E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika sporadike

Nënkryetari i PDR-së i sheh kundërshtimet dhe kritikat e disa figurave të PD-së si pjesë normale të procesit të shkrirjes. Sipas tij, bazat e të dy partive, ashtu sikurse Partitë Popullore Evropiane, kanë dhënë mbështetjen maksimale për këtë vendim

Në një moment kur marrëveshja për shkrirjen e Partisë Demokrate Reformatore në Partinë Demokratike ka ngjallur reagimin kritik të disa figurave, si Preç Zogaj, Bujar Leskaj apo Jemin Gjana, nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, e sheh këtë si një gjë normale. Madje ai thotë se mendime të tilla për këtë proces ka pasur edhe në radhët e Partisë Demokrate Reformatore, megjithatë shumica e të dy kampeve ka qenë dakord me shkrirjen e këtij subjekti politik. “Mendime ndryshe mund të ketë, dhe unë nuk kam asnjë kundërshtim. Mendime të tilla ka pasur edhe në PDR. Megjithatë, bëhet fjalë për raste të veçanta. Në tërësi shumica është dakord dhe aq më tepër që ju e dëgjuat sesi foli zoti Berisha, që është kryetar i partisë dhe që flet në emër të partisë”, thotë Shehu për “Korrierin”. Sipas tij, elementi më i rëndësishëm është bashkimi politik që ka mbështetjen e bazave të partive, si dhe mbështetjen e Partive Popullore Evropiane. Ndërkohë, Shehu thotë gjithashtu, që me nënshkrimin e marrëveshjes edhe grupi parlamentar është shkrirë, ashtu si të gjitha strukturat e tjera. Megjithatë, kalimi i dy deputetëve reformatorë, Tritan Shehu dhe Genc Pollo në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, mund të zyrtarizohet në muajt e ardhshëm, pasi të ketë përfunduar procesi i shkrirjes. Ndërkohë, Shehu nuk jep asnjë koment të mëtejshëm se ku konsiston marrëveshja me Partinë Demokratike dhe nëse PDR-ja përfiton vende të sigurta në kryesinë e PD-së dhe në Këshillin Kombëtar të saj. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar mes Berishës dhe Pollos është pikërisht ajo që i është shpërndarë medias pak ditë më parë. Ndërkohë, Shehu shpjegon se të gjithë anëtarët reformatorë kanë të drejtë që ka kandidojnë për poste nëpër degët e PD-së gjatë këtij procesi zgjedhor. Ndërsa për sa i përket mbështetjes që ata mund të gjejnë në familjet e PD-së, Shehu thotë se kjo varet nga individët. “Do të shikohet hap pas hapi. Prandaj është krijuar një komision i përbashkët për të parë këtë çështje”, thotë Shehu. Po ashtu, ai nuk komenton as për kandidimin e mundshëm të kryetarit Genc Pollo për postin e nënkryetarit të PD-së, duke thënë se “nuk mund të bëj të tilla parashikime dhe janë gjëra që unë nuk i ka menduar”.

Marrëveshja

Marrëveshja për shkrirjen e PDR-së në PD që mban datën 27 tetor, u zyrtarizua në datën 29 tetor nga vetë kryetarët e partive, Sali Berisha dhe Genc Pollo. Gjatë ceremonisë së rastit, dy krerët e partive thanë se ky vendi ishte mirëpritur nga të gjitha palët, edhe pse më parë kishte pasur reagime kundërshtuese të disa figurave të PD-së. Megjithatë, pavarësisht 2-3 zërave kritikues, gjithçka duket se ka marrë tashmë rrugën zyrtare dhe procesi i shkrirjes do të vijojë në sinkron me procesin zgjedhor të drejtuesve të strukturave të PD-së. Megjithatë, surprizat pritet që të vijnë në momentin kur zgjedhjet në PD do të zhvillohen në Tiranë për drejtuesit e strukturave qendrore të PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›