E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida e Ramës dhe zgjedhjet e Berishës

Nga Mustafa Nano

Po veçoj nga zgjedhjet lokale dy gjëra, për të cilat të gjithë njerëzit me një common sense mund të bien në një mendje. E para: Kandidati më i dobët që Edi Rama ka zgjedhur për ta futur në garat për kreun e bashkive të mëdha të vendit është Edi Rama. Gjithë të tjerët kanë fituar lehtësisht dhe qartë. Ndërsa Edi Rama mund të fitojë me një grusht votash më shumë, ose në rastin më dramatik për të mund ta humbasë këtë garë. Nuk është se do ta marrim vesh sot këtë gjë, pasi janë të gjitha gjasat që, për shkak të faktit që fletët e pavlefshme janë nja 500 herë më të mëdha se sa diferenca e rezultatit, të ketë ankimim nga pala humbëse. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. Edhe në fitoftë, Rama mbetet kandidati më i dobët që partia socialiste ka prezantuar në zonën urbane të Shqipërisë. Dhe në këtë pikë na shfaqet një paradoks i fortë: ai që dominoi qytetet e Shqipërisë si leader nacional, humbi betejën si leader lokal në atë qytet, të cilin ai vetë e ka dominuar gjithë kohën.

E di, që ka njerëz që do më thonë se Edi Rama nuk duhet fajësuar, se pushteti përqëndroi gjithë resurset e ligjshme e të paligjshme në Tiranë, se në favor të Lulzim Bashës u mobilizua një pjesë e mirë e establishmentit financiar e mediatik, se intelligentsia pro-regjimit nuk ka qënë kurrë më aktive se sa kaq (vetëm në kohët e Enver Hoxhës mund të kemi pasur një intelligentsia më të zellshme për ti shërbyer nomenklaturës sunduese), se Rama kish për detyrë të fokusohej edhe në pjesën tjetër të vendit, se ai po kandidonte për herë të katërt, etj, etj, por të gjitha këto nuk janë arsye që e justifikojnë; përkundrazi, janë arsye që do duhej ta bënin atë të mos kandidonte. Dhe kështu, do tu kish kursyer të vetëve mundimin e pritjes së një palo rezultati (Sa kanë vuajtur socialistët këto ditë! Por duhet të ngushëllohen nga fakti se edhe demokratët nuk kanë vuajtur më pak), e përveç kësaj do ti kish ikur një poshtërimi si ky. Ky është mirëfilltazi një poshtërim që po i bëhet; madje, nuk di pse mendoj, që fitorja me brekë nëpër këmbë përballë një thjeshtre si Lulzim Basha e poshtëron më shumë se sa humbja; kjo e fundit do ta shpëtonte njëherë e mire prej grackës së asaj godinës ngjitur me kullën e sahatit dhe me xhaminë; por nuk dihet nëse ai e di këtë gjë. Mirëpo puna është, se një humbje e tij në këtë garë do ta çbënte pa një, pa dy, suksesin e bujshëm të opozitës në qytetet e tjera të mëdha të vendit; vetëm të marrët do kishin gojë të flisnin për fitore të opozitës në këto rrethana.

Ka dhe një gjë të dytë që duhet veçuar. Berisha i prishi sërish këto zgjedhje. Nuk kish asnjë arsye ta bënte këtë gjë, pasi ai është i pari që humbet në këtë mes. Por ai e bëri, prapëseprapë. Ku e kam fjalën? E kam fjalën tek procesi i numërimit, të cilin Berisha e shndërroi nga një proces teknik në një garë të dytë pas garës së parë. Ai vonoi e zvarriti qëllimisht numërimin e votave të njësisë bashkiake nr.5, dhe kjo gjë i detyroi socialistët ti përgjigjeshin me bllokime të numërimit të votave në njësi të tjera bashkiake. Kjo pra është loja e ndyrë që është bërë.

Por nuk ishte kjo zvarritje në vetvete që i prishi zgjedhjet. Zvarritja solli me vete panikun e njerëzve, përfshirjen e politikës (politikanë që jepnin konferenca për shtypin, deputetë që dyndeshin në dyert e KZAZ-ve, zëdhënëse që bënin deklarata), përfshirjen e policisë (kush ka pasur rrugën dje nga shkolla Vasil Shanto nuk mund të mos ketë parë që një grup i stërmadh policësh kish bllokuar derën e shkollës dhe që një grup i madh njerëzish prisnin gjithë ankth në trotuarin përballë), kalimin në një plan të dytë apo të tretë të institucionit të KQZ-së, protagonizmin e ambasadorëve (ishte providenciale prania e ambasadorëve në zonat e numërimit të votave për njësitë 5 e 9; por prandaj ishte dhe e turpshme për të gjithë ne), konfrontimin mes numëruesve, presionin mbi grupet e numërimit (shkallët e palestrës së shkollës ishin mbushur plot me njerëz, dhe askush nuk merrte guximin ti zbrazte ato shkallë e të nxirrte jashtë të gjithë ata që skishin pse rrinin aty), etj.

Në këto rrethana e kanë kot ata komentatorë që nuk mendohen shumë përpara se të thonë plot fjalë të mira për këto zgjedhje. Bazohen tek dita e qetë e votimit dhe tek fakti që çdo votë është numëruar për atë që ka qënë. Por çvlerë kanë këto dy arritje (e dyta ka ardhur mbi të gjitha si pasojë e presionit dhe e vigjilencës së një opozite agresive), përsa kohë që zgjedhjet marrin formën e një makthi nacional? Asnjë vlerë nuk kanë. Përkundrazi. Por ske çi bën kësaj pune. Këto janë zgjedhje që bëhen në Shqipërinë e Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›