Sotir Nini, talenti që çmendi Romën
Fitorja 3-2 që Panathinaikosi arriti në stadiumin “Olimpiko” të Romës shënon një prej rezultateve më të mira në historinë e klubit. Grekët u kualifikuan në 1/8-at e Europa League me rezultatin e përgjithshëm 6-4 dhe shumë prej lojtarëve u cilësuan heronj. Megjithatë, lëvdata të veçanta ka pasur për njërin prej tyre: Sotir Ninin. Mesfushori me tipare sulmuese i lindur në Shqipëri, por me pasaportë helene, ka qenë ylli i mbrëmjes. Praktikisht ai ka mposhtur i vetëm në 6 minuta verdhekuqtë e Ranierit. Në të 40-ën fitoi penalltinë e shndërruar në gol nga Xhibril Cise, në të 43-ën shënoi nga distanca pas një gabimi të Kasetit, ndërsa në të 46-ën i rrëmbeu topin çerkit dhe jep asistin e golit të tretë për Cise. Kaq ka mjaftuar që ky i fundit ta cilësojë Ninin si “e ardhmja e futbollit grek”, ndërsa vetë 19-vjeçari deklaroi: “Ishte një ndeshje e veçantë dhe jam i lumtur që shpalosa vlerat e mia”. Ndërkohë, sulmuesi malazez i Romës, Mirko Vuçiniç, zbuloi se për pak sa nuk e rrahu Ninin në tunel. “M’u afrua për të më dhënë dorën, por nuk pranova dhe ai më shau. Pas kësaj u mundova ta gjeja për ta rrahur”, pohoi ai.
#