E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, e majta dhe ardhja e Papandreut në GreqiNga Stavri MarkoNdërsa në Tiranë një presion i pakrahasueshëm psikologjik, publik dhe mediatik kundër liderit aktual të PS, Edi Rama, ka marrë formën institucionale për të goditur personazhin, i cili ësht

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama, e majta dhe ardhja e Papandreut në GreqiNga Stavri Marko

Ndërsa në Tiranë një presion i pakrahasueshëm psikologjik, publik dhe mediatik kundër liderit aktual të PS, Edi Rama, ka marrë formën institucionale për të goditur personazhin, i cili është thuajse i vetmi që ka kundërshtuar në mënyrë publike deformimin e procesit elektoral në Shqipëri, në fqinjin evropian, në Greqi, Karamanlis ka shpallur zgjedhjet e parakohshme si pasojë e krizës ekonomike dhe skandaleve të njëpasnjëshme që kanë dëmtuar vendin.

Partia Socialiste ka vendosur të mos njohë zgjedhjet. Që nga ky moment legjitimiteti i institucionit të parlamentit është shndërruar në një fantazmë, ku kushtet për të ngritur kartonin jeshil do të dirigjohen prej grupit parlamentar të PS. Ngjarjet rrodhën, edhe për shkak se në vendin fqinj, Greqi, PASOK pritet të fitojë zgjedhjet bindshëm për të formuar qeverinë më 4 tetor. Prej këtej e tutje, marrëdhëniet e PS në rangun ndërkombëtar do të kenë një mbështetje absolute për disa shkaqe, të cilat rrjedhin prej disa faktorëve.

Faktori Papandreu

Është e pashmangshme që PS dhe PASOK kanë interesa të përbashkëta, aq sa lideri socialist ndërkombëtar, George Papandreu, dy ditë para zgjedhjeve vizitoi Edi Ramën në Tiranë. Po nga ky këndvështrim, Edi Rama është i vetmi lider që ka zhvilluar miting elektoral në Greqi, pas Fatos Nanos në maj 1997. Lidhja Karamanlis-Berisha, veçanërisht në prag të vizitës së kryeministrit grek në Tiranë prillin e kaluar, tregoi se politikanët e djathtë grekë kanë interesa të ngushta përpara atyre më të vështira, përfshi minoritetin grek. Papandreu, tri ditë përpara zgjedhjeve evropiane, kërkoi që emigrantët shqiptarë të kenë një status të veçantë, madje edhe qytetarinë greke, për të cilën ai u zotua se do ta bënte menjëherë sa të vinte në pushtet. Sigurisht, me ardhjen e Papandreut Edi Rama do të ndihet më i fuqishëm në arenën ndërkombëtare, prej së cilës pret mbështetje për të rrëzuar qeverinë Berisha. Papandreu është i vetmi që ka paralajmëruar një deformim të së majtës ndërkombëtare në lidhje nënkuptimi me koalicionin qeverisës në Shqipëri, Berisha-Meta.

E kaluara Papandreu-Berisha

Është e padiskutueshme, madje në kujtesën e të gjithëve, se George Papandreu, lideri aktual i Internacionales Socialiste, më 1998, ka detyruar liderin e atëhershëm të opozitës shqiptare, Sali Berisha, të “kyçet në shtëpi”, duke iu bërë thirrje liderëve evropianë që të “izolohej fenomeni Berisha”. Në atë kohë qeveria Nano u përball me “grusht shteti, shtator 1998”, si dhe me protesta të rrugëve thuajse për dy vjet, të iniciuara nga bojkoti i parlamentit shqiptar, 1998, nga opozita dhe lideri i saj, Sali Berisha. Vetë ish-kryeministri, Ilir Meta, kur ishte kryeministër dhe i cili kishte marrëdhënie shumë të mira me ministrin e Jashtëm grek, George Papandreu, veçanërisht gjatë konfliktit në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë më 2001, ka deklaruar se arrestimi i Sali Berishës (pikërisht me moton se po destabilizonte Shqipërinë me bojkotin dhe protestat e përditshme), ka qenë i këshilluar nga faktorë të jashtëm ndërkombëtarë, duke mos përjashtuar thirrjen e Papandreut për “izolim të Berishës”.

Pozicioni Rama-Dule dhe e drejta e emigrantëve për të votuar

Nuk ka asnjë dyshim se ardhja e Papandreut në pushtet do të konsolidojë një spektër politik me interesa territoriale, siç është ndikimi i Partisë Socialiste dhe i PBDNJ së bashku me emigrantët në jug të vendit, në formën e federatës së majtë, e kërkuar edhe nga Paskal Milo, Skënder Gjinushi dhe Erion Veliaj. Por e veçanta duhet të jetë një premtim i Ramës, që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare emigrantët do të votojnë të gjithë pa përjashtim me anë të një sistemi të ri elektronik. Ardhja në Greqi e Papandreut në pushtet do të rrisë disa ngarkesa për qeverinë Berisha-Meta, ndërsa do të forcojë bashkëpunimin Rama-Dule. Jo më kot përpjekjet e Berishës për të përfshirë elementin e minoritetit grek në një post qeveritar, madje i bënë presion kryetarit Dule që të shkëputet prej Ramës, përbën një taktikë të vjetër të sundimit, përçarjes dhe korruptimit të filozofisë së Sali Berishës ndaj çdo elementi politik dhe mediatik në Shqipëri. Në këndvështrimin tim, me mbështetjen e George Papandreut dhe të PASOK, bashkimi Rama-Dule dhe të tjerë faktorë të së majtës mund të sjellin shpejt zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, me apo pa bojkot të së majtës. Nxitimi i Ilir Metës për të shfrytëzuar një letër personale nga Martin Shulc nuk do të thotë se Athina e ardhshme do të toleronte deformimin elektoral në Shqipëri, kur PASOK ka qenë nga kritikët më të ashpër të qeverisë Karamanlis për marrëdhëniet greko-shqiptare dhe veçanërisht shkeljen e të drejtave të minoritetit grek nga qeveria e Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›