E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida proverbiale e Kryeministrit Berisha

Autori i Lajmit: red.
Nga Shkëlqim SULO

Që të bëhemi pjesë e Evropës duhet t i përcjellim asaj jo vetëm një ndërgjegje të përbashkët kolektive, por edhe një ndërgjegje të përbashkët politike. Ndaj tingëllon e pakuptueshme dhe absurde deklarata e zotit Rama për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe për inicim të aksionit politik të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Kjo do të thotë që opozita inspirohet të mos bashkëpunojë për reformat e mëdha integruese që, siç dihet, kërkojnë një juridiksion të përbashkët dhe politikë të përbashkët institucionale. Për Brukselin dhe institucionet që vëzhgojnë Shqipërinë kjo, pa dyshim, do të përkthehej si një prirje katastrofale, ndërsa për vetë opozitën ky është një akaparim vullnetar i së keqes së madhe të mundshme, vetëvrasjes politike. Kësisoj me polit-shoën e tij simbolik, duke u kujtuar institucioneve evropiane sëmundjen kronike të opozitës së hershme shqiptare për të përqafuar bojkotin, zoti Rama na del një antievropian i thekur. Duhet thënë se në përgjithësi, pavarësisht nga vonesat në dhënien e së drejtës për të lëvizur pa viza, vlerat e ofruara nga qeverisja e fundit e PD-së, janë vlerësuar me nota mjaft pozitive nga Bashkimi Evropian. Nëse nuk u arrit të kapërcehej kësaj radhe ajo distancë nga Evropa, ndryshe nga shtetet të tjera të rajonit si Mali Zi, Serbia dhe Maqedonia, mendoj se nuk kemi të bëjmë me euroskepticizëm apo me krizë besimi, por thjesht me një çështje strategjike. Fuqitë e mëdha evropiane janë tepër të interesuara të shmangin çdo krizë të mundshme ballkanike. Integrimi, i cili fillimisht ishte i drejtimit ekonomik, tani po shtrihet edhe në fushën politike e strategjike. Pikërisht kjo është arsyeja që solli këtë spostim axhende. Shqipëria ka rrugën e saj të veçantë dhe të pandalshme evropiane. Askush nuk e mohon dot ketë. Është një vend që nuk mund të anashkalohet. Është një faktor që Evropa e ka pranuar prej kohësh, pasi është menaxhuar prej strukturave të saj në të gjitha fazat e reformave dhe rimëkëmbjes se tregut. Ideja bazë e reformave të nxitura nga Evropa ka qenë padyshim zhbllokimi i procesit politik dhe shmangia e ambicieve të klasës politike shqiptare për të krijuar deficite në demokraci, përmes frymës përjashtuese dhe krijimit të klimës konfrontuese dhe antiinstitucionale. Këtu qëndron edhe dilema e shprehur politikisht e institucioneve evropiane për të marrë në shqyrtim kërkesën për anëtarësim pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Por, dihet tashmë se objeksioni properëndimor ka marrë legjitimitet të plotë gjersa KQZ, mbështetur në vullnetin e zgjedhësve shqiptare shpalli rezultatin zyrtar të zgjedhjeve me një votim unanim 7 me 0. Ky vendim, firmosur pa shumë mëdyshje edhe nga komisionerët, të cilët përfaqësonin opozitën në KQZ, rrëzon alibinë e Ramës për manipulimin dhe deformimin e zgjedhjeve. Pa dyshim që ky është edhe një argument i pastër për vlerësuesit e OSBE-ODIHR dhe për vetë institucionet evropiane përpara deklaratës përfundimtare për këto zgjedhje, argument që nuk mund të “markohet” dot i humburi Rama. Kësisoj projekti evropian nuk mund të errësohet dhe të merret peng në vorbullën e pakënaqësisë politike dhe të karrierës personale. Ky personazh i dëshpëruar nuk mund të përdorë një institucion kaq të rëndësishëm, siç është ai i opozitës, për të kompensuar problemet e së ardhmes së tij politike dhe të identitetit vetjak. Kjo përkthehej qartë si një aventurë dhe do të shihej me syze të errëta nga Brukseli. Konfrontimi politik në një vend aspirant si Shqipëria do të ishte burim i shumë të këqijave dhe sigurisht që do të shihej si një deficit demokratik. Komisioni Evropian, në disa raporte të tij ka vlerësuar performancën qeverisëse në Shqipëri, të drejtuar nga zoti Berisha, si një katalizator i luftës kundër korrupsionit, kontrollit të kufijve, garantimit të lirive të biznesit dhe të lirisë së medias, standarde institucionale të shtetit të së drejtës në tërësi. Qeverisja e PD-së, i ofroi vendit ato zhvillime sociale e politike që Evropën e kishin shqetësuar prej kohësh, duke ju afruar dyerve të Brukselit me një biletë të vlefshme. Kultura politike e të drejtave të njeriut, të shtetit juridik dhe demokracisë liberale, kjo ka qenë sfida proverbiale e kryeministrit Berisha këto 18 vjet, për ti kthyer kombit autoritetin e vet politik, me qellim që qytetarët shqiptarë të shohin përpara dhe të mos i kthejnë kurrizin te zhgënjyer vendit të tyre, shtetit dhe politikës. Por njerëz të kallëpit Rama, ksenofobë dhe pa identitet, njerëz pa atdhe, tradite e fe, njerëz qe nuk kanë sjellë asnjë busull shpirtërore dhe që në emër të demokracisë liberale, frymëzohen nga projekte absurde përtej së majtës dhe meje , që do të thotë as majtas dhe as djathtas, por vetëm ku të më shkrepet mua(!). Këto janë sindroma populiste që kërkojnë të instrumentalizojnë pakënaqësitë e njerëzve të thjeshtë, për të humbur besimin ndaj institucioneve, për të zhvendosur krizën personale të njeriut Rama, në krizë të legjitimitetit dhe identitetit të shtetit e të shoqërisë. Ne vështrimin social-psikologjik thirrje të tilla mbartin rreziqe, pasi prishin konsensusin politik, nxitin pasigurinë dhe i krijojnë terren ngjalljes së botëkuptimeve të vjetra. Thirrje të tilla të planit emocional, ku motivet personale vihen në plan të parë, bëhen rëndom për të motivuar mungesën e bashkëvendosjes demokratike. “Mesha propagandistike” e Edi Ramës për “zgjedhje të parakohshme” është sa populiste aq dhe anarkiste. Ajo i ngjan një tullumbaceje rozë të lëshuar nga oborri i PS-së dhe që mund të pëlcasë 10 metra më larg deri tek Teatri i Kukullave. Ka ardhur koha që edhe Rama të bëhet politikan dhe të kuptojë se bashkësia politike që ai përfaqëson si “kryetar në detyrë”, nuk ka të ardhme dhe nuk mund të ekzistojë, nëse nuk mbështetet në kulturën politike të shoqërisë së qytetarëve të bashkësisë së vet politike. Pa “karburantin” e vet civil PS-ja dhe kushdo qoftë në vend të saj është krejt e humbur. Mbajtja gjallë e frymës së bashkëpunimit dhe luajalitetit, të të sjellurit e qytetëruar dhe njohuritë politike realiste dhe jo të mbështetura në dogma autoritariste, nuk janë detyrë vetëm e pozitës dhe e shtetit, por edhe e opozitës, si një partnere në praktikën politike demokratike dhe në realizimin e detyrimeve kushtetuese. Të drejtat e opozitës nuk mund të futen me përdhunë në uniforma individualiste, por duhet të bashkëveprojë fuqishëm me të drejta qytetare të lidhura, pas kushtesh ekonomike, shoqërore dhe idealeve kombëtare, një prej të cilëve është edhe prosperiteti evropian i shqiptarëve. Shqiptarët votuan sërish projektin evropian të PD-së dhe aleatëve të saj, pikërisht se ajo kishte lajtmotiv hyrjen e shpejtë në BE dhe lëvizjen e lirë si prolog të këtij procesi, ndjekjen e një politike të përbashkët për çështjen evropiane, në mënyrë që vendi të mbërrijë sa më shpejt te klauzola e anëtarësimit të plotë. Ky shpenzim i stërmadh energjish politike, intelektuale dhe njerëzore mund të kuptohet vetëm po të bëhet krahasimi me 4 vjet më parë, ku krimi dhe korrupsioni i lartë administrativ e shtetëror, kur rrogat dhe pensionet ishin në nivele mjerane dhe kriza e besimit ishte ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare. Kjo ndodhi se demokratët të drejtuar me një frymë moderne dhe kombëtare nga kryeministri Berisha i qeverisën në mënyrë demokratike çështjet ekonomike të mirëfillta dhe i vunë në shina të sigurta reformat duke mos e shpërfillur kuptimin e përgjegjësisë politike, ndërkohë që Bashkia e zotit Rama ishte përfshirë në një zell të tepruar për rritjen e taksave në mënyrë krejt të padrejtë dhe abuzive. Kjo tregon se ju zoti “kryetar në detyrë”, i socialistëve nuk i keni kuptuar mirë nevojat dhe aspiratat e zhvillimit njerëzor dhe të pasurimit shpirtëror e material të shqiptarëve, por keni parë vetëm interesat tuaja personale. Ju ende nuk keni kuptuar një gjë gjatë karrierës suaj, jo dhe aq të shkurtër politike, sidomos kur je i prirur nga ngasjet e arbitraritetit dhe padrejtësisë. Në çastin kur populli shqiptar ka hyrë në histori duke përdorur shumicën e vet politike shoqërore për të realizuar ëndrrën e vjetër të integrimit, ju keni mbetur në gjendje papjekurie apo vuani nga komplekse patologjie duke u përpjekur me lloj-lloj marifetesh të maskuara në emër të parimeve, për të shijuar privilegjet tuaja, pa rrezikun e dështimit, i cili automatikisht nënkupton dorëheqjen. S ka gjë më të rehatshme për një kallp politik se sa përdorimi i parimeve për iluzion. Demokracia, zotëri, nuk mund të sajohet. Ajo krijohet në vazhdimësi dhe pa ndërprerje. Autoritarizmi mban gjallë iluzionin e zotërimit të së vërtetës jo vetëm të plotë, por edhe të së drejtës përfundimtare, sidomos kur personifikohesh tek një njeri, i cili e di veten të pazëvendësueshëm dhe kërkon ta përfundojë aventurën e vet pa asnjë shtytje. PS-ja si forca më e madhe e opozitës ka nevojë për një lider të vërtetë për një vullnet politik në shërbim të të njëjtit ideal me shumicën e shqiptarëve, që pa dyshim është demokracia e vërtetë dhe integrimi evropian. Dhe sot këtë gjë është duke e bërë më së miri qeveria demokratike me kryeministër Sali Berishën.

(Autori ka realizuar Masterin “E Drejta Evropiane dhe Diplomaci”)
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›