E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik shton parane ne qarkullim

Muaji qershor dhe korrik që korrespondon edhe me sezonin turistik ka rritur më tej ofertën e parasë në qarkullim. Numri i lartë i pushuesve apo emigranëtve që kanë hyrë në vend gjatë kësaj periudhe ka shtuar sasinë e parasë në qarkullim. Kështu sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë rezulton se treguesi M3 apo sasia e parasë në qarkullim në muajin qershor dhe korrik ka rezultuar respektivisht në nivelin e 195.732 milionë lekëve dhe 196.980 milionë lekë që krahasuar me muajt e mëparshëm është më i lartë. Por gjithsesi sipas shifrave të BSH këto shifra, të cilat në fakt rezultojnë të përafërta me ato të parave në qarkullim, janë më të ulëta se gjatë të njëjtëve muaj të vitit të kaluar, përkatësisht 197.892 dhe 198.694 milionë lekë.

Kjo tregon për një ndikim të shtimit të transaksioneve monetare, që kryejnë në këtë sezon të ardhurit nga jashtë vendit, dukuri kjo e cila shfaqet në fakt sipas ekspertëve financiarë edhe gjatë festave të fundvitit, kur oferta e parasë në qarkullim, duket se shtohet sërish. Këtë e tregojnë edhe shifrat e Bankës qëmdrore, ku në muajin dhjetor të 2011, ky tregues ka qenë në kuotimin më të lartë të tij në 202.907 milionë lekë. Gjithashtu ekspertët e BSH vlerësojnë se këto nivele të parasë në qarkullim janë pozitive. Edhe pse me luhatje normale sezonale këto nivele janë në kufijtë e lejuar dhe nën kontrollin e autoriteteve përkatëse. Kjo rritje sezonale e sasisë së parasë në qarkullim dëshmon se aftësitë për likuiditet janë të mjaftueshme dhe nuk ka bllokim të parasë, sic ka ndodhur në vendet e rajonit për shkak të krizës. Kjo bazë monetare konsiderohet e dobishme nga ekspertët për të kryer operacione të ndryshme në funksion të likuiditetit, edhe pse jahstë kanaleve bankare. Gjithsesi sipas rregullave të BSH kjo bazë monetare nuk duhet të rritet më shpejt sesa niveli i rritjes nominale të ekonomisë, pasi prodhon inflacion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›