Hetim për monopol në tregun e karburanteve
Çmimet e njëjtë të karburanteve në treg, si dhe zërat e bizneseve prodhuese apo të disa grosistëve për çmime të vendosura me shoqatë, kanë bërë që Autoriteti i Konkurrencës të nisë hetimet në këtë treg, i cili përllogaritet në qindra miliona euro. Por ndërkohë, duket se hetimet po pengohen nga të tjerë institucione shtetërore, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila përsëri censuron dhënien e informacionit, informacion ky që është detyrim ligjor, si dhe mosbashkëpunim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Lindita Milo, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, thotë se “kemi nisur në pranverë një hetim për tregun e karburanteve, duke qenë se ky është një treg mjaft i ndjeshëm për konsumatorët. Por për të ecur përpara, duhet të vazhdojmë më shumë bashkëpunimin me doganat dhe tatimet”. Ndërkohë, Milo nuk jep shumë detaje mbi hetimin, pasi ai është në proces. Ajo shprehet se në fund të këtij viti pritet një rezultat konkret.
Problemet me doganat
I pyetur në lidhje me shqetësimin që ngre Autoriteti i Konkurrencës, drejtori i Doganave, Përparim Dervishi, nuk jep asnjë prononcim, çka lë të kuptohet se ai e pranon në heshtje shkeljen ligjore që bën në lidhje me censurën e informacionit tregtar. Duket se bashkëpunimi i doganave për një hetim që lidhet me xhepat e konsumatorëve mungon, ashtu sikurse ka munguar edhe në mjaft raste të tjera lidhur me institucione të ndryshme. Në fakt, këtu bëhet fjalë për një mall importi, ku zanafilla e informacionit sasior dhe monetar jepet pikërisht në doganat përkatëse, ku edhe zhdoganohet malli. Censura e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vijon tashmë edhe nga histori të tjera të së kaluarës, ku si rast më të fundit duhet të përmendim atë të ACIT-it. Drejtori i këtij institucioni, Selim Belortaja, akuzoi Përparim Dervishin për censurë politike të informacionit.
Çmimet e naftës vendosen me shoqatë
Nga vetë grosistët e naftës kanë dalë zëra se Shoqata e Hidrokarbureve shërben edhe si kupolë për mbajtjen e çmimeve të naftës dhe benzinës të njëjta në treg, me qëllim ndarjen e tij në mënyrë të barabartë sipas përqindjes që disponon secila kompani. Në fakt, këtë e vërteton më së miri edhe fakti që në Shqipëri nuk ka variacion çmimi të karburanteve dhe ndryshime nga kompania në kompani. Eksperienca ka treguar se çmimet e shumicës janë të njëjta, ndërkohë që edhe ato të pakicës lëvizin në nivele fare të ulëta. Në kohën kur rriten çmimet e naftës në bursë, të gjitha kompanitë në vend e rrisin njëkohësisht këtë çmim edhe në tregun tonë, çka bie ndesh me deklaratat e tyre, se blerjet në tregjet e huaja bëhen në afate kohore të ndryshme dhe se kompanitë nuk varen nga njëra-tjetra mbi hartimin e çmimeve të reja në treg. Aktualisht, çmimi i naftës dhe i benzinës në vendin tonë është afro 15 për qind më i lartë mbi baza artificiale. Kjo përqindje ishte më e madhe pas uljes së fundit me 5 lekë për litër në tregun e pakicës që bënë grosistët.
TVSH-ja “online”, vetëdeklarohen 1 600 biznese
Numri i bizneseve private që kanë deklaruar në mënyrë elektronike TVSH-në gjatë këtij viti, ka arritur 1 600. Këtë fakt e bënë dje të ditur burime zyrtare nga Ministria e Financave. Ekspertë të financave publike theksojnë se deklarimi në mënyrë elektronike i taksës së TVSH-së i shërben përmirësimit të marrëdhënieve midis administratës tatimore dhe tatimpaguesve. Sipas tyre, kjo ndikon edhe në uljen e korrupsionit, reduktimin e kostove administrative të mbledhjes së tatimeve, si për tatimpaguesit, ashtu edhe për administratën tatimore. Deklarimi në mënyrë elektronike i taksës së TVSH-së për të gjithë subjektet private po zbatohet prej më shumë se një viti. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përfshi në Projektet e Marrëveshjen e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, që administrohet nga USAID-i.