E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida që mban ndezur Botërorin, Slloveni-Shqipëri 1:0 SHIKO NDESHJEN LIVE

LUBJANE - Kilometrat nga Tirana në Ljubjanë janë vetëm 685, aspak të krahasueshme me linjën ajrore që lidh Shqipërinë me Brazilin, por jetike për të prerë biletën drejt vendit të sambas. Shqipëria sonte po ndeshet me Slloveninë, e cila do të heqë shumë pikëpyetje rreth ankthit dhe ëndrrës që mundon një popull, kualifikimin në Botërorin 2014. Kuqezinjtë janë të karikuar, por ndoshta kjo nuk mjafton, pasi në këtë lojë magjike duhet të kesh edhe pak fat. Objektivi minimal është të mos humbësh, por futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe këtë e dinë të gjithë aktorët kuqezinj. 

PJESA E PARE
Ndeshje nis e vrullshme për kuqezinjtë tanë, që mundohen t’i imponohen kundërshtarit. Të besuarit e De Biazit luajnë fort për topin e parë dhe ushtrojnë presing shumë pranë lojtarëve sllovenë. Shqipëria e ushtron manovrën difensive mjaft në thellësi, duke u munduar ta mbajë skuadrën vendëse në gjysmëfushën e vet. Beteja kryesore zhvillohet në mesfushë, ku Basha dhe Bulku kanë për detyrë të filtrojnë aksionet e sllovenëve me destinacion portën tonë, ndërsa Kace bën regjizorin. Topat e gjatë janë pasime të përpikta të shtatshkurtërit të PAOK-ut në të dy krahët, sa te Roshi dhe te Rama, që tentojnë këndoret, por edhe te Cani, sulmuesi ynë i vetëm. Në këtë muzikë loje, që zgjat dhjetë minutat e para të ndeshjes, kemi vetëm një gjuajtje të Ervin Bulkut në drejtim të kuadratit të Handanovic. Por, pa shënjestrën e duhur. Më tej, sllovenët janë zgjuar dhe nisin të qarkullojnë dendur e saktë topin, të dalin befasishëm me pak pasime në kundërsulm, duke i zënë kuqezinjtë “shah mat” në mesfushë. Në këtë repart mungon koordinimi i duhur i veprimeve të tanëve, cka e lë mbrojtjen disi të zbuluar karshi kundërshtarit. 
Në minutën e 11-të gabon Cana në largimin e topit nga zona kuqezi, por fatmirësisht në ndihmë i vjen Agolli, që ia heq topin lojtarit slloven në momentin final, kur do të godiste në portën e Berishës. Dhe vjen minuta e 19-të, kur Roshi shkakton një faull në mesfushë, pas një dyluftimi ajror me kundërshtarin. Tanët hezitojnë të ngrenë mur, por edhe të “sistemohen” në mbrojtje. Për pasojë, sllovenët arrijnë të shënojnë golin e parë të ndeshjes. 

22-vjecari Kampl lihet i lirë të avancojë i pashqetësuar nga mesfusha deri te vija ballore e zonës sonë, aty nuk e pengojnë as mbrojtësit, krejtësisht të hutuar, kështu që mesfushori slloven lëshon një goditje të kalibruar, e cila përfundon thuajse në trekëndëshin e majtë të Berishës. Ky i fundit kishte dalë paksa nga porta dhe u zu, po ashtu, në befasi nga goditja e Kampl. Ky është moment i artë për skuadrën e Katanecit, që clirohet nga ngarkesa psikologjike dhe ngërci i minutave të para, për t’i kontrolluar me qetësi e saktësi përpjekjet e kuqezinjve në minutat e mbetura të pjesës së parë. 

Sidoqoftë, pavarësisht dëshirës, tanët nuk kanë kthejlltësinë e nevojshme në ndërtimin e aksioneve, repartet janë të distancuara nga njëri-tjetri, ndërkohë që Cani mbetet i “burgosur” mes tre mbrojtësish sllovenë. Në minutën e 35-të kemi sërish një tjetër hezitim të mbrojtjes sonë, teksa Kampl, autori i golit të parë, lihet i lirë të vihet në pozicion ballor me Berishën, të godasë, por fatmirësisht lehtë. Portieri i kombëtares sonë prit në pozicion. Sa i takon rrezikshmërisë së Shqipërisë në këtë fraksion loje, rasti i vetëm i vërtetë, që përfundoi me goditje në portën sllovene, erdhi shumë vonë, në minutën e 43-të. 

Agolli nga e majta e ofensivës kuqezi pason një top të bukur për te Roishi, që është pozicionuar në qendër të zonës kundërshtare. Fieraku godet fluturimthi, por Handanovic pret në pozicion. Me këtë mundësi të mirë të të besuarve të De Biazit mbyllet gjysma e ndeshjes, që pati volum më të madh loje nga kuqezinjtë, por pa efektivitet, sidomos në fazën ofensive. Sllovenia u tregua më pragmatiste dhe arriti t’i ndëshkojë tanët në minutën e 19-të, duke u “bërë me krahë” në njëfarë mënyre. (marre nga panoramasport)

DE BIAZI
Si një profesionist, trajneri De Biazi e di se premtimet janë të tepërta, por gjithmonë është e mirë një dozë karikimi për këmbët e djemve. "Sllovenia nuk është veçse shkalla e radhës që skuadra duhet të ngjisë. Kondicioni fizik do të jetë një faktor vendimtar në këtë përballje. E kam thënë edhe më herët, ne do të futemi në fushë për të fituar, kjo as që diskutohet. Nuk mund të bëjmë llogari në këto momente, ajo që kërkoj unë është përqendrim dhe rezultat; një apo tri pikë, nuk ka rëndësi, dua që të mos humbim kurrsesi. Sa i përket taktikës apo formacionit, kjo mbetet për t'u parë edhe në varësi të kundërshtarit, pra nuk mund të them detaje një ditë para ndeshjes", - ka deklaruar trajneri De Biazi para se të nisej dje drejt Sllovenisë.
 
FORMACIONI
Si do të zbresë në fushë skuadra shqiptare sot? Berisha mbetet në avantazh të dukshëm ndaj Ujkanit në katërkëndësh, ndërsa Teli duket se e ka fituar balotazhin me Osmanin për të zëvendësuar Mavrajn. Lila dhe Agolli mbeten dy mbrojtësit e krahut më në formë për momentin, kjo edhe në mungesë të Dallkut, që mungon për arsye kartonësh. Ndërsa Basha dhe Bulku mbeten preferencat kryesore në qendër të mesfushës. Dy "pistonat" e mesfushës në krahë do të jenë Rama dhe Roshi. Aplikimi i skemës me një qendërsulmues, si Edgar Çani, përjashton Salihin, por fut në lojë mesfushorin Ergys Kaçe. Gjithçka duket gati, Shqipëria kërkon ëndrrën, Sllovenia synon të na e prishë. 

TIFOZET
Sot, në stadiumin prej 16 mijë vendesh ku do të luhet ndeshja Slloveni-Shqipëri, në orën 20:30, priten të jenë edhe shumë tifozë shqiptarë. Grupimi "Tifozat Kuq e Zi" ka deklaruar se do të jenë rreth 500 vetë, ndërsa shqiptarë të tjerë janë nisur nga Shqipëria, Italia, Gjermania, Austria dhe Zvicra. Mendohet që numri i tifozëve shqiptarë në këtë ndeshje të shkojë rreth 3 mijë vetë, duke mos i lënë vetëm futbollistët kuqezinj. Është një nga ndeshjet kyçe dhe miliona shqiptarë sonte do t'i kenë sytë nga ekrani për të ndjekur Kombëtaren, e cila mund t'i gëzojë. 

(E.Ilnica/BalkanWeb)
Lidhje te tjera SHIKO NDESHJEN LIVE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›