Ali Hidersha: Kelmendi vrau vajzën time, 3 sms kërcënuese për Emin
Tiranë- Prej 28 shkurtit, kur Emi ndërroi jetë e deri më sot, Ali Hidersha nuk ka shfaqur asnjë dyshim në atë që e quan vrasje të së bijës. Ndaj edhe mbyllja e shpejtë e procesit gjyqësor, që kulmoi me lirimin e Aziz Kelmendit, duket se e ka shtuar brengën në familjen e tij. Akuzat e Ali Hidershës nuk burojnë vetëm prej dhimbjes së një prindi që ka humbur fëmijën, por edhe prej një sërë rrethanash të dyshimta, të cilat ai i ka denoncuar në prokurori. Zhdukja e çantës dhe celularit të Emit, tre mesazhe kërcënuese, të ruajtura në memorien e telefonit të tij dhe një sërë pikëpyetjesh mbi sjelljet e autorit, që Hidersha i ka denoncuar në organin e akuzës. “MAPO” boton sot dy dëshmitë plot dyshime të Ali Hidershës, të cilat ndodhen në dosjen e Prokurorisë e që nuk kanë marrë përgjigje nga rrjedha që mori çështja në Gjykatën e Tiranës.
Denoncimet e Hidershës
Lidhur me ngjarjen e datës 27.02.2011, në rrugën “Sadik Petrela” pranë pub “Venue”, ku është plagosur rëndë vajza ime, Elsina Hidërsha, e cila ka gjetur vdekjen mëngjesin e datës 28.02.2011, dua të jap disa sqarime shtesë. Së pari, unë kërkoj zbardhjen e plotë të ngjarjes. Së dyti, kërkoj zbardhjen e mesazheve telefonike që ka këmbyer vajza ime me shtetasin Aziz Kelmendi. Gjithashtu, kërkoj të verifikohen regjistrimet e kamerave të pubit “Venue”. Kërkoj gjithashtu të gjenden çanta dhe telefoni celular i vajzës time, pasi deri më sot nuk gjenden. Kërkoj nga prokuroria të marr një kopje të procedimit penal për t’u njohur. Nga interesimet që kemi bërë familjarisht, që nga dita e ngjarjes, unë kam arritur në konkluzionin se shtetasi Aziz Kelmendi e ka vrarë vajzën time, por unë nuk di si kanë qenë rrethanat e ngjarjes dhe si ka ndodhur ajo. Ne kemi dëgjuar nga autori i ngjarjes, ka deklaruar se vajza ime është varur tek dera e shoferit, por sa mund të ketë rezistuar ajo të qëndronte e varur tek xhami i derës së shoferit? Pastaj, nëse është varur, pse nuk ndaloi Aziz Kelmendi, por vazhdoi ecjen me makinë? Përse e la Elsinën të rrëzuar përtokë dhe u largua me makinën e tij dhe u kthye më vonë? Gjithashtu, dua të di a ka lënë gjurmë gishtash vajza ime te xhami ose dera e shoferit të makinës së shtetasit Aziz Kelmendi? Dua të ripyetet shtetasja Valza Bajra, shoqja e vajzës time, me të cilën kanë qenë natën tek pub “Venue”. Gjithashtu, dua të shtoj se në aparatin tim celular kam marrë tre mesazhe gjatë vitit 2010, nga numri 067XXXXX. Konkretisht, më datë 12.07.2010 ora 17:49:26 kam marrë një mesazh me tekstin: “Hape pak tel, se do me fol me ty, ok”. Më datë 13.07.2010, ora 00:28:24 kam marrë një mesazh me tekstin: “Do përfundosh keq”. Më datë 13.07.2010, ora 00:30:09 kam marrë një mesazh me tekstin: “Shqipëria është me ty, kur të marrësh vesh se ka vdek ola…?” Unë nuk e di kush e disponon këtë numër celulari, por kërkoj identifikimin e poseduesit të këtij numri, pasi vajza ime, Elsina përdorte telefonin tim celular. Dua të them se Elsina, kur ndodhej në shtëpi përdorte shpesh telefonin tim celular dhe të bashkëshortes time. Ne jemi interesuar të gjejmë çantën e dorës dhe aparatin celular të Elsinës, por deri më sot nuk kemi mundur t’i gjejmë. Prandaj dyshoj se shtetasi Aziz Kelmendi i ka marrë dhe i ka fshehur, ose mund t’i kenë marrë kalimtarët në rrugë, ose mund ti ketë lënë në lokal dhe i kanë marrë klientët. Unë kërkoj vetëm zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Dëshmia e parë
Aktualisht kam një lokal që ndodhet te Liqeni, ku punoj bashkë me gruan dhe djalin tonë. Ndërsa vajza jonë, Elsina është këngëtare dhe jep koncerte brenda dhe jashtë vendit.
Sot më datë 27.02.2011, rreth orës 08:00, erdhi në shtëpinë tonë një shoqe e Elsinës, që quhet Valza, mbiemrin nuk ia di, është kosovare. Gjatë katër ditëve të fundit ka qëndruar në shtëpinë tonë. Valza na tha se Emi, pra vajza jonë, kishte pësuar një aksident me makinë, sapo kishte dalë nga lokal “Venue” pranë Profarmës dhe e kishin çuar në Spitalin Ushtarak. Atëherë, unë me djalin dhe gruan shkuam urgjentisht në Spitalin Ushtarak, ku konstatuam se vajza jonë, Elsina ndodhej e shtruar në reanimacionin e këtij spitali në gjendje të rëndë. Ne u interesuam për sendet personale të Elsinës, por nuk gjetëm as celularin dhe as çantën e dorës së saj. Edhe policia nuk kishte informacione mbi sendet personale të vajzës sonë. Dua të sqaroj se vajza ime, Elsina, para rreth 10 ditësh më tha se e kishte marrë në telefon shtetasi kosovar Aziz Kelmendi, i cili i kishte kërkuar të lidheshin bashkë dhe pasi Elsina nuk kishte pranuar, Azizi e kishte kërcënuar. Mesa kemi dijeni, Azizi është i martuar dhe ka fëmijë. Është njohur me Azizin para 5-6 muajsh dhe Azizi e ka ndihmuar Elsinën, duke i gjetur lokale për të dhënë koncerte. Para 4 muajsh, Elsina bleu një makinë “Opel Corsa” në Kosovë. Në atë rast, Elsina më prezantoi me Azizin, i cili më tha se kishte disa biznese në Kosovë. Unë e kam takuar Azizin vetëm këtë herë, kur kam shkuar në Morinë të Kukësit me Elsinën, për të bërë zhdoganimin e makinës së sapoblerë. Unë nuk kam dijeni nëse vajza ime Elsina ka pasur lidhje dashurie me Azizin. Vetëm para 10 ditësh, Elsina më shfaqi shqetësim e saj, pasi Azizi i kërkonte të lidhej me të, por Elsina nuk kishte pranuar. Atëherë, Azizi i kishte bërë presion: “Nuk do të lë rehat, do të bëj 101 gjëra. Çdo gjë që të bëj, kam lekë sa të duash”. Para disa ditësh, unë e pyeta Elsinën nëse kishte pasur shqetësime të tjera nga Azizi dhe ajo na tha se nuk kishte pasur më shqetësime prej tij. Para katër ditësh, Elsina ka sjellë në shtëpinë tonë shoqen e saj kosovare me emrin Valza, e cila ka fjetur në shtëpinë tonë deri ditën e djeshme, datë 26.02.2011. Rreth orës 23:00, Elsina bashkë me Valzën kanë dalë nga shtëpia jonë dhe janë larguar me makinën e Elsinës, duke shkuar tek lokal “Venue”. Por deri sot në mëngjes, kur erdhi Valza në shtëpinë tonë dhe na njoftoi për Elsinën, ne nuk dimë asgjë.
Pyetje: Keni gjë tjetër për të thënë?
Përgjigje: Jo nuk kam gjë tjetër për të shtuar.