Konfigurohet këshilli bashkiak, 30 këshilltarë AQ, 15 këshilltarë AA
SHKODËR- Lorenc Luka i PD-së dhe ‘Aleancës për Qytetarin’ është shpallur kryetar i bashkisë më të madhe të veriut të vendit, pas përfundimit të numërimit të 95 kutive të KZAZ 40 për Bashkinë Shkodër. Në orën 01.50 të së enjtes, komisioni i KZAZ NR 40, me unanimitet ka shpallur Lukën fitues të procesit zgjedhor për kreun e Bashkisë Shkodër për mandatin 2011- 2015, me 20 798 vota kundrejt Genc Uruçit të PS-së dhe ‘Aleancës për të Ardhmen’, që ka marrë 11 227 vota. Fitorja e Lukës me një diferencë prej 9 571 votash është më e thella në bashkinë e këtij qyteti. Lorenc Luka është i pari kandidat që konkurron për kreun e Bashkisë së Shkodrës në dy mandate, dhe në të dy është fitues. Pas shpalljes zyrtare të rezultatit, në orët e para të së enjtes, Luka ka falënderuar qytetarët e Shkodrës për një fushatë e proces zgjedhor të realizuar me standardet më të larta, pa asnjë incident apo problem, ashtu si dhe numërimi i votave. Ai ka deklaruar se ky mandate i dytë, dhe një votëbesim dy herë më i madh që i japin qytetarët e Shkodrës, e obligon më shumë. “Nuk ka të humbur. Të gjithë janë të fituar dhe të gjithë të punojmë së bashku për një Shkodër edhe më të bukur. Falënderimi i veçantë shkon për qytetarët shkodranë, që me kulturë e dinjitet zhvilluan një proces zgjedhor me standarde e kualitet shumë të lartë, duke rrezatuar qytetari e kulturë”. Pas shpalljes së fitores, në pallatin e sportit ku ishte vendosur KZAZ 40, ka pasur festime mes militantëve të PD-së, që kanë ndjekur procesin e numërimit të votave deri në deklarimin zyrtar të fituesit, që kanë lëshuar fishekzjarrë dhe më pas me automjete e flamuj të PD-së kanë festuar në rrugët e qytetit dhe pse mesnatë. Këshilli bashkiak i Shkodrës, që ka 45 vende, sipas të dhënave paraprake ka një ndarje prej 30 vendesh për “Aleancën për të qytetarin”, ku PD do ketë 16 këshilltarë, më pas vjen PR, LSI etj., ndërsa Aleanca për të Ardhmen do ketë 13 anëtarë dhe 2 do jenë të partisë Mendimi i Djathtë Liberal dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Veçoritë
Ndërsa qyteti i Shkodrës e ka rikonfirmuar veten bindshëm si bastion i PD-së, kjo nuk ka ndodhur në zonën e Nënshkodrës, ku pas numërimit të votave në KZAZ 41, harta e kësaj komune ka ndryshuar ngjyrë. Për herë të parë në këta 20 vite PD ka humbur komunën e Berdicës, ku kandidati i PS, Besnik Brahimi, ka marrë 1 273 vota, kundrejt kandidatit të pavarur, por të mbështetur nga dega e PD në Shkodër, Besnik Tahiri, që ka marrë 849 vota dhe kandidatit zyrtar të Aleancës për Qytetarin, Qamil Xhurreta, të PR, që ka marrë 844 vota. Ndarja e votave mes dy kandidatëve të djathtë, që u shoqërua dhe me një fushatë elektorale me deklarata të ashpra nga PD e Shkodrës dhe Xhurreta, ka ndikuar në marrjen e komunës bastion i PD-së nga PS-ja. Kjo është e dyta komunë bastion i PD që në këto zgjedhje merret nga PS, pas asaj të Gurit të Zi. Por këto dy komuna të Nënshkodrës nuk janë të vetmet që ndryshojnë ngjyrë partie nga blu në rozë, pasi dhe Velipoja është duke u fituar nga PS, ku kandidati i saj Pashko Ujka ka një shkëputje të ndjeshme nga kandidati i PD-së, Nikollë Marku. Në KZAZ 42 janë numëruar votat e komunave Pult, Shalë, Temal, Hajmel e Vig Mnelë, ku nuk ka asnjë ndryshim në drejtimin e tyre, ku Temali e Pulti do vazhdojnë të drejtohen nga PS, ashtu siç ndodh prej 3 mandatesh të mëparshme, ndërsa Hajmeli, Shala, Shoshi e Vig Mnela do drejtoren sërish nga PD dhe krerët aktualë të këtyre komunave. Në KZAZ 44 në Malësi të Madhe ka përfunduar numërimi it ë gjitha njësive të qeverisjes vendore të këtij rrethi, ku e fundit ishte komuna Qendër e fituar nga PD dhe kandidati i saj Isa Rama.