Sfida e vështirë e Guvernatorit Nga Ervin Qafmolla Ekonomia shkon pak a shumë keq. Por jo “relativisht mirë”, siç thonë disa. Ndërsa sektori bankar mund të ishte më mirë. Ekspertët parashikojnë se kriza ekonomike do të vazhdojë t’i japë efektet edhe
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sfida e vështirë e Guvernatorit Nga Ervin QafmollaEkonomia shkon pak a shumë keq. Por jo “relativisht mirë”, siç thonë disa. Ndërsa sektori bankar mund të ishte më mirë. Ekspertët parashikojnë se kriza ekonomike do të vazhdojë t’i japë efektet edhe gjatë 6-mujorit të dytë të 2009-ës. Emigrantët do të vazhdojnë të mos sjellin pará si më parë dhe turizmi parashikohet të mos ketë shkuar aq keq sa ç’pritej. Ndërkohë kemi një kryeministër që mohon kategorikisht ekzistencën e një krize ekonomike, por që së fundmi nuk po bind dot as edhe ministrin e tij të Financave. Ministri në fjalë ka ca kohë që duket se ka filluar të dyshojë se ndoshta një krizë ekziston vërtet. Sakaq të gjithë e kanë mësuar - përjashto ndoshta ata që nuk lexojnë gazeta - se gjatë 6-mujorit të parë qeveria e ka dreqosur keqas me buxhetin. Këtë e paralajmëroi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e nënkuptoi herë me stil e herë pa edhe Banka e Shqipërisë. Por tani që dëmi është bërë e mbi të gjitha në realitetin praktik pas zgjedhjeve, më shumë rëndësi ka e ardhmja.
Të gjitha këto copëza informacioni të rëndësishëm dhe tashmë të njohura gjerësisht, në mënyrë të pashmangshme lidhen me rolin e Bankës së Shqipërisë si mbikëqyrës dhe rregullator i ekonomisë. E ndërsa Banka është aty gjithmonë, nuk është në ditë të lumtura që roli i saj bëhet veçanërisht jetik, por sidomos në kohë si këto që po kalon sot ekonomia shqiptare, çka e bën postin e Guvernatorit një figurë qendrore në jetën e vendit. Por si po sillet Ardian Fullani në këtë situatë? Në fjalimin e fundit të pak ditëve më parë, i cili kishte të bënte me vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Fullani vuri theksin te përmirësimi i lehtë në disa tregues të ekonomisë dhe lëshoi me njëfarë elegance kritikat e radhës ndaj qeverisë.
“Politika fiskale ka vijuar të ruajë karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke u reflektuar në rritjen e nivelit të deficitit buxhetor dhe të konkurrencës së sektorit publik për mjete monetare. Kjo politikë ka ndikuar në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ajo është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim”, - vërejti Guvernatori.
Ndërsa Fullani flet për të shkuarën, e ardhmja mbetet e paqartë. Megjithatë, një nga detyrat e çdo Guvernatori të mirë - pjesë edhe e kushteve formale të kontratës së punës - është të qenit optimist. Optimizmi është i domosdoshëm që besimi i publikut te ekonomia të mos pësojë tronditje që mund të tronditnin edhe ekonominë. Dhe Guvernatori e shpreh këtë optimizëm në fund të deklaratës së tij, kur thotë se Banka e Shqipërisë është e bindur se në një periudhë afatgjatë, ruajtja dhe forcimi i ekuilibrave makroekonomikë do të përkthehet në uljen rrezikut të perceptuar të vendit. Kjo do të thotë, sipas Fullanit, kosto më të ulëta huamarrjeje, si për agjentët publikë, ashtu dhe për ata privatë, nxitje për shtimin e investimeve të huaja direkte në ekonomi, si dhe eficiencë më e madhe në përdorimin e fondeve financiare. “Në një periudhë afatgjatë këta faktorë do të ndikojnë në një rritje më të lartë ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies në vend”, - përfundon Guvernatori.
E megjithatë, është një optimizëm i mëdyshtë, sepse mes rreshtash përmban faktorin “nëse”. Pra, nëse ruhen dhe forcohen ekuilibrat makroekonomikë. Në fakt, Fullani e ka përpunuar këtë koncept, sërish me elegancë dhe nënkuptim pak rreshta para epilogut me “Fund të lumtur.... nëse”, pikërisht kur thotë se “Përkeqësimi i bilancit të pagesave, nënçmimi i kursit të këmbimit dhe vijueshmëria e politikave fiskale ekspansioniste do të përbënin rreziqe në kahun rritës të inflacionit”. Dhe duke iu referuar shkaktarëve të mundshëm, Guvernatori i vë gishtin edhe mbi “mbështetjen dhe sjelljen racionale të të gjithë aktorëve të tjerë ekonomikë dhe makroekonomikë”. Ndonëse mund të ketë disa aktorë makroekonomikë, në fakt “Aktori Makroekonomik” është qeveria. Dhe nëse disa e kanë komentuar fjalimin e Guvernatorit si kritik ndaj qeverisë, por me “gjysmë zëri”, a duhet të jetë edhe “gjysmë-zëri” detyrë e Guvernatorit? Ndoshta në kohë paqeje, po. Por ç’ka ndodhur aktualisht me aktorin makroekonomik? Dhe si rrjedhojë, sa diplomat e delikat duhet të jetë Guvernatori, kur vë gishtin mbi fajtorët?
Lajme të këqija nga Fronti i Buxhetit
Përgjigja e ekzekutivit, veç ca pak ditë nga fjalimi plot paralajmërime i Guvernatorit, ishte shumë e drejtpërdrejtë. Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria e pa të arsyeshme të “ruante” deficitin buxhetor në nivelin fillestar duke bërë një ulje të shpenzimeve të parashikuara, kombinuar me rënien e pritshme të të ardhurave. Kështu rezultati final i rishikimit të Buxhetit 2009 do të ishte: Të ardhurat: 253 804 milionë lekë; Shpenzimet: 328 594 milionë lekë dhe Deficiti: 74 790 milionë lekë. Por, nëse shihet ligji origjinal i buxhetit i publikuar nga Ministria e Financave (http://minfin.gov.al/), rezulton një tjetër histori. Të ardhurat janë 334 823 milionë lekë; Shpenzimet: 384 834 milionë lekë dhe Deficiti: 50 011 milionë lekë. Duhet pasur parasysh se shifrat më lartë janë miliarda lekë.
Kjo do të thotë se si rrjedhojë e “mirëmenaxhimit” nga ana e qeverisë, tashmë e konkretizuar edhe me një ndërhyrje në ligjin e buxhetit, deficiti buxhetor për vitin 2009 është rritur praktikisht me 24.7 miliardë lekë ose me rreth me 250 milionë dollarë. Në këtë gjëmë financiare kanë ndikuar rënia e të ardhurave me rreth 81 miliardë lekë, duke sjellë edhe një reduktim të lehtë të shpenzimeve të parashikuara.
Në fakt, ky “korrektim” ligjor ka gjasa të jetë thjesht finalizimi i asaj që nisi ca javë më parë, kur qeveria, përmes një vendimi të paprecedent, bllokoi të gjitha prokurimet publike duke filluar nga data 3 gusht. Gjithçka do të qëndrojë e ngrirë deri në një urdhër të dytë, i cili nuk dihet kur do të vijë dhe nëse do të vijë një ditë. Vendimi në fjalë mban titullin jo ortodoks e gati-gati komik: “Për një përdorim me efektivitet të fondeve për investime”. Ndërkaq, shuma për të cilën flitet është rreth 214 milionë euro investime të parashikuara, të cilat praktikisht janë bllokuar.
Duke iu kthyer “muhabeteve të vjetra”, pra rastit të bllokimit të investimeve, çështja shkoi pak a shumë kështu...
Në tentativë për të përgënjeshtruar mynxyrën financiare të parashikuar prej kohësh nga media dhe të realizuar me sukses nga qeveria, kjo e fundit ose më saktë, vetë kryeministri i shkuar dhe sipas të gjitha gjasave i ardhshëm i vendit, Sali Berisha, sqaroi se bllokimi nuk kishte ndodhur për arsye pamjaftueshmërie fondesh, por për efekt mirëmenaxhimi në kuadër të formimit të qeverisë së re “Berisha”. Kryeministri sqaroi se në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna dhe se kjo qeveri që vjen, sapo të instalohet, ka të gjitha kapacitet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj, sepse një ministër apo zëvendësministër në fillim të detyrës së tij do të konsolidojë administratën, para se të merret me këto çështje. “Pra kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë”, - theksoi Berisha.
Por veç pak sekonda më vonë në vijim të së njëjtës deklaratë, ai shpalosi disa arsye të tjera të bllokimit të tenderëve: “Unë mund t’u garantoj ju se ky është viti i investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi. Vitin e kaluar janë investuar 10% të prodhimit të brendshëm”. Madje Berisha pranoi se nuk dinte asnjë qeveri në botë që të ketë këtë përqindje investimi. Për më tepër, varianti i mungesës së parave u mbështet përmes një relacioni të Ministrisë së Financave, i cili u soll në të njëjtën mbledhje të Këshillit të Ministrave, ku u vendos bllokimi i prokurimeve publike pa afat. Relacioni në fjalë i bërë publik edhe në shtypin shqiptar theksonte se projeksioni i mbledhjes së të ardhurave për pjesën tjetër të vitit paraqitej tejet pesimist dhe për pasojë nevojitej një shtrëngim i menjëhershëm i investimeve publike për të balancuar buxhetin. Vendimi që pasoi realizoi pikërisht këtë domosdoshmëri, duke provuar edhe se pavarësisht justifikimit të kryeministrit, qeveria ka mbetur pa pará.
Por, kryeministri është treguar i paepur përballë opinionit publik, jo vetëm duke përgënjeshtruar mungesën e parave, por madje duke theksuar se ka para me tepricë: “Sivjet sërish jemi me shifrën e 10% të prodhimit të brendshëm për investime. Pra kemi nivelin më të lartë. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë”. Ndërkaq, “teprica” në fjalë vlerësohet diku te 214 milionë eurot, çka është vlera e tenderëve të bllokuar dhe në këtë pikë ndoshta do të duhej një term disi më i goditur.
Epilogu
Në këtë pikë edhe përgënjeshtrimet sistematike që Kryeministri i vendit i bën medias, kur thotë se “kriza është pjellë e imagjinatës së disave”, duket nuk gjejnë mbështetje në vetë buxhetin e qeverisë së tij. Madje, krejt e kundërta. Kokëfortësia e shifrave zyrtare të vetë qeverisë flet për një rënie drastike të arkëtimeve në buxhetin e shtetit, çka është një tregues i qartë i krizës, fakti që zor se i qëndrojnë alibi populiste. Në këtë pikë ekonomia më shumë se për alibi apo dialogë ndër-institucionale të koduara, ka nevojë për masa apo më së paku për ngritje zëri. Dhe në mos Guvernatori, dikush duhet ta bëjë.