E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i pakorrigjuar lë pa rritje page administratën

Gjergj Erebara

Punonjësit e institucioneve qendrore nuk kanë marrë indeksim të pagës për këtë vit

Gjergj Erebara

Mijëra punonjës të administratës qendrore në Shqipëri nuk kanë marrë rritjen e premtuar të pagës për vitin 2012, për shkak se qeveria ka vendosur të mos e rishikojë buxhetin e shtetit siç ka bërë çdo verë dhe rrjedhimisht, ka krijuar një ngërç ligjor, që e bllokon mundësinë për indeksimin e pagave me inflacionin.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të mirinformuara nga qeveria.

Ligji për pagat i vitit 2006 sanksionon që për shumicën dërrmuese të administratës publike, paga përcaktohet në raport me pagën e Presidentit të Republikës, ndërsa paga e këtij të fundit, përcaktohet çdo vit në ligjin për buxhetin e shtetit. Ndryshimi i fundit është kryer verën e kaluar në masën 255 mijë lekë. Pagat e drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve të tjera variojnë nga 89 për qind e pagës së presidentit, ose 227 mijë lekë në muaj, (aktualisht paga e Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese), te minimumi prej 45 për qind e pagës së presidentit. Kjo e fundit u përket anëtarëve të enteve rregullatore të ekonomisë. Institucionet e tjera kanë gjithashtu hierarki page, ku kryetarët janë më të paguarit dhe punonjësit renditen më poshtë, duke bërë që paga e Presidentit të Republikës të jetë përcaktuese për një numër të madh pagash në të gjithë administratën qendrore qeverisëse.

Buxheti i pandryshuar

Qeveria i ka të ardhurat këtë vit 8 për qind më të ulëta se sa qenë përcaktuar nga ligji i buxhetit për vitin 2012. Ndërkohë, shpenzimet deri në korrik i ka realizuar në masën 100 për qind, ndërsa deficitin e ka gati dy herë më të lartë se sa plani. Qeveria praktikisht po vepron në mënyrë të paligjshme, për shkak se nuk është autorizuar nga Kuvendi të emetojë borxh publik kaq të lartë. Por ndërkohë, qeveria dëshiron të shmangë debatin publik që mund të lindë mbi gjendjen e vështirë ekonomike që po përjeton vendi, në rast se kërkon në Parlament miratimin e një buxheti të ri, ku deficiti do të jetë më i lartë nga parashikimi dhe borxhi i akumuluar publik do të jetë gjithashtu më i lartë se sa kufiri maksimal i lejuar nga ligji për borxhin, të cilin vetë mazhoranca e sotme e ka miratuar në vitin 2008.

Mosndryshimi i buxhetit ka bërë që Berisha, si rrallëherë të mos respektojë premtimin e vet për rritje të pagave, pavarësisht se vijon të deklarojë herë pas here se ky do të jetë premtim i mbajtur. Ndërkohë, për shumë ekonomistë, cilido qoftë shkaku i mosmbajtjes së premtimit për rritje pagash, ky është një hap pozitiv për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, pasi buxheti i shtetit e ka pothuajse të pamundur të përballojë rritje të re shpenzimesh.

Paga mesatare në sektorin shtetëror është aktualisht 47 mijë lekë në muaj.

Disave iu ul paga

Ndërsa për zyrtarët e administratës, mosrishikimi i buxhetit të shtetit i ka lënë pa indeksim page këtë vit, atyre që kanë paga të larta si në shtet ashtu edhe në privat, qeveria ia ka gjetur mënyrën tia ulë disi pagën. Muajin e kaluar, qeveria e ndryshoi pagën minimale zyrtare nga 20 mijë në 21 mijë lekë. Qeveria e rrit pagën minimale për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, për shkak se një pjesë e madhe e shqiptarëve paguhen ose deklarojnë se paguhen me pagë minimale. Me rritjen e pagës minimale, rritet edhe kontributi për sigurimet shoqërore e shëndetësore që paguhen në shtet. Ndërkohë, ligji për sigurimet shoqërore sanksionon që sigurimet mbahen në përqindje kundrejt pagës, për pagat deri pesë herë më të mëdha se sa paga minimale. Duke rritur pagën minimale me 1 mijë lekë, qeveria rrit automatikisht pagën maksimale me 5 mijë lekë dhe rrjedhimisht edhe masën e taksimit mbi pagat e larta.

Detali

Neni 4, Ligji 9584

Pagat e funksionarëve të lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, mandati i të cilëve është me kohë të plotë, përcaktohen në raport me pagën e Presidentit të Republikës, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Buxheti i pakorrigjuar lë pa rritje page administratën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›