E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e të mbeturit familje normale

“Së pari duhet të lësh duhanin, dhe së dyti duhet t’i rezervosh gjithmonë një hapësirë familjes”. Këto janë dy kushtet që Michelle Obama i vuri bashkëshortit kur ai kandidoi për Shtëpinë e Bardhë. “Vogëlush” - vazhdoi ajo - “ne mund të të mbështesim deri në 80%”.

Faqja tjetër revolucionare e presidentit të 44-t të Amerikës është pikërisht familja e tij normale; ai aspekt i jetës private që as kolltuku më prestigjoz në botë nuk e ka cenuar. Rrallë është dëgjuar një zonjë e parë që emërton burrin e vet “vogëlush”, por është një provë e mëtejshme që ndryshimi kalon medoemos nga pohimi i vetvetes dhe mbrojtja xheloze e boshtit familjar.

Michelle, (quajtur ndryshe nga Barack, “The Boss”), avokate e sukseshme me master në Harward, deri dje, kishte një rrogë më të lartë se Barack-u; ajo është mama e rreptë dhe grua që, kështjellën e tanishme, i është dashur ta ndërtojë nga themelet.

Çifti Obama është prindi i dy vajzave. (e vogla Sasha, 7 vjeçe, është banuesja më e vogël e Shtëpisë së Bardhë nga koha e J. F. Kennedy Jr., në 1963-shin). Jeta e tyre është gjithmonë nën vëzhgimin e sertë të prindërve. Zgjimi bëhet herët në mëngjes për të rregulluar krevatin, për t’u veshur dhe për të sistemuar dhomën. Më vonë futen te krevati i prindërve, për pak minuta përkëdhelje, para se të fillojë dita: është riti që mama Michelle, ka premtuar të mos ta ndërpresë kur të shkojnë te banesa e re.

Riti tjetër që nuk duhet të ndërpritet është ai i darkës: pas ngrënies dhe gjysmë ore kukullash, në tetë e gjysmë mami i shoqëron në krevat dhe, pak më vonë, babi shkon me ndonjë libër në dorë. Para pak javësh Barack-u ka mbaruar së u lexuari të gjitha aventurat e Harry Potterit, dhe tani nuk dihet akoma cili është personazhi tjetër, protagonisti i mbrëmjeve.

Mesazhi numër një që Barack dhe Michelle Obama synojnë t'u përcjellin vajzave, përmblidhet në një frazë: “Këmbë në tokë”. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, duke patur parasysh që të dy kanë njohur varfërinë, dhe e dinë fare mirë çfarë ka tej vitrinave që reflektojnë luksin. Natasha dhe Malia duhet të shikojnë pak televizor dhe “paga” javore nuk mund të jetë më e lartë se 1 dollarëshe (gjithmonë i dhënë nga babi).

Problemi më urgjent është ruajtja e një modeli jetese të mesëm, i bazuar në vlera të shëndosha, dhe, për këtë, Michelle po kërkon t’i mbushë mendjen mamasë së vet, Marianës, të shkojë të jetojë me ta në Uashington. I vetmi shpërblim për vajzat do jetë një këlysh që do zgjedhin në një stelë qeni, midis kafshëve të braktisura, si falenderim për durimin e tyre në këto muaj fushate, kur Barack-u ishte për 98% të kohës jashtë (llogari të “The Boss”-it).

Për katër vitet e ardhshme adresa e “1600 Pennsylvania avenue” (Shtëpia e Bardhë), do të banohet nga një çift me ngjyrë, dy goca, një gjyshe dhe një këlysh. Jo më nga një dinasti nafte (dera Bush), por asgjë më pak dhe asgjë më shumë nga një familje normale amerikane, ku të gjithë mund të gjejnë pak nga vetja.

Ndoshta edhe kjo është pjesë e revolucionit.

*Për më tepër mbi këtë temë lexoni “SH2”-shin dhe “Shekulli”-n on-line www.shekulli.com.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›