E Diel, 1 Nëntor 2026

Mike Bongiorno - paraqitësi më kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga TemaShuhet Mike Bongiorno Italia është më e varfër. Kështu do e niste lajmin e saj një media italiane, pasi mjekët bënë të ditur se Mike Bongiorno, prezantuesi i famsh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mike Bongiorno - paraqitësi më kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Tema

Shuhet Mike Bongiorno

Italia është më e varfër. Kështu do e niste lajmin e saj një media italiane, pasi mjekët bënë të ditur se Mike Bongiorno, prezantuesi i famshëm italian, ishte shuar në moshën 85-vjeçare pas një goditjeje në zemër. Bongiorno ishte mjaft i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar. Gazeta “TemA” risjell këtë material të përgatitur nga gazetari Besnik Dizdari një vit më përpara, pikërisht në këtë kohë ku përshkruhet jeta e tij, shoqëruar me shënime autobiografike për dy nga emisionet e tij më të ndjekura.

Historitë e bujshme të televizionit: “Lascia o raddoppia?” dhe “Rischiatutto”

Nga Besnik Dizdari

“Mi chiamo Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, pa “U”. (“Më quajnë Nicholas Salvatore Bongiorno, pa “U”).

Kështu thotë ai në krye të autobiografisë së tij.

Ndërsa ne le t’i lëmë të pushojnë një apo dy të diela Montanelli-n dhe Biagi-n, me gjithë shkrimet e tyre modele të pangjashme të gazetarisë, e le t’i kthehemi paksa botës së televizionit, më saktë, gazetarisë dhe spektaklit televiziv. Kështu kemi vepruar disa herë, madje mu me shkrime që kanë të bëjnë me televizionin. Dhe e gjitha kjo, jo thjesht ngaqë autori i këtushëm është anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH, e pra kësisoj e ndjen edhe si detyrë që herëpashere duke i qëndruar besnik i mirëfilltë statusit të gazetarit të vjetër, të sjellë diçka nga bota e këtij profesioni që lidhet edhe me ekranin e vogël. Kësaj radhe, duke përfituar nga botimi tash së fundi i autobiografisë së Mike Bongiorno-s, që është paraqitësi (presentatore) i shkallës botërore të emisioneve të pafund televizive, po tregojmë me gojën e tij lindjen, ecurinë dhe të fshehtat krejt të panjohura, dhe jo vetëm për shqiptarët, të dy emisioneve të tij të një fame botërore “Lascia o raddoppia?” dhe “Rischiatutto”.

Vetvetiu kemi bindjen ndërkaq, se RTSH do të mund nisë “Quiz”-in e tij të parë të madh televiziv, jo thjesht për shkak të përvojës dhe arkivit të pasur që e ka vetëm ai, por sepse ky program në Shqipëri, në fund të fundit, ka të bëjë me atë që nuk po na pëlqen ta quajmë si dikur: “kulturë masive”, por kulturë e vërtetë publike dijesh, enciklopedie e historie, kur kujton se ç’kanë qenë emisionet e Bongiorno-s. Ishin emisione të artit e të kulturës, të sportit po e po, të politikës e të historisë, të gjeografisë e të muzikës. Për shumë shkaqe, televizionet shqiptare e kanë lënë në fund të radhëve të tyre sidomos historinë, e kjo nuk ngjet askund në televizionet kombëtare të shteteve të tjera evropiane. Quiz-et e një horizonti të gjanë të themeluara prej Mike Bongiorno-s, në një masë jo të vogël e patën tronditë apo pështjelluar, natyrisht për mirë, Italinë e mbasfashizmit dhe atë të ashtuquajtur të Republikës së parë, duke ngjallë sidomos te brezi i ri më fort se fitimin, etjen për dije.

Brezi ynë pati fatin të ndiqte rregullisht në vitet 1970-1974, emisionin e famshëm “Rischiatutto” falë antenës që për habi Partia kishte vendosë në malin e Dajtit dhe RAI vinte në ekranet tona familjare më qartë se RTSH-ja. E kujtojnë të gjithë prej këtij brezi se çka ishte ora 21.30 e së enjtes në mbrëmje. Në ato vite të një mbylljeje të egër, kjo dritare që rrezatoi për një kohë mjaft të shkurtër, ishte kënaqësia e madhe e javës për ne. Madje ia kalonte edhe 45 minutave të një ndeshjeje të Serie A, të çdo të diele që ndiqnim po përmes RAI-t. Për fat, erdhi 1973-‘74 me vendimin e tij të një izolimi të përtejmë të tipit të “revolucionit kulturor kinez”, që i dha fund aventurës sonë me antenën e malit të Dajtit. Plenumi IV i PPSH, e tjerë, e tjerë…

“Rischiatutto” mbeti në mendjen tonë megjithatë, e së bashku me te Mike Bongiorno i paarritshëm.

E vërteta është se të dyja këto “shpikje” të mëdha të Bongiorno-s, nuk kanë zanafillë italiane, por amerikane. “Quiz”-in e tij televiziv Mike Bongiorno e barti nga SHBA. Edhe si fjalë, “Quiz” vjen nga anglishtja dhe është një neologjizëm që lind pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas gjuhëtarëve, etimologjia e saj mbetet disi e paqartë. Ndërsa kuptimi i “Quiz”- t është ky: pyetje, përimtim i një argumenti të veçantë që iu parashtrohet ose me zë ose me shkrim, pjesëmarrësve në këtë provim ose pyetësor, përherë në fitim të një çmimi, konkursi, gare për të matë shkallën e kujtesës dhe të kulturës.

XXX

Mike Bongiorno, më saktë: Mike Nicholas Salvatore Bongiorno, pa “U”, pra jo BUongiorno, por thjesht BOngiorno, siç përcakton ai vetë, i njohur si Mike (Majk), ka lindur në Nju-Jork më 26 maj 1924 në 65 W 12th Street të metropolit amerikan. Ndonëse origjina e paraardhësve të tij është nga Campofelice di Fitâlia e Sicilisë. Gjyshi i tij, Michelangelo Bongiorno, i cili zbarkon në Nju-Jork më 7 dhjetor 1892 dhe bëhet qytetar amerikan, është i ati i babait të tij, Filippo (Philip) i cili rritet si amerikan, mëson në Princeton University, një nga më të rëndësishmit e SHBA dhe formohet në avokaturë në një tjetër shkollë të famshme, Columbia University të Nju-Jorkut. Në Luftën e Parë Botërore ai futet në aviacion dhe duke qenë se zotëron italishten, dërgohet në Torino me detyrën e komandantit të bazës militare amerikane të skuadrës ajrore të Torinos. Këtu njeh Enrica Carello-n, me të cilën martohet në Torino më 1919 dhe më 1924 lindin në Nju-Jork Mike Bongiorno-n, mbasi tashmâ janë kthyer për të jetuar aty. Familja ka një jetë të mirë falë profesionit të babait si avokat i rangut më të lartë.

Papritmas shpërthen kriza e Wall Street-it e vitit 1929 që e falimenton të atin e Mike Bongiorno-s, i cili humb miliona dollarë brenda disa orëve! Është 1930 dhe baba Filippo nis gruan e tij Enrica t’i bëjë ballë jetës në Torino së bashku me birin Mike. Falë zotësisë së tij, ai ia arrin ta kalojë krizën, rifillon jetën e tij të sigurt disaplanëshe, aq sa bëhet edhe njëri nga tre kandidatët për kryetar bashkie të Nju-Jorkut. Janë vitet ’30. Papritmas, bashkëshortët Bongiorno kalojnë në krizë, ndonëse Filippo i kërkon të shoqes që të kthehet në Nju Jork. Kjo refuzon dhe ata ndahen. Nanë e bir janë në Itali ndërkaq, dhe djaloshit Mike Bongiorno i mbeten sytë te uniforma e shkëlqyeshme e dajës së tij, Nicolo Oneto, gjeneral divizioni i bersalierëve, i cili vjen si pushtues edhe në Shqipëri! Ndërsa Mike fillon e ëndërron për Akademinë ushtarake, por, të qenunit qytetar amerikan, ia ndalon një dëshirë të tillë në Itali.

I mbetet vetëm Gjimnazi ku zbulon sportin. Është skiator i ri, por sidomos atlet i kërcimit së larti, dhe 15 vjeç djalë arrin 1.50 metra, që për moshën, asokohe quhej rezultat i një talenti të pastër. I vë vulën talentit kur mbërrin deri 1.60 metra - kampion i rajonit!

Dhe ja që sporti krejt befasisht e çon te gazetaria! Luigi Cavallero, kryeredaktor i faqeve sportive të “La Stampa”-s të Torinos, kërkon ta intervistojë si një kampion të shquar. I pëlqen ky djalë me vështrimin miqësor, disi zhbirues, aq më tepër që në këtë kohë, redaksitë po boshatiseshin prej largimit të gazetarëve për në front…

Luigi Cavallero i propozon Mike-ut të shkruante raportet nga stërvitjet e Torinos e Juventus-it si dhe të realizonte intervista me çiklistët. Personazhet e tij tash janë Valentino Mazzola, Rava, Combi, Rosetta, Caligaris, Varglien. Të gjithë bashkëlojtarë të Riza Lushtës sonë. Nisin vitet ’40. “Eh, çfarë skuadre që ishte Juventus-i i kësaj kohe!” - shkruan sot Mike Bongiorno në kujtimet e tij. Dhe shton: “Sporti, atletika, Luigi Cavallero i kishin dhënë rrugë karrierës sime të gazetarit dhe të njeriut të palkut (skenës)”.

Por… lufta! Ai shfaq antifashizmin e tij derisa në fillim të viti 1944 arrestohet nga gjermanët së bashku me t’ëmën dhe dërgohen në burgun San Vittore ku gjen disa të arrestuar të rangut të lartë, e midis tyre, as më pak e as më shumë, por deri dhe Indro Montanelli-n me të shoqen e tij. Mandej historia e personazhit tonë që vazhdon në kampin e përqendrimit në Bolzano, i njohur si kampi Gries, prej ku të burgosurit niseshin për në kampet e shfarosjes. Mandej në kampin Stalag XVIII-AZ në Corinzia, por ku aventurat bongiorniane, që mbarojnë gjithmonë në mënyrën më sensacionale, siç do të ishin sensacionale vetë bëmat e tij të përbotshme televizive.

Papritmas “New York Times” publikon emrat e të burgosurve amerikanë të cilët do të ndërroheshin me robër gjermanë në Zvicër. Midis emrave është edhe ai i Mike Bongiorno-s, i njohur si i burgosuri Nr. 2264. Më 21 shkurt 1945, mbasi ka udhëtuar me anijen “S. S. Gripsholm”, Mike Bongiorno zbret në Nju-Jork. E mirëpret babai Philippo me të cilin nuk ishin pa prej dhjetë vjetësh. Ai e gjen të atin të martuar për herë të dytë, por ndjen gjithë përkujdesjen e tij si prind. Mikpritje. Shtëpi. Mbështetje financiare. Por Mike Bongiorno kërkon të gjejë vetveten. Dhe fati që e ndjek mbas si gjithnjë, për keq e për mirë: e thërrasin në Departamentin e Shtetit ku i propozohet të punojë për seksionin italisht të Zërit të Amerikës. Dhe nëpërmjet emisioneve të “Zërit të Amerikës” merr vesh nëna e tij, e sapoliruar nga burgu, se i biri është gjallë.

Vazhdon ndërkaq, aventura amerikane e Mike Bongiorno-s, gjithnjë brenda profesionit të tij tashmâ të fituar, atij të gazetarit. Shkrime publicitare. Intervista. Lajme. Kronika. Kërkon të studiojë, por i ati i thotë, se nuk është koha e studimit, por e punës për të fituar mbijetesën. Dhe mu ky është çasti kur Mike lidhet me radion. Është radio “Whom”. Përsëri befasi e rastësi së bashku. Një spiker i kërkon Mike-ut që ta zëvendësonte një ditë të vetme. Në të vërtetë duheshin lexuar titujt e gazetës në mbyllje të saj, në mbrëmje vonë. Të nesërmen shpërthimi! Mbërrijnë dhjetëra telefonata të dëgjuesve të cilët qenë mrekulluar prej një zëri tipik italian të Veriut! Kaq mjafton. Kështu radhazi: reklamë, muzikë, dhe deri tek emisioni i lajmeve të marra nga anglishtja e të përzgjedhura prej tij, të redaktuara e të lexuara prej tij. Një gazetari e pastër në gjithë kompleksitetin e saj të pasur.

Këtu është çasti fatmadh kur Mike Bongiorno njeh “Quiz”-in e parë, atë të amerikanit Robert Q. Lewis, një përzierje midis show dhe varietesë, prej ku do t’ia arrijë të shpikë edhe Mike, Quiz-in e tij! Muzikë, reklamë dhe të ftuar në mikrofon, biseda, gjallëri. Nuk mbaron këtu. Mike punon pa ndalesë për “Zërin e Amerikës” dhe për “Whom”-in. E, prapë befasia tjetër, siç e tregon ai vetë. Një ndër gazetarët më të mëdhenj të RAI-t, Vittorio Veltroni, i ati i politikanit të sotëm italian, Walter Veltroni, i kërkon të jetë korrespondent i RAI-t për “Giornale radion”. Kështu, gjatë 1948-52 Mike Bongiorno realizon radiokronikat e tij historike, duke mbërritur deri në intervistat me presidentin Eisenhower, shkencëtarët e përbotshëm Enrico Fermi dhe deri radiokronikë prej koncertit të Duke Ellington në Metropolitan Opera House! E prej këtu te sporti, nga automobilizmi, boksi e deri te “Madison Square Garden”. Gjithnjë pranë kronistëve dhe telekronistëve më të famshëm amerikanë. “Prej tyre e kam mësuar profesionin e vërtetë”, - thotë sot Mike Bongiorno. Ishin tetë vjetët e tij amerikanë që përforcojnë tejet fatin e tij profesional.

XXX

Është 1953 dhe prapë befasia apo rastësia. Petrinella, një pronar i shtypit, e çon në një stacion tjetër radiofonik, “Wov”, konkurrenti i “Whom”-it, duke i propozuar që të kthehej në Itali si korrespondent i saj. Mike shtang, mendohet dhe më në fund pranon. Ky do të ishte rikthimi i tij përfundimtar në atdheun e origjinës dhe bashkimi me nënën e tij.

Dhe drejt e aty ku kishte lindur profesioni i tij: në “La Stampa” e cila i kishte blatuar gazetarinë në fillim të vitit ’40, në kërkim të mbështetësit të tij të madh Lugi Cavallero. Nuk e gjen. Ai ishte vrarë në katastrofën e skuadrës së Torino-s në Superga më 1949! Mandej takimi me Vittorio Veltronin, drejtorin e “Giornale radio” dhe të radiokronikave të RAI-t, sidomos ato të Giro d’Italia. Dhe fjalët e tij që thuajse janë lutëse: “Mike, ti je një element shumë i çmueshëm për ne”. Propozimi është miklues dhe i qartë: Përveç detyrimeve me radiot amerikane, një rubrikë për RAI-n me titullin “Arrivi e partenze”, me synimin për t’i bërë të njohur publikut italian përmes televizionit, personazhet më të shquara të politikës dhe të artit të cilët jetonin jashtë Italisë. Ky është shpërthimi i parë italian i personazhit tonë.

Këtu merr fund gjithçka, ose rifillon gjithçka, që e shndërron qytetarin italo-amerikan Mike Bongiorno në qytetar italian. Fama e tij do të mbërrijë deri te rekordi i paraqitësit më kohëgjatë televiziv që njeh historia e njerëzimit.

E kam pa nga afër një herë të vetme fare pranë, vetëm dy metra larg, Mike Bongiorno-n. Në Montecarlo në dhjetorin 1995, në Gala IAF (Fondacioni Botëror i Atletikës) në sallën elegante “Etolies” ku zhvillohej ceremonia e shpalljes së atletëve më të mirë të Botës. Ai ishte mik personal i Presidentit të ndjerë të IAAF-it, Primo Nebiolo, i cili e kishte marrë me vete këtë “atlet të vjetër” për ta nderuar në këtë mbrëmje të rrallë. Ishte një çast kur televizioni i Montekarlos po intervistonte presidentin Nebiolo. Mike Bongiorno i qëndronte çuditërisht pranë, me buzëqeshjen e tij që kishte diçka shpotitëse e humane bashkë, që edhe ne telespektatorët shqiptarë ia njihnim aq mirë. Unë shtanga para këtij miti që e kisha ndjerë aq të afërt për vite të tana përmes ekranit të vogël, dhe që më mahniste me shkrirjen në një, të gazetarisë së folur e asaj të televizionit, me elokuencën shprehëse dhe me shpërthimet e aktorit apo të paraqitësit. Nebiolo mbaroi ndërkaq, Mike Bongiorno i futi krahun, kaloi rrufeshëm krejt ngjitur me mua dhe dëgjova që i tha vetëm kaq: “Sei grande Primo!” Dhe m’u zhdukën sysh në morinë e sallës “Etolies” të Montekarlos, e cila në vetvete përmbante një etikë aristokratike e ti assesi nuk mund të guxoje të bëje të shpenguarin e aq më pak fansin e dikujt…

Kjo është historia e jetës së njeriut, i cili quhet disi gjatë: Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, pa “U”, i mirënjohur shkurt si Mike (Majk) Bongiorno, i cili sot 84 vjeç jeton i lumtur me bashkëshorten e tij Daniela dhe tre djemtë, duke vazhduar të shquhet në ekran me emisionet e tij.

Ky është Mike Bongiorno, njeriu i cili e pakta çdo të enjte në mbrëmje në orën 21.30 të viteve 1970-‘74, ishte edhe për ne, qytetarët e Shqipërisë, personazhi më i dashtun; njeriu të cilit Umberto Eco i ka kushtuar trajtesën e tij socio-filozofike “Fenomenologia”, njeriu të cilin Silvio Berlusconi ia ka rrëmbyer RAI-t duk e bërë avangardën dhe flamurmbajtësin e aventurës së tij të bujshme televizive. Në fund të fundit, ky është Mike Bongiorno, paraqitësi (presentatore) televiziv më kohëgjatë që njeh deri më sot njerëzimi. Dhe po aq edhe sportisti atlet, alpinisti apo dhe skiatori që ngjitet deri në Pol (!), gazetari kronikan, radiofonik dhe televiziv, showman-i sui generis, aktori i 8 filmave deri me regjisorë të tillë si Luigi Zampa, Vittorio De Sica apo Ettore Scola. Madje me aktorë të tillë si Toto (“Toto lascia o raddoppia?”), të cilit ai i kritikon vetëmadhështinë, teksa na thotë se Toto qenka titulluar edhe si kont dhe dukë i Drishtit dhe i Durrësit (“…conte e duca di Drivasto e di Durazzo”..).

Bongiorno mbetet kësisoj paraqitësi televiziv, i cili krijoj shkollën e vetme në historinë e përbotshme të televizionit, me një biografi profesionale të përmasave gjigante: në 11 Festivale të Sanremos, 13 transmetime epokale të RAI-t, në 35 programe të bujshme të Mediaset, mbajtës i 40 çmimeve teleradiofonike, rekordmeni i pambërritshëm (3125 puntata në Quiz-n “La ruota della fortuna”), si dhe rekordmeni i pranisë më kohëgjatë para kamerës brenda një viti: 400 orë më 1995!

Në librin e përbotshëm “Guinness” ai përcaktohet kështu:

“Paraqitësi (presentatore) më aktiv për sa i përket numrit të viteve që mban mbi supe, me karrierën e tij të filluar më 1946 si drejtues i një emisioni radiofonik të “Quiz”-it në emitentin “Whom” të Nju-Jorkut.”

Kjo është jeta e Mike Bongiorno-s, ashtu siç nuk e kanë njohur kësisoj as shqiptarët, adhuruesit e tij të fillimit të viteve ’70.

Tash, le t’ia lëmë fjalët vetëm atij, Mike Bongiorno-s, që të na tregojë historinë e dy kryeveprave të tij televizive që tronditën Evropën e televizionit: “Lascia o raddoppia?” dhe “Rischiatutto”.

Lascia o raddoppia?

Nga Mike Bongiorno

I.

“Lascia o raddoppia?” sipas shumicës së njerëzve ka qenë suksesi më i madh i televizionit në Itali. Mendim të cilin unë e kundërshtoj, sepse them se programi më i bukur dhe i suksesit më të madh është “Rischiatutto”.

Sido që të jetë, “Lascia o raddoppia?” është shndërruar në mit, në legjendë. Ekziston ende një klub i paprekshëm fansash që e konsideron si programin kult të historisë së Televizionit tonë.

Një ditë, në fillim të vjeshtës së vitit ‘55, u thirra prej Sergio Pugliese-s, drejtor i programacionit, i cili më thotë: “Mike, ti ke pasë dhe vazhdon të kesh një sukses të dukshëm me radion. A e di se ke pesë milionë dëgjues të martën në mbrëmje? Nuk ka pra arsye që të mos arrijmë te një sukses edhe më i madh me televizionin! Kemi absolutisht nevojë sepse industritë italiane janë duke filluar prodhimin e aparateve të parë televizivë të paracaktuar të futen në të gjitha shtëpitë e Italisë. Përveç kësaj, nëse nuk lëvizim shpejt, industritë e mëdha të televizioneve amerikane, do ta pushtojnë Italinë”.

Industritë amerikane tashmâ kishin treguar se po bënin shumë për përhapjen e televizionit në Itali. Pak kohë mbas fillimit të programit tim, ata do të organizonin në Milano një ceremoni gjatë së cilës një përfaqësues i shoqatës së tregtarëve amerikanë më dorëzoi një trofe me një statujëz që nënkuptonte Oscar-in amerikan, me ndryshimin se personazhi në vend të shpatës klasike, mbante në duar një valixhe udhëtari. Në te qe shkruar: “Distinguished Salesman’s Award - Mike Bongiorno-s për “shitjen” e televizionit italianëve”. E gjitha ishte përkthimi i letrës së një fraze që megjithatë tingëllonte saktësisht më mirë në anglisht: “To Mike, who sold television to Italians”. Në anglisht fjala “sold” ka një kuptim të ndryshëm nga ajo që ka në Itali. Për ata nënkuptonte se i kishte bindur italianët të blejnë televizorin.

“Drejtor, - iu përgjigja Pugliese-s, - në Amerikë ka disa kohë që është duke pasur një sukses të madh të paparë, deri në pesëdhjetë milionë spektatorë! Quhet “The 64.000 USD Question”, që e përkthyer do të thotë “Pyetja për 64.000 dollarë”. Dhe po vazhdon gjithnjë me sukses në CBS. Mekanizmi i lojës është krejt i thjeshtë, fillon me një shifër dy dollarësh, dhe dyfishohet duke mbërritur deri në 64.000 dollarë”.

Kjo përbënte një shifër shumë të lartë për atë kohë. “Përse nuk bëjmë diçka të ngjashme edhe në Itali?” - vazhdova unë. “Jo, jo Mike! Nuk është e mundur kjo, duket se ende nuk e njeh mirë këtë vend. Mbi të gjitha, nuk kemi ku i gjejmë çmime të tilla, dhe nuk besoj se drejtimi i ndërmarrjes do ta lejojë. Mandej, njerëzit do të kujtojnë se gjithçka është e sajuar prej nesh për të krijuar personazhe rreth të cilëve të bëhet zhurmë.”.

“Drejtor, më dëgjo! - i thoja unë duke u treguar shumë këmbëngulës. - Nëse nuk më beson, shko në SHBA dhe shih një puntatë. Do të shohësh se ke për të ndërruar menjëherë mendim”.

Arrita ta bindja Pugliese-n që të nisej për në SHBA për të verifikuar me sytë e tij, dhe ata shkuan së bashku me drejtorin e atëhershëm të RAI të Milanos, Alberto Passante. Mbas një jave vëzhgim, ata u kthyen të bindur dhe entuziastë.

“Mike, më thotë Pugliese, “ke patur plotësisht të drejtë, një gjë të tillë nuk e kemi parë kurrnjiherë në Itali. Duhet megjithatë, të bëjmë një diçka të zgjuar në mënyrë që t’ia përshtatim programin shijes së italianëve”.

Dhe kështu, vjen 19 nëntori 1955. Një datë historike për televizionin italian. Prej një teatri të posaçëm të përshtatun në Panairin e Milanos, unë iu paraqita drejtpërdrejt publikut televiziv, i cili ende nuk dinte asgjë prej të jashtëzakonshmes që ne po fusnim në valë.

Kishim njoftuar përmes gazetave se është në rrugë një nismë e paracaktuar për të tërhequr tejet vëmendjen e gjithë vendit. Ishte periudha ku shtypi italian nuk kishte marrëdhënie të mira me televizionin, dhe pavarësisht ftesave që kishim bërë, unë u gjenda krejtësisht i vetëm në studio për të shpjeguar se si do të funksiononte “Lascia o raddoppia?”.

Dola nga teatri i zhgënjyer sepse më dukej se gjeta një mungesë të plotë interesi. Duke menduar kështu ecja nëpër Milano për të shkuar në Hotel Cavalieri ku qëndroja, dhe njihesha mirë në bar midis grupeve njerëzish të cilët bisedonin. Ndërkaq, i dëgjova tek flisnin për paraqitjen e programit tim, që sapo e kishin pa, dhe natyrisht kishte tërhequr interesin e tyre. Ideja e telequiz-it, dëgjova të thoshin ata, iu dukej diçka e re dhe me të vërtetë e madhe.

Gazetat, duke iu përgjigjur interesit të njerëzve, e kuptuan menjëherë gabimin që kishin bërë. Dhe të gjithë do t’i suleshin RAI-t për një ftesë për të qenë të pranishëm javën e ardhshme në puntatën e parë zyrtare, atë të 26 nëntorit. Kaq të shumta ishin kërkesat sa që na u desh të vendosnim një tribunë për të pritur gjithë gazetarët e akredituar. I njëjti problem edhe për fotografët. Duhej të krijonim një hapësirë përballë skenës për t’i pritur edhe ta.

Për të treguar se po i bënim gjërat me seriozitetin më të madh, vendosëm mbi skenë një tryezë rreth së cilës qëndronin funksionarë të RAI-t, si dhe noteri i pari në historinë e televizionit tonë. Ishte Dr. Niçolo Livreri, i cili mbas 44 puntatave kishte për të dhënë dorëheqjen për shkak të akuzës se kishte ndihmuar një pjesëmarrës dhe që u zëvendësua prej noterit Carlo Marchetti. Episodi në vetvete qe tejet zhurmëmadh dhe qe përshkruar prej gazetave, çka shkaktoi lindjen e një mëdyshjeje dhe gjithmonë mund të kishte një gabim, sigurisht i bërë pa dashtë.

Dihej që në Amerikë, në fund të viteve pesëdhjetë, ndodhën skandale të mëdha të lidhura me fitime të pilotuara nga televizionet, por mund të them faktin se në pesëdhjetë vjet të karrierës një gjë e tillë në programet e mia, nuk ka ndodhur asnjëherë, kjo ndoshta edhe falë rreptësisë sime në studio. Kjo është një gjë për të cilën jam sulmuar dhe tallë madje, por duhet të them se për mua është një krenari, kur dihet se sa here që janë në valle çmime me miliona, të dalësh prej kufirit legal, është një rrezik shumë i rëndë, që sjell pasoja edhe më të rënda.

Noteri i ri, Marchetti, u bë kështu popullor jo vetëm për kontrollet e tij të drejta të pyetjeve që bëja, deri aty sa qe detyruar ta zgjerojë tejet veprimtarinë e zyrës së tij, sepse të gjithë për çështjet e tyre donin të kishin një noter si ai i “Lascia o raddoppia?”, i cili ishte garancia e një ndershmërie absolute. Edhe pse dukej shumë i hidhët, në të vërtetë, ai kishte një mirësi të pafund, të një njeriu me të vërtetë të durueshëm. Për fat të mirë apo të keq, noterët duhet të mbajnë një qëndrim të tillë për të respektuar rregullat. Edhe Ludovico Peregrini, “Zotnia Jo”, bashkëpunëtori im historik prej gati dyzet vjetësh, për shembull, është një njeri shumë i durueshëm edhe pse për ata që e njohin vetëm prej televizionit, nuk duket aspak i tillë.

Ndodhi kështu për herë të parë në Itali që duke luajtur për dyfishimin, të fillonin të dilnin para publikut të kombit, personazhe të pabesueshëm, të zbuluar prej një Italie që deri në këtë kohë kishte mbetë thuajse si e fshehur.

Ishin njerëz me të dhëna të mëdha të kulturës, dhe mbi të gjitha të një kujtese të pazakontë. Për t’i tërhequr njerëzit që të merrnin pjesë kishim vendosë edhe çmime inkurajuese për ata të cilët kishin frikë se mos gabonin dhe në një çast të caktuar thoshin: “E lë me kaq!”, në vend që të dyfishonin.

Kush shkonte deri në fund mund të çonte në shtëpi 5 milionë e 120 mijë. Një shifër që sot mund të duket qesharake, por që përkundrazi, asokohe ishte e mjaftueshme për të blerë një apartament ose madje për të ndërtuar një vilë të vogël në fshat. Përveç të tjerave, në fillim, shteti nuk ndërhyri për të taksuar fitimet. Këtë e bëri më mbas, dhe atëherë mjaft pjesëmarrës të cilët kishin fituar shuma dhe që i kishin investuar duke menduar se nuk i detyroheshin asgjë shtetit, për fat u detyruan mandej që të rishitnin atë që kishin fituar.

Unë ndikoja shumë në zgjedhjen e pjesëmarrësve sepse, i fortë në përvojat e mia amerikane, e dija se ishte e nevojshme të përzgjidhja njerëz të cilët mund të bëheshin personazhe, dhe rreth të cilëve mund të krijohej një histori. Përzgjedhja ishte shumë e lehtë, sepse për herë të parë paraqitej rasti të vihej në pah hobi dhe kultura e përpunuar si të thuash, në mënyrë sekrete, tek shumë njerëz, të cilët edhe sepse nuk kishin një diplomë ose një titull të lartë shkolle, zotëronin një bagazh njohurish të tilla, tejet më të larta se shumë prej atyre të cilët kishin pasë fatin të vazhdonin shkollat.

Në katër vjet që vazhdoi “Lascia o raddoppia?” u bënë 400.000 pyetje pjesëmarrjeje. Dhe duhet thënë se niveli i lojës ishte shumë i lartë dhe pjesëmarrësi luante për t’iu përgjigjur saktë një pyetjeje të vetme, në ndryshim nga quiz-et e tjerë që sapo kishin nisë të dukeshin përditë, ku pjesëmarrësit i jepej mundësia të zgjidhte midis tri apo më shumë përgjigjeve të lehta të shkruara.

Futbolli, siç është edhe sot, mbetej sporti që i tërhiqte më fort italianët, por konsiderohej pak a shumë si një fushë që tërhiqte më tepër burrat. Duke bërë disa kërkime gjetëm një vajzë e cila quhej Paola Bolognani. Ajo dinte gjithçka rreth futbollit dhe tregonte me një lehtësi marramendëse rezultatet dhe formacionet e gjithë kampionateve që zhvilloheshin, si dhe të mëparshmëve. Ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm. Në pak ditë të gjitha gazetat nisën të merreshin me te, me jetën e saj dhe të familjes së saj. Në mënyrë të veçantë gazetat e skandaleve, dëfreheshin duke shpikur gjithçka, deri dhe një flirt të saj me mua. Sepse, përveç të tjerave, ajo ishte edhe një vajzë e bukur dhe shumë inteligjente. Më vonë arriti të bëhej kryetare bashkie. “Luanesha e Pordenone”-s - kështu e thirrën -fitoi çmimin përfundimtar duke kujtuar emrat e të gjithë gjysmëmbrojtësve të Bologna-s.

I paharrueshëm ishte ndërkaq, skeçi që bëmë me Ugo Tognazzi-n, i cili imitonte Bolognani-n, dhe me Raimondo Vianello-n i cili më imitonte mua. Duke ndërtuar një “pyetje/përgjigje” tipike të programit, Tognazzi dhe Vianello jepnin pa ndalesë deri në pambarim, dhjetëra e dhjetëra emra, pa asnjë rregull dhe pa e ndalur asnjeri tjetrin.

Një tjetër personazh femëror që e bëri gjithë Italinë që të merrej me te, ishte Maria Luisa Garoppo, e cila u paraqit si njohëse e tragjedive greke. Ishte e pajisur me një kulturë të lartë, por publikun televiziv, ajo që e tërhiqte më fort ishte mbi të gjitha, gjoksi i jashtëzakonshëm i madh i saj, çka nuk ishte parë deri atëherë! Ishte kaq i madh saqë për ta inkuadruar përmes kamerës, regjisori Romolo Siena, duhej të lodhej së gjeturi largësinë për ta përfshirë të gjithin në ekran. Gjatë pjesëmarrjes së saj, një grup gazetarësh lojcakë e bënë që t’i pozonte mbi tryezë gjinjtë e saj; poshtë tyre vendosën një fletë të madhe letre mbi të cilën shkruan me laps masat. Erdhën mandej në dhomëzën time, duke më kërkuar që ta transmetoja. Por asokohe RAI ishte tejet i moralshëm, dhe nuk mund të lejonte kurrnjiherë gjëra të tilla. Më vonë Garoppo hyri në politikë, duke zënë madje edhe një vend të rëndësishëm në partinë e saj.

Personazhi i parë mashkull, i cili krijoj një revolucion të vërtetë të vet në Itali si midis dëgjuesve ashtu dhe midis kritikëve televizivë ishte Luigi Marianini. Ai ishte një njeri me kulturë të rrallë, kishte katër diploma dhe fliste në një mënyrë veçanërisht elegante. Vinte gjithmonë me një kostum të shndritshëm: xhaketë, jelek, këmishë, kravata që deri atëherë nuk i kishte veshë askush. Më quante “inkuizitori im i pamëshirshëm”, dhe ende sot, herë mbas here, televizioni transmeton puntata të pjesëmarrjeve të tij në “Lascia o raddoppia?”. Veshja e tij e asokohe sot nuk krijon sensacion kur sheh veshjen e rinisë së tashme, por inteligjenca e tij nuk është kaluar asnjëherë prej askujt. Ai kishte një eksentricitet të pabesueshëm, ndonjëherë vinte i veshur si prift dhe kalonte nën portalet e rrugës “Roma” ose “Torino”, duke këmbëngulur se qe thirrë prej Zotit.

Shumë emocione krijoj pjesëmarrësi që quhej Felice Mannarelli, origjinar i një fshati të humbur në Abruzzo, Montenero Val Coçhiera. Erdhi në “Lascia o raddoppia?” për të paguar studimet. Ishte kaq i varfër aq sa na befasoi të gjithëve kur e pamë duke mësuar nën të vetmen llambë të rrugës së fshatit të tij. Pjesëmarrja e tij ishte kaq emocionuese sa që nga çdo pjesë e Italisë mbërrinin për te ndihma të llojeve të ndryshme. Mannarelli arriti deri te pyetja pesëmilionëshe dhe vendosi ta dyfishonte duke krijuar një emocion të papamë në publik për guximin e tij. “Nëse fitoj këtë shumë që kam fituar deri tani unë mund t’i vazhdoj studimet e mia”, tha, “por më duhet të ndihmoj edhe familjen time”. Kur doli nga kabina ne u trembëm, sepse ai ishte zverdhur dhe të dukej se po mbaronte, por unë dhe Edy Campagnoli, shoqëruesja ime e programit, iu gjendëm menjëherë pranë, të lumtur dhe të gëzuar që kishim mundur të kontribuonim në zgjidhjen e problemeve të tij. Në këtë çast mua më rrodhën lotët.

Për sa i përket ndihmave të nevojtarëve, për publikun ngjalli një emocion shumë të fuqishëm rasti i pjesëmarrëses shumë të bukur nga Toscana, e cila quhej Marisa Zocchi nga Pratolino. Familja e saj kishte një bar, dhe ajo kishte mësuar gjithçka nga çiklizmi sepse bari ndodhej përbri një rruge ku stërviteshin çiklistët e mëdhenj. Nuk thoshte kurrë pse merrte pjesë, por më mbas zbuluam se dëshironte të ndihmonte nënën e saj shumë të sëmurë. Prej frikës së humbjes, mbasi fitoi dy milionë e gjysmë, njoftoi se nuk dëshironte ta dyfishonte shumën, sepse për te kaq mjaftonin. Në këtë çast, duke pa se publiku ishte bërë tejet i ndjeshëm për këtë ngjarje, ndërhyn nga shtëpia e tij Mbreti Faruk, i cili jetonte në Itali në emigracion, duke deklaruar se ishte emocionuar kaq fort sa që kishte vendosë të jepte ai dy milionë e gjysmë për të mbërritur çmimin e lartë përfundimtar…

II.

Do të merrnin pjesë dy personazhe, të cilët do të ngjallnin një befasi të madhe. I pari ishte një i ri me ngjyrë, të cilin e quanin Olabisi Ajala, origjinar i Nigerisë, madje ish sekretar i kryeministrit të Shtetit të tij. Kishte studiuar Psikologjinë në Columbia University të Nju-Jorkut dhe kishte ardhë në Evropë duke udhëtuar në një mënyrë shumë aventureske përmes Francës. Gjermanisë, Holandës dhe Rusisë, ku së fundi ia kishte arritë të futej falë vizës që ia kishte dhënë as më shumë as më pak, por vetë Hrushovi.

Ajala kishte kërkuar të takonte Hrushovin gjatë një udhëtimi të tij në Berlin, por ishte arrestuar sepse policia kishte menduar se mos ishte një atentator. Kur Hrushovi merr kërkesën e tij dhe zbulon se ai ishte aty, e liron siç kishte thënë, nisur nga ajo që kishte treguar vetë Ajala: “Të shkosh në Bashkimin Sovjetik dhe t’iu krijosh mundësinë njerëzve, të cilët nuk kishin pa kurrë se si janë zezakët”! Dhe në të vërtetë, gjatë programit ai më tregonte për takimin e tij në një shtëpi fshatarësh të cilët nuk kishin pa kurrnjiherë një njeri me ngjyrë, e se duke i ofruar një gotë me qumësht, e kishin pyetur: “Në vendin tënd edhe qumështi është i zi si ti?”

Ajala mori pjesë në “Lascia o raddoppia?” i veshur me kostumin tradicional të Nigerisë. Ishte një personazh plot talent dhe tip aktori, dhe vinte përherë me beretat shumë elegante nigeriane. Në mbrëmjen e fundit megjithatë, u paraqit në skenë me frak, bastun me majë argjendi dhe cilindër, ndërsa unë isha veshur me kostumin tradicional të Nigerisë. Duke e ditur se ai nuk e kuptonte mirë italishten, i bënim pyetjet edhe në anglisht. Kur fitoi, ai doli nga kabina dhe më përqafoi duke shkaktuar rrëzimin për tokë të të dyve bashkë. Me paratë e fituara ai vazhdoi udhëtimet e tij nëpër botë. I kërkuar prej të përditshmeve amerikane në Los Angeles, të cilat donin ta nxisnin për të folur për veten, ai u kap mbas një antene televizive ku qëndroi për një ditë të tanë në lartësinë treqind metra…

Personazhi tjetër nuk ishte as më pak dhe as më shumë veçse konkurruesi më i vjetër në gjithë këtë histori. Ishte plot tetëdhjetepesë vjeç, quhej Attilio Zuliani dhe u paraqit për veprat dhe personazhet e Aleksandër Dumasit. Tregonte se deri në tridhjetë vjeç kishte qenë analfabet, nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante, gjëra që i kishte mësuar më mbas kur kishte qenë emigrant në Amerikë dhe një shok i tij i kishte falë për nderim një vëllim të Dumasit që u bë për te libri i parë shkollor.

Mjedisi i “Lascia o raddoppia?”, nuk ishte i rezervuar vetëm për njerëzit të cilët kishin një kulturë të madhe ose të cilët përfaqësonin veçanësi të jashtëzakonshme, çka mund ta bënin elitar më shumë se ç’duhej programin. Kështu që, edhe njerëz të cilët ndoshta nuk çmoheshin fort prej dikujt, mund të merrnin pjesë në debat, ose falë interesit që nxiste programi, prej ku detyronte zhvillimin e tryezave të rrumbullakëta dhe përimtime sociologjike shumë të thella.

Ishte një lajm kur erdhi të merrte pjesë si konkurrent përfaqësuesi i parë nga shoqëria e lartë, mu kontesha d’Aramengo. Natyrisht unë që kërkoja gjithnjë të bëja spektakël dhe të ngjallja diskutime për të gjithë ato që thoja, kur ajo debutoi i putha dorën duke i thënë: “Konteshë, është hera e parë që kam nderin të puth dorën e një personazhi si ju”. Të gjitha këto gjëra sot të bëjnë të qeshësh, por asokohe i shërbenin shtypit për të folur dhe komentuar gjatë.

Një tjetër konkurrente që kujtoj, ishte Rossana Rossanigo, e cila kishte fituar disa konkurse bukurie. Gazetat, të vendosura që gjithmonë të gjenin episode për të treguar, do të shpiknin se unë kisha një dobësi për te, dhe se midis nesh kishte lindur një flirt. U thirra prej drejtuesve të cilët më kërkonin që të sqaroja shpejt keqkuptimin, përndryshe publiku do të mund të mendonte se unë e ndihmoja duke i dhënë pyetje të lehta,

Ndërkaq, unë kisha filluar të bëja ski, e mbas një pushimi të gjatë qëndrimi në SHBA, u bëra tejet entuziast kur erdhi një i quajtur Peiro Tassone i cili dinte gjithçka rreth kampionëve të së kaluarës, rreth Olimpiadave dhe sportistëve tonë të mëdhenj të tipit Zeno Colo, Celina Seghi, Roberto Lacedelli e të tjerë të këtillë. Ai ishte një hekurudhor, dhe në mos gaboj, e kishte humbur vendin e punës. Kur mbërriti te dy milionët e gjysmë, ndali me kaq sepse thoshte, nuk mund të rrezikonte që të humbiste një shumë që për te ishte zgjidhja e të gjitha problemeve të veta.

Në çdo fundjavë shkoja për të bërë ski në Cervinia, dhe atje kisha njohur pronarin e një hoteli të madh të familjes Gallia. Ia rekomandova njërit prej vëllezërve Luiginio, i cili e mori menjëherë duke i besuar depozitën e skive në hotelin që frekuentohej prej VIP-ave, të cilët shkonin në Valle d’Aosta. Falë rrogës që merrte dhe prej garave që zhvillonin, kur do të mbyllej hoteli Tassone, ai ia arriti të hapte në Cervinia një magazinë të bukur të tijen, të cilën e drejtoi për disa vjet.

Ishte edhe një kampion i madh i sportit, më saktë i automobilizmit, i cili quhej Louis Chiron. Midis befasisë të të gjithëve, të sigurt se ai do të zgjidhte pyetje nga Formula 1, përkundrazi ai zgjodhi gastronominë. “Më fort ma fut frikën, - më thoshte një ditë, - llambushka e kuqe e telekamerës se sa gara në pistën e “Mille Miglia”. Mbasi e përfundoi pjesëmarrjen e tij, ai u kthye në Montekarlo për garën. Do të më tregonin mandej, por nuk di nëse është apo jo, e vërtetë, se i kishte dhuruar një prej medaljeve të arta, që kishte fituar, princit Ranieri, i cili kishte ndjekur në televizion provat e tij.

Në programin tonë mori pjesë edhe kompozitori i famshëm John Cage, i cili u paraqit si ekspert i kërpudhave dhe fitoi gjithë ato pará.

Por prej të gjithë personazheve të katër vjetëve të tana të “Lascia o raddoppia?”, më i paharrueshmi ishte Lando Degoli, mësuesi i matematikës së Capri-t. Atij duhet t’ia pranojmë popullarizimin e vërtetë të programit, sepse rasti i tij bëri që të shpërthenin polemika të tilla që pështjelluan gjithë shtypin italian. Puna mbërriti deri te një diskutim në parlament rreth çështjes në fjalë.

Natyra i kishte blatuar atij një lloj humorizmi të veçantë dhe të rafinuar. Sa herë që i tekej, me kadencën e tij emiliane, ai mbante fjalë tejet dëfryese.

“Zotni Mike”, më thoshte gjatë një puntate të mëparshme, duke më bërë për një çast që të mendoja për një skandal, “unë do të tërhiqem”. Kjo shkaktoi një britmë të përgjithshme në teatër, për shkak të këtij vendimi “tmerrues”, që mua më shkatërronte gjithçka, sepse po humbisja një konkurrent të çmueshëm.. “Një çast, një çast, zotni Mike”, vazhdon ai, “unë po tërhiqem… në kabinë!”

Mbas kësaj batute të lumtur, kurrë nuk do të më shkonte në mendja se çka do të ndodhte javën e ardhshme kur situata do të përmbysej e gjitha dhe humori i tij do të ishte krejt tjetër.

Merrte pjesë për muzikën lirike, dhe duke synuar arritjen te dy milionë e gjysmë, mbeti te pyetja e famshme rreth controfagotto-s që ishte pak a shumë kështu: “Në partiturën e melodramave të tij, Verdi ka përdorë ndonjëherë controfagotto-n? Nëse po, në cilën opera?”.

Degoli pati një pëshpërimë, dukej madje i bllokuar. Mbas ndonjë sekonde reflektimi, u përgjigj: “Nuk e di!”

Unë, duke shpresuar se mund ta shpëtoja, këmbëngula: “Thoni një çfarëdo emri që mund të mendoni!”

Thuajse në mbarim të kohës prej një minute që ai kishte në dispozicion, vendos të rrezikojë: “Falstaff!”

Përgjigja ishte e gabuar: “Më vjen keq zotni Degoli, aventura juaj përfundoi, sepse përgjigja e saktë është “Don Carlos”.

Ndërkaq, Degoli iku tejet i mërzitur, dhe të nesërmen vendos që të kërkojë përsëritjen, duke këmbëngulur se pyetja kishte qenë jashtëzakonisht teknike dhe jashtë logjikës së ndershmërisë së garës.

Shpërtheu kështu një protestë e përgjithshme në mbrojtje të tij prej profesionistëve dhe kritikëve të muzikës. Më mbas në një ri-kërkim të menjëhershëm, doli se vërtet controfagotto ishte përdorë te “Don Carlos”, por më parë ishte përdorë te “Macbeth”. Si pasojë ne nuk duhej të thonim “në cilën opera” kishte përdorë Verdi controfagotto-n, por “në cilat opera”…Askush nuk kishte parashikuar ndonjëherë se kjo çështje mund të shkaktonte shpërthimin në gjithë Italinë thuajse të një gjysmë revolucioni. E kuptoj se ky përcaktim i imi sot mund të duket i zmadhuar tejet, por kush ka jetuar atë kohë natyrisht që nuk mund të harrojë interesimin me të cilin ndiqej ky program.

Qysh nga ky çast, fillon gjuetia nga ana e gazetarëve për të zbuluar se cili ishte autori i papërgjegjshëm i pyetjes së famshme të controfagotto-s. Por duke qenë se ishte fjala për një kritik shumë të famshëm të lirikës italiane, RAI nuk dëshironte assesi ta përmendte emrin e tij. Unë zbulova ndërkohë se për kë ishte fjala, por nuk e thashë kurrë për hir të respektit. Një gabim i kësaj natyre në klimën e asaj kohe mund t’i kushtonte fort emrit të tij.

Kundërshtimi më në fund u pranua, dhe Degoli me gjithë këtë tërbim popullor, u rikthye. Në ditën e rikthimit të tij në program, emri i tij dhe i controfagotto-s ishin në faqet e para të gazetave, e gjitha për shkak të një telequiz-i, diçka krejt e pakuptueshme për kohën e sotme! E tillë ishte tifoja dhe interesi për “Lascia o raddoppia?”, që rifilloi një ditë më mbas. “Radiocorriere” dhe të përditshmet e mbrëmjes, sidomos ato të Milanos të tipit “La Notte” dhe “Corriere d’informazione”, do të botonin krejtësisht gjithçka ishte thënë prej meje dhe prej konkurrentëve që nga fillimi e deri te fundi i programit. Kishin bërë stenografimin e të gjitha puntatave! Si të ishte fjala për një mbledhje historike të parlamentit, ose të një procesi që duhej përkujtuar.

Degoli, duke dalë në skenë, paraqiti ndërkaq, një fjalim që tingëllonte thuajse si një leksion për RAI-,”.

“…Nuk kam ndërmend ta bëj këtë skenë Waterloo-në time..”, - tha ai, teksa përdori fjalë që kanë mbetur në historinë e televizionit, të mençme dhe dëfryese njëkohësisht. “Unë nuk jam një hero. Jam një njeri i zakonshëm, si të gjithë të tjerët, ndoshta një hero i të zakonshmes. Për këtë ju më keni ngritur lart. Komisioni ka përgatitur një pyetje tjetër. Kësaj pyetjeje nëse është e lehtë, unë nuk do t’i përgjigjem për çështje dinjiteti. Nëse është e vështirë, prapë nuk do t’i përgjigjem sepse jemi në lidhje me Napolin dhe atje nuk durojnë. Nëse pyetja është ashtu-ashtu, prapë nuk do t’i përgjigjem, sepse dua të mbes për gjithë jetën, ashtu siç tha zotni Mike herën e fundit, njeriu i controfagotto-s. Për sa i përket mandej një milionëve që më kanë dhuruar, këtë natyrisht e pranoj. Ka ndonjë që më ka shkruar: se po të mos i marr, bëj figurë të mirë, dhe të mbaj vetëm makinën. Duke bërë këtë gjest, mendoj se nuk do të kuptohej prej shumëkujt, dhe mbetet fakti që me gjithë propagandën që u bë, po të ktheja mbrapsht një milion, unë do të duhej t’i dërgoja një faturë RAI-t për propagandën që kam bërë, për televizorët që ata kanë shitë e plot të tjera, dhe besoj se tre ose katër milionë më takonin që t’i kisha në pronësi. Si pasojë, besoj se edhe RAI ka një përfitim të mirë duke më dhënë këta një milionë e dyqindetetëdhjetë mijë lireta. Dhe me kaq unë sonte ju përshëndes të gjithëve…”.

Ikja kësisoj e tij i dha një goditje të rëndë drejtimit të lojës. Thuajse të gjithë do të kishin parapëlqyer një fund të lumtur me fitore përfundimtare, por ka mundësi që ky epilog t’i ketë dhënë edhe më tepër forcë dhe besueshmëri programit, sepse kështu ishte provuar se konkurrentët nuk qenë përpunuar. Kanë kaluar kaq vjet qysh asokohe dhe qysh atëherë në programet e mia që erdhën më mbas, programe të tipit “Rischiatutto”, ka pasë gjithë ata “personazhe”, por asnjeri prej tyre nuk arriti popullaritetin e Lando Degoli-t, i cili pati guximin të polemizonte haptas me RAI-n e paprekshëm.

Vijon numrin e nesërm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›