Nga krushqia në gjakmarrje
SHKODËR - Nuk ishte e thënë që Bledar Dhampiri ta pinte kafen rehat-rehat, në një lokal në qendër të Shkodrës paraditen e djeshme, pasi për shkak të disa plumbave në drejtim të tij, për pak ai i la kockat në trotuar. Ngjarja ndodhi pak metra larg Bashkisë së Shkodrës, në rrugën e Piacës, rreth orës 10:00 të mëngjesit, teksa Izmir Shpuza, 24 vjeç, banues në fshatin Shtoj, i cili u ndalua më pas nga policia, tentoi të merrte hakun e xhaxhait të tij, Hysni Shpuzës, i vrarë më 6 shtator të këtij viti nga vëllai i Bledar Dhampirit. Mësohet se Izmiri është afruar dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Bledar Dhampirit, por ky i fundit u ka shpëtuar për mrekulli plumbave, duke ia mbathur me vrap. “Izmir Shpuza e ka ndjekur me vrap dhe e ka qëlluar dhe një herë rreth 50 metra më tej, ndërsa Dhampiri vraponte në trotuar”, thanë burime nga vendngjarja. Ndërkohë, në vendngjarje janë gjendur dy agjentë të kriminalistikës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, të cilët prangosën me shpejtësi autorin e ngjarjes. Konflikti mes dy familjeve fqinje ka nisur për një krushqi të refuzuar, për të cilën një person ka vdekur, një tjetër është plagosur e disa të tjerë janë arrestuar.
Historia e konfliktit
Ermal Dhampiri, i vëllai i Bledarit, është arrestuar pak kohë më parë, pasi akuzohet për vrasjen e Hysni Shpuzës, ngjarje e ndodhur më 6 shtator. Familja Dhampiri ngul këmbë se Ermali nuk ka lidhje me vrasjen, ndërsa policia ka shpallur në kërkim djalin tjetër të Shpuzëve, Besmirin, i cili është drejtpërdrejt i lidhur me ngjarjen që çoi deri në konfliktin për vrasje. Debatet mes dy familjeve, asaj Shpuza dhe Dhampiri, banuese në fshatin Shtoj, zënë fill në vitin 2006, për shkak të refuzimit të kërkesës për të dhënë për nuse vajzën 15-vjeçare të viktimës Hysni Shpuza, për Besmir Dhampirin. Familjet që jetonin vetëm pak metra larg njëra-tjetrës nisën kështu të bëhen pjesë e kronikave të policisë. Më 13 mars 2006, dy vëllezërit Dhampiri hynë në shtëpinë e Hysni Shpuzës për të rrëmbyer vajzën, të cilën njëri prej tyre e donte për nuse. Më 13 prill 2006, Hysni Dhampiri qëllohet në një lokal, por shpëton pa marrë plagë, duke kryer më pas edhe një denoncim për vëllezërit Dhampiri.
Më 10 korrik të 2006-ës plagoset vëllai i Hysni Shpuzës, Hamza Shpuza, ndërsa Hysniu vijon denoncimet në polici. Më 19 korrik 2006 situata acarohet akoma më shumë, teksa Besmir dhe Ermal Dhampiri arrijnë të largohen bashkë me vajzën e Shpuzëve në një fshat të largët të Postrribës. Policia rrethon zonën, merr vajzën, ndërsa dy vëllezërit shtien ndaj policisë. Brenda pak kohësh bien në pranga Ermali e më pas Bledar e Besmir Dhampiri. Pas hetimeve, gjykata vendos lënien të lirë të Bledar Dhampirit, dënimin me dy vjet e tre muaj të Ermal Dhampiri, si dhe katër vjet burg për Besmir Dhampirin. Në burg ndodhet aktualisht vetëm Besmiri, pasi Ermali e ka plotësuar kohën e dënimit. Më 6 shtator 2008 vritet në tregun e fruta-perimeve Hysni Shpuza.