë do të varet nga furnizimi taktik i elektricitetit.
Në një takim sekret të komandantëve amerikanë, britanikë, kinezë dhe polakë do të hartohet një strategji: polakët do të rezistojnë dhe dalëngadalë do të tërhiqen nën presionin e forcave të Koalicionit. Dy mësymje gjeografike, një nga perëndimi dhe një nga jugu, do të konvergojnë në Varshavë. Do të bien në ujdi, që polakët të rezistojnë, të tërhiqen dhe të rigrupohen pafundësisht, duke fituar sa më shumë kohë që të jetë e mundur për aleatët, në mënyrë që këta të riformojnë forcat e tyre ajrore. Polakët do të ripërforcohen nga disa mijëra trupa amerikanë të hedhur nga ajri, nga Poli i Veriut në Shën Petërburg, dhe pastaj të vendosur bashkë me trupat polake për veprimtarinë e tyre të vonshme. Ndërkohë që situata bëhet edhe më dëshpëruese, nga fundi i vitit 2051, fuqia ajrore e disponueshme në Britani do të fillojë të lehtësohet nga ngadalësimi i mëtejshëm i ushtrive turke në avancim. Përpjekja industriale amerikane herkuliane do të jetë në zbatim, ndërkohë që janë ndërtuar gjuajtës të përparuar hipersonikë, të aftë për të udhëtuar dy herë më shpejt sesa sistemet e paraluftës dhe me një ngarkesë të dyfishtë në madhësi. Nga mesi i vitit 2052, forca amerikane do të jetë në dispozicion për një goditje shkatërruese dhe të madhe, e cila kur të jetë e bashkuar me përmirësimet e mëdha në sistemet me bazë hapësinore dhe do të shkatërrojë forcat e Koalicionit anë e mbanë botës. Deri atëherë do të mbahet rregull, do të ketë tërheqje dhe do të fitohet kohë.
Koalicioni do ta nënvlerësojë jashtë mase kapacitetin industrial të Shteteve të Bashkuara. Koalicioni do të mendojë se ka kohë edhe për disa vite që t’i luftojë forcat polake. Së pari, Koalicioni do të zgjedhë që të mos i sulmojë sistemet polake të prodhimit të energjisë elektrike, duke mos dashur që t`i rindërtojnë ato pas luftës dhe të kenë nevojë për energji elektrike të tyre, pasi t`i kenë uzurpuar. Nga ana tjetër, polakët do t`i shkatërrojnë rrjetet e tyre, ndërkohë që do të tërhiqen, duke dashur ta ndërlikojnë përparimin e Koalicionit dhe t’i detyrojnë gjermanët dhe turqit që ta kthejnë drejtimin e burimeve, për të transportuar në fushën e betejës elemente të rënda të akumulimit të energjisë elektrike. Këto linja furnizimi janë pikërisht ato që do të jenë më të cenuarat, kur të arrijë kundërsulmi i verës së vitit 2052.
Kur këmbësorët e blinduar amerikanë të arrijnë në fushën e betejës, me sistemet e tyre të sofistikuara të lidhura me Hapësirën, Koalicioni do ta kuptojë se Polonia nuk do të bjerë shpejt. Gjithashtu, Koalicioni do të kuptojë se impiantet e prodhimit të energjisë elektrike janë themeli i fuqisë së aleancës dhe se, pavarësisht se ato janë marrë - dhe se amerikanët janë katandisur të transportojnë nga vendi i tyre elemente të akumulimit elektrik - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë fitimtare. Prandaj, në verën e vitit 2051 Koalicioni do të fillojë ta shkatërrojë sistemin elektrik polak, duke goditur deri tutje në lindje, në Bjellorusi. Polonia do të tërhiqet.
Koalicioni do të presë dy javë, duke i futur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj (Aleancën) në luftim të vazhdueshëm, për t`i bërë ata që ta konsumojnë elektricitetin e disponueshëm. Pastaj, forcat e Koalicionit do të sulmojnë në të gjitha frontet njëkohësisht, duke pritur që trupat polake dhe amerikane të jenë pa fuqi elektrike dhe pa fat. Në vend të kësaj, ata jo vetëm që do të hasin në rezistencë, por do të gjejnë se janë duke u thirrur edhe trupat e Shteteve të Bashkuara në goditjet ajrore, të cilat po shkatërrojnë linjat e Koalicionit. Komanda e aleatëve do të dërgojë forca ajrore britanike dhe sistemet e zbulimi me bazë hapësinore të koordinuara shkëlqyeshëm - të lidhura me një sistem të ri menaxhimi më të sofistikuar të Yllit të Betejës - do të identifikojnë, do të marrin në shënjestër dhe do të shkatërrojnë këmbësorinë e blinduar gjermane dhe atë turke.
Do të ndodhë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta kenë marrë mësimin që të mos rrezikojnë gjithçka, për sa i takon anës ushtarake, në veçanti brenda kuadrit të sistemeve me bazë hapësinore. Përpara se të fillojë lufta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë edhe një tjetër Yll të Betejës - një sistem të ardhshëm prodhimi - të ndërtuar, por ende të pa lëshuar, për arsye të mungesës së fondeve. Për një herë të vetme, plogështia e Kongresit do të jetë një dhuratë nga perëndia. Stacioni do të jetë sekret edhe në Tokë. Ai do të lëshohet në Hapësirë vetëm disa muaj pas sulmit të befasishëm si dhe shkatërrimit të bazës hënore të Japonisë. Struktura e improvizuar, e cila u krijua menjëherë pasi filloi lufta, do të zëvendësohet nga një strukturë me qendër Yllin e ri të Betejës me bazë në Uganda, por i aftë për manovër të shpejtë në pikat e reja përgjatë Ekuadorit, siç e kërkon nevoja, si dhe manovrime taktike, për të shmangur sulme të tilla si ato që shkatërruan tre Yjet e mëparshëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ripërtërijnë komandën e tyre në Hapësirë - në një shkallë që do ta tejkalojë së tepërmi mbisundimin e saj hapësinor të disa viteve më parë.
Turqit dhe gjermanët do të shastisen nga një gjë. Pasi të kenë vendosur të shkatërrojnë shpërndarjen dhe prodhimin e energjisë elektrike polake, ata do të presin që rezistenca të dobësohet tmerrësisht, ndërkohë që forcat polake mbeten pa energji elektrike. Megjithatë, këmbësoria e blinduar polake dhe amerikane do të jetë në kulmin e saj. Do të duket e pamundur që amerikanët të sjellin nëpërmjet ajrit bateri të mjaftueshme për të mbajtur trupat. Pyetja do të jetë: Prej nga vjen kjo fuqi?
Japonezët nuk do të jenë të vetmit që eksperimentojnë me përdorimet komerciale të Hapësirës. Gjatë gjysmës së parë të shekullit, një koncern i sipërmarrësve amerikanë do të ketë shpenzuar shumë parà për zhvillimin e lëshuesve të fuqishëm dhe jo të kushtueshëm që amerikanët do t`i përdorin dhe do t`i vënë në provë në krijimin e energjisë elektrike në Hapësirë, duke rrezatuar energji në Tokë në formë mikrovalësh, pastaj duke e rikonvertuar atë në elektricitet të përdorshëm. Ndërkohë që komandantët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nuk luajnë me problemin e mbrojtjes së Polonisë, ata do ta kuptojnë nga lojërat e luftës së pafund se problemi do të jetë ruajtja e energjisë elektrike. Kur turqve u duhen vetëm disa javë për të pushtuar Evropën Juglindore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kuptojnë se shpartallimi i turqve varet vetëm nga furnizimi me energji elektrike i forcave të Aleancës dhe nga shkatërrimi i furnizimeve me energji elektrike të Koalicionit. Çelësi për fitoren do të jetë furnizimi vazhdimisht me energji elektrike i Polonisë.
Teknologjia-bazë do të jetë zhvilluar. Do të jetë e mundur që lëshuesit hapësinorë të ndërtohen me shpejtësi, ashtu si edhe panelet diellore, edhe sistemet e rrezatimit me mikrovalë. Sfida e vërtetë do të jetë të përgatiten elementët marrës të ndërtuar në fushë dhe jashtë fushës, por, sërish me buxhet të pakufizuar dhe me motivim, amerikanët do të jenë në gjendje të kryejnë mrekulli. Ky Yll Beteje i ri do të projektohet për dy qëllime, por pa u marrë vesh nga koalicioni: për menaxhimin e betejës si dhe menaxhimin e ndërtimit dhe të funksionimit të radhëve të stërmëdha të paneleve diellore dhe të sistemeve të tyre të rrezatimit me mikrovalë. Në fushën e betejës do të lëshohen elemente marrëse të lëvizshme.
Kur butoni të shtypet lehtë, mijëra elemente marrëse në anën polake të frontit do të fillojnë të marrin rrezatim mikrovalësh nga Hapësira dhe ta konvertojnë në elektricitet. Në njëfarë mënyre, kjo do të jetë sikur celularët të zëvendësojnë linjat tokësore. E gjithë arkitektura e energjisë elektrike do të ndryshojë. Kjo do të jetë e rëndësishme më vonë. Për momentin, kjo do të thotë se rezistenca përballë turqve nuk do të bjerë, meqenëse armiqtë e tyre në mënyrë të pashpjegueshme do të kenë shumë më tepër elektricitet sesa prisnin turqit.
Koalicioni nuk do të jetë në gjendje ta heqë sistemin e krijimit të energjisë në Hapësirë apo të identifikojë stacionet marrëse të mikrovalëve. Do të ketë një mori panelesh diellore, në një mori vendesh të ndryshme, dhe ata do të jenë duke u endur përqark. Edhe sikur të nxirreshin jashtë, ata do të zëvendësoheshin më shpejt se sa do të mund të shkatërroheshin, nëse do të kemi parasysh aftësitë e Koalicionit.
Koalicioni nuk do të jetë në gjendje ta thyejë forcën polako-amerikane nëpërmjet logjistikës. Mbrojtësit do të mbijetojnë, sepse Koalicioni do të ketë zbulues të pamjaftueshëm, të cilët që në fillim i kanë humbur satelitët e tyre. Gjithashtu, komanda ajrore e Koalicionit do të dobësohet, ndërkohë që forca ajrore më të vogla të Aleancës do të kenë shërbim sekret shumë më të mirë, prandaj edhe do të jenë jashtëzakonisht vepruese.

Fund
Përktheu: Ilirjana Angoni

*) Mjetet ajrore të telekomanduara (shënim i përkthyeses).

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›