Shkup, në pranga dy ish-komandantë të UÇK-së
Gjatë një aksioni policor mbrëmë në Shkup janë arrestuar Miftar Islami- Tali dhe Bekim Dardhishta, ish-komandantë të UÇK-së. Ministria e Brendshme nuk ka dhënë detaje për këto arrestime, që siç bëhet e ditur janë pjesë e një aksioni të gjërë.
Ndërkohë, familjarë të Miftar Islamit, ish-komandant Talit theksuan se ai ishte arrestuar mbrëmë në afërsi të shtëpisë së tij dhe që më pas e tërë shtëpia është bastisur.
“Ka pasur bastisje në shtëpi nga forca të shumta të policisë, që ndërhynë pa paralajmërim. Nga kjo janë shqetësuar edhe fëmijët e vegjël të kësaj familje”, theksoi një familjar i Miftar Islamit për agjencinë e lajmeve INA. Po ashtu bëhet e ditur në shtëpinë e Miftar Islamit, policia nuk kanë gjetur asgjë. Miftar Islami menjëherë pas konfliktit të vitit 2001 i është kthyer jetës normale dhe familjare.
Familjarët e Bekim Dardhishtës gjithashtu theksuan se janë të shqetësuar nga ndërhyrja e policisë. “Policia hyri, kërkoi armë dhe gjeti vetëm një pushkë ajrore, një karikator të pistoletës dhe fotografi të luftës. Nuk e dijmë përse është arrestuar”, theksoi Nezir Dardhishta.
Pjestarët e dy familjeve njoftojnë se kanë informuar edhe partinë shqiptare në pushtet Bashkimin Demokratik për Integrim, e cila ende nuk ka dhënë ndonjë reagim pulbik.(INA)