KLD-ja nis hartimin e organikës së re për gjykatat
Laureta Rryçi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë po harton listën e re me emrat e gjyqtarëve dhe gjykatat ku do të punojnë ata. Një grup pune i posaçëm po kalon në “sitë” emrat e të gjithë gjyqtarëve që do të preken nga transferimet. Në mbledhjen e fundit Këshilli vendosi që transferimet të bëheshin pa pëlqimin e gjyqtarëve. Burime pranë KLD-së shpjeguan dje se në bazë të dekretit të presidentit po mendohet se si do të bëhet shpërndarja e gjyqtarëve. Të njëjtat burime shpjeguan se për përzgjedhjen e emrave konkretë po bazohet në kriteret e vlerësimit për secilin gjyqtar, si dhe ecurinë e karrierës gjatë këtyre viteve. Dekreti i fundit i presidentit rriti ndjeshëm numrin e gjyqtarëve në disa gjykata. Tani duket se është përgjegjësi e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të bëjë transferimet e duhura.
Transferimet
Anëtarët e KLD-së, në mbledhjen e fundit ranë parimisht dakord se duke qenë se transferimi i gjyqtarëve do të bëhet pa pëlqimin e tyre, të vendoseshin disa kritere. Në këtë mënyrë, sipas tyre, grupi i punës do të bënte një përzgjedhje sa më profesionale dhe gjyqtarët në gjykatat që do të përcaktoheshin do të jepnin më të mirën e tyre të mundshme. Po kështu është menduar se me transferimin e gjyqtarëve do të prishen shumë skema që mendohet se janë krijuar mes gjyqtarëve. Sipas ankesave të qytetarëve duket se nëpër gjykata ekzistojnë raste kur jepen me qëllim dorëheqje nga dosjet për ta marrë një tjetër koleg. Gjyqtarët që kanë dalë mirë apo shumë mirë në sistemin e vlerësimit, që ka vite që aplikohet në vendin tonë, do të jenë të parët që do të shqyrtohen për t’u transferuar në gjykatat më të mëdha të vendit. Kjo edhe për të rritur imazhin e Gjyqësorit dhe për të pakësuar sa më shumë stërzgjatjet e proceseve civile dhe penale.
Gjykatat
Burime nga Këshilli shpjeguan se dy gjykatat ku numri i gjyqtarëve do të rritet dhe përzgjedhja do të kalojë në një filtër më të madh janë Gjykata e Tiranës dhe ajo e Durrësit.
Gjatë takimit të disa ditëve më parë me kryetarët e gjykatave, në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tregoi se për përzgjedhjen e këtyre gjyqtarëve po bashkëpunohet midis anëtarëve të Këshillit që përfaqësojnë Parlamentin, Gjyqësorin dhe atyre ex officio, siç janë ministri i Drejtësisë dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjithnjë në drejtimin e Presidentit të Republikës. Për këtë riorganizim të organikave të gjykatave, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të unifikojë politikën e lëvizjeve që krijon në sistemin gjyqësor nga ky riorganizim, duke përcaktuar metodën konkrete të lëvizjeve, sipas së cilës transferimi i gjyqtarëve në gjykata të të njëjtit nivel do të bëhet pa pëlqimin e tyre. Kjo përjashton procedurat e kandidimit të gjyqtarëve nëpër vendet e shpallura si vakante dhe ka qëllim të evitojë preferencat e gjyqtarëve në disa gjykata kryesore të vendit, si Tiranë dhe Durrës, në raport me disa të tjera si ajo e Përmetit, në të cilën gjithashtu, për qëllime të organizimit të drejtësisë, duhet të ketë lëvizje të gjyqtarëve. Në këtë riorganizim pritet të kihet parasysh raporti i drejtë midis plotësimit të nevojave jo vetëm të gjyqtarëve për promovim apo transferim, me nevojat e gjykatave.
Dekreti i presidentit përcaktoi:
1. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, 11 gjyqtarë
2. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, 5 gjyqtarë
3. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, 24 gjyqtarë
4. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, 17 gjyqtarë
5. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, 16 gjyqtarë
6. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, 13 gjyqtarë
7. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, 7 gjyqtarë
8. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 21 gjyqtarë
9. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, 7 gjyqtarë
10. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, 6 gjyqtarë
11. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, 6 gjyqtarë
12. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, 9 gjyqtarë
13. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, 10 gjyqtarë
14. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, 4 gjyqtarë
15. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet, 4 gjyqtarë
16. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 8 gjyqtarë
17. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, 4 gjyqtarë
18. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, 9 gjyqtarë
19. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 19 gjyqtarë
20. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, 61 gjyqtarë
21. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, 4 gjyqtarë
22. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, 18 gjyqtarë
23. Në Gjykatën e shkallës së parë për Krime të Rënda Tiranë, 16 gjyqtarë
Debatet për dëshminë
Procesi për bandën e Lushnjës, avokatët braktisin sallën e gjyqit
Seanca e radhës për bandën e Lushnjës ka vijuar dje me debate të ashpra mes avokatëve dhe kolegjit penal. Shkak është bërë vendimi i gjyqtarëve për të pranuar si dëshmi në këtë proces rrëfimin e Gramoz Selmanit. Ky vendim ka sjellë reagime të avokatëve, të cilët nuk ngurruan të akuzonin kolegjin penal si të njëanshëm në këtë proces. Avokatët u shprehën se do të kërkojnë përjashtimin e këtij kolegji penal nga gjykimi i kësaj dosjeje. Sipas mbrojtësve të të pandehurve të bandës së Lushnjës, gjyqtarët po mbrojnë interesat e përfaqësuesit të prokurorisë duke shkelur kështu të drejtat e klientëve të tyre. Kolegji penal kërkoi të vijonte procesi normalisht duke u kujtuar avokatëve se kishin të drejtë ta apelonin këtë vendim dhe se kjo nuk ishte arsye për të prishur seancën gjyqësore. Mirëpo seanca nuk vazhdoi më tej. Avokatët, në shenjë proteste, u larguan nga salla e gjyqit. Kolegji penal u detyrua të përcaktonte një tjetër datë për vijimin e procesit, që ndodhet në fazën e dëshmitarëve. Dëshmia e Gramoz Selmanit ishte një nga çështjet që solli debat edhe seancën e kaluar në këtë proces. Kur kanë kaluar dy vjet nga procesi ndaj pjesës së dytë të bandës së Lushnjës, një memo e avokatëve mbrojtës e bërë për çdo seancë zbulon se prokuroria ka harruar çështjen e Gramoz Selmanit duke e ngatërruar atë nga i akuzuar për vrasje në ngjarjet e Lushnjës, në dëshmitar. Në memon e tyre avokatët këmbëngulën se Gramoz Selmani akuzohet për gjashtë vrasje dhe ka kontradikta në pozicionin e tij në ngjarjet e Lushnjës, madje për të ekzistonte masë arresti në mungesë, ndërsa nuk ka asnjë vendim nga Prokuroria e Lushnjës për pushim të hetimeve.
17 Tetor 2009