Ceremonia tek “Varrezat e Dëshmorëve”, Topi shmang Berishën dhe Topallin
Ndërsa të hënën në mbrëmje, në pritjen shtetërore në Pallatin e Brigadave nuk do të jetë i pranishëm kryetari i opozitës, Edi Rama. Ai do ta festojë Ditën e Pavarësisë në Prishtinë
TIRANË Ndryshe nga një vit më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk do t’i bashkohet kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në ceremoninë zyrtare të vendosjes së kurorave me lule në Varrezat e Dëshmorëve, më 28 Nëntor. Në mungesë të tij, kreu i shtetit pritet të dërgojë përfaqësues të Presidencës. Vetë Presidenti i Republikës do të ndodhet paraditen e së hënës në ceremoninë që do të zhvillohet në Vlorë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Që prej vitit 2005, me vendim të qeverisë, (por jo me ligj) ceremoniali shtetëror ka bashkuar bashkë aktivitetet përkujtimore të dy festave zyrtare të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Atdheut. Me ardhjen e të djathtëve në pushtet, shteti organizon çdo datë 28 Nëntor të çdo viti ceremoni në nderim të dëshmorëve të kombit dhe një pritje shtetërore, që mbahet në Pallatin e Brigadave. Në bazë të protokollit, në nderim të dëshmorëve të kombit, Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministri i Mbrojtjes, prefekti, kryetari i Bashkisë, kryetari i Këshillit të Qarkut, duhet të vendosin kurora në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, në orën 10:00 të paradites, një ceremoni kjo që kësaj here do të ketë vetëm një mungesë, atë të Presidentit të Republikës, i cili gjithsesi, për të respektuar ceremonialin shtetëror pritet që të dërgojë për homazhe në emër të tij përfaqësues të Presidencës.
Pritja shtetërore
Politika do të jetë e ndarë edhe në pritjen shtetërore që do të organizohet po ditën e hënë në mbrëmje në Pallatin e Brigadave për të kujtuar Ditën e Pavarësisë. Në morinë e 800 të ftuarve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të presë në mbrëmje kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa nuk do të jetë i pranishëm kryetari i opozitës, Edi Rama. Ky i fundit ndodhet sot në Prishtinë, ku në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të promovojë librin e tij të fundit, “Kurbani”. Kjo është dita e parë e vizitës së tij në Kosovë, pasi të hënën po në Prishtinë Rama do të festojë edhe Ditën e Pavarësisë.
Opozita
Si në çdo 29 Nëntor, Partia Socialiste pritet të zhvillojë homazhet e saj në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e Ditës së Çlirimit. Ndryshe nga një vit më parë, ku ceremonia u organizua nga protokolli i Bashkisë së Tiranës, (pasi Rama ishte edhe kryebashkiak) kësaj here vendosja e kurorave me lule do të jetë krejt e thjeshtë, pa bandën frymore dhe policinë bashkiake. Në një tjetër orar, në të njëjtën ditë, për të vendosur kurora me lule do të jetë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili edhe pse në koalicion me qeverinë, njeh si ditë të Çlirimit 29 Nëntorin.
N.Perndoj