E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Çmimi i naftës do të vazhdojë të jetë i lartë

Ministri shpjegon arsyet se përse ulja botërore e çmimit të karburanteve nuk mund të reflektohet në vendin tonë

TIRANË- Edhe pse çmimi i naftës ka rënë në mënyrë drastike në të gjithë botën, kjo nuk do të reflektohet në Shqipëri për një kohë të papërcaktuar. Kjo situatë e pashpjegueshme, është komentuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili çmimet e larta të shitjes së karburanteve në vend i ka justifikuar me pamundësitë ekonomike dhe infrastrukturore të importuesve të mëdhenj. Si arsye të mospasqyrimit në tregun tonë, të çmimeve në ulje të bursave ndërkombëtare, ai rendit: mungesat në infrastrukturën importuese, kapacitetet e ulëta depozituese të kompanive, koston e lartë të transportit dhe kapacitetet e pamjaftueshme ekonomike. Të gjitha këto, sipas ministrit bëjnë që kompanitë të mos kenë mundësi të importojnë sasi të mëdha karburantesh. “Në këto kushte, importuesit e mëdhenj janë të varur direkt nga luhatja e çmimeve në bursa”, - shtoi ai. Të njëjtat arsyetime si të Rulit, përdorin edhe importuesit me shumicë kur shtrohet pyetja se pse në Shqipëri, çmimet e bursave ndërkombëtare pasqyrohen menjëherë vetëm kur shënojnë rritje.

Që prej fundit të korrikut, kur në bursat ndërkombëtare çmimi i arit të zi, kapi majat me 120 dollarë për fuçi, çmimet kanë rënë deri në 62.5 dollarë për të njëjtën sasi. Ndërkohë që në tregun tonë të shitjes me pakicë kjo rënie me 100 %, është pasqyruar vetëm me 20-25 lekë për litër. Momentalisht, në pikat e shitjes me pakicë, nafta e cilësisë D2, shitet me 133-135 lekë për litër, ajo e standardit eurodizel me 136-140 lekë dhe benzina me 141-143 lekë. Kjo gjendje e keqfunksionimit të vazhdueshëm të tregut të karburanteve, kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, sipas Konfindustrias, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës. Për të kuptuar sesa keq funksionon tregu i karburanteve në Shqipëri, mjafton të përmendim se pikërisht ditën e reagimit të parë publik të Konfindustrisë, operatorët e karburanteve, në mënyrë të njëkohshme, ulën me rreth 5 lekë për litër çmimin e naftës. Nga studimi më i fundit bërë nga kjo zyrë, rezulton se shqiptarët e paguajnë naftën 14 deri 25 % më shumë se ç’mund të shitej realisht. “Pavarësisht çmimeve të kripura, konsumatorëve u ofrohet një produkt i cilësisë së dobët dhe jo në sasinë e duhur”, citojnë burimet.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e djeshme për shtyp, ministri Ruli mohoi ekzistencën e një sistemi kartel në tregun Shqiptar të karburanteve. Ai siguroi se shteti po ndjek politika të qarta antikarteliste. Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore, krahasuar me ato të importit, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive vendase. Gjithashtu, çmimet e larta ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore, në rritjen e kostos së transportit dhe në mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptarë. Në mungesë të një hallke për të kontrolluar çmimet e karburanteve pas privatizimit të ARMO-s, Konfindustria i kishte propozuar qeverisë shqiptare ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve. Enti i mësipërm do të duhet të monitoronte në vazhdimësi dhe të ndërhynte për të rregulluar pikërisht çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve.

----------------------------------------------------INSTAT-i kundërshton ministrin Bode

TIRANE- Instituti i Statistikave nuk mbështet deklaratën e një dite më parë të ministrit të Financave, Ridvan Bode, për një rritje ekonomike 16 për qind, bazuar në përllogaritet e ekspertit të FMN-së pranë INSTAT-it. Burime zyrtare në këtë institucion shpjegojnë se vlerësimet që po bëhen nga eksperti janë eksperimentale dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohen përfundimtare. Kjo edhe për faktin se ato mund të rrëzohen apo të ndryshojnë, në varësi të përllogaritjeve të mëtejshme që do të bëhen. Instituti i Statistikave shpjegon gjithashtu se nuk mund të nxirren të dhëna për rritjen ekonomike për periudha 3 dhe 6 mujore, siç pretendon qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›