Sfida Obama-Mekein
Të martën, më 4 nëntor, amerikanët do të zgjedhin presidentin e ri, demokratin Barack Obama apo republikanin Xhon Mekein? Dy vëzhgues veteranë të politikës së jashtme amerikane biseduan me radion “Evropa e Lirë” me qendër në Pragë, për të shpalosur idetë se çfarë mund të pritet nga Uashingtoni kur njëri nga kandidatët do të fitojë garën presidenciale për t’u ulur në fron më 20 janar 2009. Republikan Xhon Mekein thotë se nuk do t’i tërheqë forcat amerikane nga Iraku, derisa të jetë i sigurt në fitore, pavarësisht se kur kjo mund të ndodhë. Kurse demokrati Barak Obama thotë se, nëse kushtet e lejojnë, ai do të fillonte t’i tërheqë forcat luftarake 16 muaj pasi të bëhet president, dhe t’i dërgojë ato në Afganistan. Por analistët kanë mendime të ndryshme nëse cilado nga këto strategji është e mjaftueshme për këto konflikte. Majkëll Rabin, ekspert i politikës së jashtme në institutin amerikan “Enterprise” në Uashington, i tha radios se mënyra e vetme për të trajtuar Irakun dhe Afganistanin është ndërmarrja e një hapi shumë më të vështirë politik. Kjo, sipas tij, është rritja e mëtejme e ushtrisë amerikane në mandatin e ardhshëm presidencial. “Pyetja kryesore është: Cila është madhësia e duhur e ushtrisë amerikane që do t’i trajtonte të dy problemet? Kjo është diçka që mund të gjendet në tavolinën e presidentit Obama apo presidentit Mekein”, thotë Rabin. Ai thotë se arsyeja përse nevojitet shtimi i trupave amerikane, është se partnerët e NATO-s janë treguar shumë të ngadalshëm në dërgimin e më shumë trupave luftuese në Afganistanin Jugor. Por analisti tjetër, Alen Liçmen, thotë se ka pak gjasa për rritjen e ushtrisë amerikane. Liçmen, profesor i Historisë Politike Amerikane në Universitetin Amerikan në Uashington, i tha radios “Evropa e Lirë” se madje, edhe në qoftë se ekonomia amerikane do të shkojë mirë, gjë që nuk po ndodh, do të ishte shumë e vështirë për Shtetet e Bashkuara që t’i rrisin forcat e tyre. “Të dy kandidatët do të donin t’i shmangin prioritetet drejt Afganistanit. Pak është e paqartë se ku do t’i gjejë Mekein trupat që ta rrisë praninë ushtarake në Afganistan. Duket se të dy janë të përkushtuar për më shumë trupa, por kjo nuk do të ndodhë shpejt. Dikush mund të pyesë: Si do ta shtoni ushtrinë dhe t’i mbani premtimet për t’i ulur taksat”, thotë Liçmen. Çështje tjetër është Irani. A do të jetë administrata e ardhshme më konfrontuese, apo më e gatshme për të biseduar me Teheranin? Rabin pret më shumë diplomaci. “Ronald Reagan njëherë ka thënë: ‘Beso, por verifiko”. Që të dy, Obama dhe Mekein, do të provonin diplomacinë. Senatori Mekein me siguri do të vinte më shumë theks tek verifikimi. Senatori Obama me siguri më shumë do të nënvizonte besimin. Por këtu shtrohet pyetja: Çfarë do të bëjnë iranianët?” - thotë Rabin. Po çfarë do të bëhet me Rusinë? Liçmen e sheh senatorin Mekein si një ndër të fundit nga luftëtarët e Luftë së Ftohtë. “Nëse besoni në botën bardhë e zi, në të mirën dhe të ligën, atëherë Mekein është kandidati që do të preferonit, sepse mendoj se kjo është mënyra me të cilën ai e sheh botën, në dallim nga Obama, i cili sheh edhe gri. Nuk mund ta imagjinoni Obamën të thotë: “Pashë në sytë e Putinit KGB-në. Obama është më i qetë, më i nuancuar se Mekein. Këto janë dy pikëpamje shumë të ndryshme të botës së sotme dhe këta kandidatë nëse zgjidhen, do të veprojnë në këtë mënyrë”, thotë Liçmen. Rabin ndërkaq, thotë se reagimi i Mekeinit dhe Obamës ndaj invazionit të Rusisë në Gjeorgji është indikator i qasjeve të ndryshme që ata kanë. Asokohe Melein e quajti Rusinë agresore, ndërsa Obama u bëri thirrje të dyja palëve që të shfaqin vetëpërmbajtje. Megjithatë, dy analistët janë dakord se ajo që kandidatët thonë në fushatë, mund të mos jetë njëlloj me veprimin që do ta bënin si president. Ata kujtojnë fjalët agresive të Klintonit për ndaljen e dhunës në Bosnje gjatë fushatës në vitin 1992, i cili nuk intervenoi në Ballkan deri në vitin 1999. Nga ana tjetër, në vitin 2000 Bushi tha se do të kishte një politikë të jashtme “të përulur”, por që doli krejtësisht ndryshe nga veprimet e fuqishme pas 11 shtatorit, 2001.
“Evropa e Lirë”