E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, në familjen Xhuvani: Humbëm thesarin e vyer



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje familjen e Dhimitër Xhuvanit, shkrimtarit, skenaristit, regjisorit, artistit të madh, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Pasi u shprehu të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të shtrenjtë, Presidenti i Republikës vlerësoi lart krijimtarinë dhe veprën e Dhimitër Xhuvanit si një thesar i vyer i traditës dhe kulturës sonë kombëtare. “Me punën dhe përkushtimin e tij, ai u kthye në një model të pastër të krijuesit dhe artistit me ndjenja, vlera e virtyte të çmuara njerëzore dhe të një profesionisti virtuoz me një personalitet të spikatur e karakter mbresëlënës”, - vuri në dukje kryetari i shtetit. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin e z. Xhuvani në edukimin dhe formimin e brezave më të rinj të artistëve, regjisorëve e skenaristëve në kinematografinë shqiptare, Presidenti Topi nënvizoi se kujtimi i tij do të mbetet përgjithnjë i pashlyeshëm në memorien e artdashësit shqiptar përmes librave dhe filmave, personazheve të spikatura, skenave të gjalla e plot dinamizëm të skalitura thellë ndër vite në mendjen e adhuruesve të kinemasë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›