E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Qeveria do të rrisë TVSH-në për qytetarët

Nënkryetari i komisionit të ekonomisë hedh poshtë pretendimet e Bodes për rritje ekonomike në vitin 2009

TIRANË- Shifrat e publikuara nga qeveria në lidhje me pritshmëritë ekonomike për vitin 2009, janë lexuar ndryshe në selinë rozë. “Ky buxhet absurd bën që të ardhurat të rriten me 0 %, por shqiptarët do të paguajnë sërish më shumë TVSH, nga 9.7 lekë për çdo 100 lekë për prodhim të përgjithshëm”, - ka deklaruar zv/kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe. Sipas tij, në buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm, qeveria duhet të marrë në konsideratë një sërë faktorësh, të cilët ndikojnë në mënyrë direkte, apo indirekte në ekonominë shqiptare. Si pasojë e krizës globale pritet qe të ketë një ulje të konsiderueshmë të të ardhurave të emigrantëve, nga të cilat varen në mënyrë direkte shumë familje shqiptare. Mundësia e uljes së kreditimit nga bankat, si pasojë e krizës, ulja e nivelit të eksporteve, shifra prej 5.3 % e defiçitit buxhetor, rritja ekonomike, ulja e nivelit të eksporteve dhe ligjet fiskale, janë shqetësimet qe ne gjykojmë se skema buxhetore për vitin 2009 duhet t’i nënshtrohet rishikimit nga qeveria, theksoi Braçe. “Ne kërkojmë garanci për zbatimin e këtij buxheti, që respekton çoroditjen totale, aq sa i ngjan një skeme piramidale”, - shtoi ai. Një ditë më parë, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ministri Bode kishte deklaruar se, buxheti i vitit 2009, ishte programuar duke marrë në konsideratë zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe të asaj në Shqipëri. Në këto ditë të nxehta të debatit për ekonominë, nuk ka kaluar pa u cekur edhe fakti nësë qeveria do ta zgjasë apo jo kontratën me FMN-në edhe për vitin e ardhshëm. Në lidhje me këtë, Kryeminitsri Berisha, ishte shprehur në një konferencë ekonomike se, FMN-ja e ka mbaruar kontratën e saj me qeverinë Shqiptare. Por krejt ndryshe mendojnë socialistët, të cilët e shohin si të domosdoshme praninë e saj në vendin tonë.”Ajo duhet të mbetet këtu si garanci për buxhetin e vitit 2009, gjithashtu nuk duhet të harrojmë se jemi para një viti elektoral dhe mbi të gjitha një viti me rënie ekonomike në të gjithë botën”, - u shpreh Braçe. Debati mbi projektbuxhetin e vitit 2009 pritet të vazhdojë në mbledhjen e radhës të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë ditën e hënë, ku pritet që socialistët të bëjnë edhe njëherë të ditur kundërshtitë e tyre në lidhje me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›