ISSH, dokumentet e reja që duhen për pensionet
Ndryshon procedura e përfitimit të pensionit. Rregullat e reja për ata që mbushin moshën dhe emigrantët jashtë vendit
TIRANË- Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka vendosur ndryshimin e rregullave dhe procedurave, me anë të të cilave do të përfitojnë pension emigrantët shqiptarë që ndodhen jashtë vendit. Këshilli Administrativ i ISSH-së ka përcaktuar rregullat dhe procedurat e reja për caktimin, administrimin dhe pagesat e pensioneve, që duhet të ndjekin emigrantët shqiptarë në Greqi, Itali, Angli, SHBA, etj. Fillimisht, ata duhet të depozitojnë kërkesën një vit përpara se të mbushin moshën e pensionit dhe më pas të plotësojnë të gjitha dokumentet e nevojshme.
“Kjo kërkesë paraprake që bëhet nga një në 12 muaj, është e një rëndësie të veçantë dhe me efekte pozitive. Në këtë mënyrë ndihmohet edhe administrata e sigurimeve shoqërore, e cila fiton kohë për të caktuar pensionet. Por, nga ana tjetër, edhe për pretendentët për pension, të cilët e përfitojnë menjëherë pensionin e pas mbushjes së moshës”, - bëjnë të ditur burimet. Duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës, do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturave të ISSH-së për aplikim. “Këshilli Administrativ i ISSH-së e pa të nevojshme që të rishikonte rregulloren e parë që kishte lidhje me mbështetjen e pensioneve në bazë të Ligji Nr. 7703 datë 11.02.1993. Këto ndryshime kanë ardhur si rezultat i kohës dhe i evoluimit të shumë proceseve të ndryshme që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe”, - shprehet kreu i drejtorisë së përfitimeve, Agron Ahmetaj. Ai shpjegon se këto ndryshime janë kryer si rezultat i lëvizjeve demografike të njerëzve dhe saktësimit të dokumenteve të individëve të veçantë për punën që kanë bërë. Një tjetër faktor që ka ndikuar në ndryshimin e procedurave është edhe fakti që një pjesë e dokumentacionit është dëmtuar gjatë vitit 1997. “Tashmë afati ka kaluar deri në një vit, pasi më parë ka qenë pesë muaj. Qëllim i këtij ndryshimi është që të eliminohen mosmarrëveshjet”, - thotë Agron Ahmetaj. Sipas tij, nëse një qytetari i lind e drejta për pension në nëntor të 2009-s, ai duhet të bëjë kërkesën që në nëntor të 2008-s. “Pozitiv është fakti se ne do të vendosim njerëz apostafat në të gjitha agjencitë, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në momentin dhe takimin e parë me qytetarin, atyre do t’u jepet një informacion i plotë për dokumentacion që duhet të paraqesin”, - thotë Ahmetaj. Ndërkohë që çdo aplikues duhet të kërkoj pajisjen me një mandat ku njoftohet data e tij e aplikimit. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake janë:
Fotokopje e librezës së punës ose, koha e punës ku ka punuar individi, dhe të gjithë kërkesat e tjera sipas kohës që ka punuar.
Certifikatë lindje me fotografi, dhe për kërkueset femra certifikatë martese
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
Librezë pune ose vërtetim arkivi
Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë drejtorisë rajonale të ISSH-së
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativa bujqësore për ish-anëtarët e tyre.
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë
Mediat amerikane krijojnë paralele mes falimentimit të firmave të mëdha dhe situatës kaotike të Shqipërisë në 1997-n
“Kriza ekonomike në SHBA si piramidat shqiptare”
CHICAGO- “E kemi dëgjuar këtë tingull ekonomik edhe më parë, në vitin 1997 në Shqipëri”. Kështu e komenton një prej reporterëve të “Chicago Tribune” rënien e ekonomisë amerikane. Ai ka gjetur si model më të përshtatshëm rastin në Shqipëri me firmat piramidale, për të komentuar situatën më të vështirë që po kalon SHBA-ja në historinë e saj të ekonomisë. Autori, Tom Hundley, i “Chicago Tribune” sjell në vëmendje vitin 1997 në Shqipëri, ku firmat piramidale mashtruan popullsinë, e cila humbi kursimet e saj të jetës. Ishte ky vit kur Shqipëria u fut në kaosin ekonomik. “Ndërsa ekonomia amerikane tkurret në Wall Street, ndoshta ka një mësim nga i cili duhet të zëmë mend, nga eksperienca në Shqipëri. E kam seriozisht”, - thekson Hundley. Sipas tij, lajmet e fundit në SHBA, të sjellin ndër mend katrahurën në Shqipëri, në vitin 1997, kur ekonomia vendase u përmbys, si pasojeë e skemave piramidale. Të paktën 800 000 shqiptarë i vendosën kursimet e tyre në një sërë skemash piramidale me premtimin se do të merrnin fitime të mëdha, tipike për këto lloj skemash, të cilat funksionojnë për një farë kohe, veçanërisht për ata që duhet të paguhen në fillim. “Në Shqipëri nuk ishin Lehman Brothers, apo AIG dhe WaMu. Ishte veçse një cigane fallxhore 32-vjeçare, e quajtur Sude, që arriti të marrë me shumë se 100 milion dollarë, përpara se t’i linte investitorët e tjerë me gisht në gojë. Por atje ishte dhe “Vefa Holding”, një lloj mafie delikate që premtonte trefishim përfitim në muaj për çdo shumë të futur në to. Por, që më pas falimentoi me gjithë çfarë kishte”, - thuhet në shkrimin e gazetës amerikane. “Chicago Tribune” nuk heziton të sjellë para syve edhe Shqipërinë e postfirmave piramidale. “Sot shqiptarët janë më të varfërit në Europë, papunësia aty është rritur deri ne 30%”, citohet në të.