E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshojnë për manipulim

Partitë e vogla kundërshtojnë reduktimin e numrit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore. Sipas tyre, kjo edhe mund të ndodhë, por detyrimisht do të duhet që komisionerët të jenë jopolitikë. Neritan Ceka i PAD-së dhe Paskal Milo i PDS-së i thanë dje “Korrierit”, se përfaqësimi i partive të mëdha dhe i disa partive të tjera jep mundësi për manipulimin e zgjedhjeve. “Synimi për të kufizuar numrin e përfaqësuesve të partive në komisione na duket i padrejtë dhe një synim i paragjykuar për të krijuar kushte për manipulim. Ne do të ishim dakord me reduktimin e numrit të përfaqësuesve nëse këto komisione do të kishin përbërje teknike dhe jopartiake, siç i ka shumica e vendeve të botës. Fakti që refuzohet, që komisionet të kenë përbërje teknike në vetvete, të zgjon dyshimin për synimet për të kontrolluar zgjedhjet, veçanërisht numërimin e votave”, - u shpreh kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Ky i fundit ashtu sikundër edhe presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, ndonëse shprehin pakënaqësi e dyshime për reduktimin e numrit të komisionerëve, që sërish do të jenë përfaqësues të partive politike, as që e çojnë në mend mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve. Më tej, nënkryetari i ri i Kuvendit forcon idenë e domosdoshmërisë së komisionerëve jopolitikë. Madje ai rendit edhe kategoritë e mundshme që mund të përfshihen në komisione. “Mendoj se duhet të heqim dorë nga komisionet partiake, siç është shprehur edhe kryetarja e Kuvendit. Duhet të ketë pjesëtarë eksofico, një kategori e caktuar: bankat, mësuesit e matematikës, duke përfshirë edhe studentët e juridikut”, - tha Ceka. Sipas presidentit të PAD-së, nuk është logjike mundësia e numërimit të votave të popullit nga vetë përfaqësuesit e partive. Ai mendon se kjo përbërje do të jepte mundësi për abuzim. “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nga një anë ndalon skafet, nga ana tjetër e lë votimin në duart e xhambazit. Përfaqësuesit e partive janë të pabesueshëm, sepse janë në konflikt interesi. Populli voton për partitë e partitë numërojnë votat. Është si njerëzit të depozitojnë në bankë e të numërojnë po vetë. Normalisht do të numërojë më shumë”, - deklaroi ai. Por sipas burimeve nga komisioni i posaçëm për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, reduktimi i numrit është në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Ceka nuk e pranoi këtë fakt, ndërsa tha: “Numërim i votave në dorë të partive do të jetë një turp edhe për komunitetin evropian që po e shikon këtë proces me symbyllur”. Përbërja e komisioneve zgjedhore, por edhe e KQZ-së do të jetë pjesë e diskutimeve që do të vijojnë në komisionin për hartimin e Kodit të ri. Sipas burimeve pranë këtij komisioni, në paketën e re që do të propozohet, është gjetur një formulë e re që redukton numrin e anëtarëve. Nga 15-të që ishte në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurtit 2007, komisionet do të përbëhen nga vetëm 7 anëtarë. Përfaqësues do të kenë dy partitë e mëdha, partitë e dyta të pozitës e opozitës e ndonjë parti tjetër me peshë elektorale. Reduktim do të ketë edhe numri i anëtarëve të KQZ-së, ku nga 9 që ka aktualisht, shkon në 7 anëtarë. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›