Ndërtimi, sektori kryesor i ekonomisë, qarkullon 1.5 miliardë euro në vit
Ervin KOÇI
Ndërtimi mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit, që aktualisht, ashtu si shumë të tjerë, po përballet me pasojat e krizës ekonomike. Në sektorin e ndërtimit ushtrojnë veprimtari një numër i konsiderueshëm shoqërish ndërtimi, të krijuara gjatë viteve të dekadës së fundit. Sipas informacionit zyrtar të publikuar nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, këto shoqëri ushtrojnë një aktivitet të fuqishëm, i cili, për nga volumi i qarkullimit që realizojnë arrin në rreth 1.5 miliardë euro në vit. Në fund të vitit 2008, në sektorin e ndërtimit ushtronin veprimtarinë e tyre rreth 2500 shoqëri ndërtimi gjithsej, nga të cilat mbi 1000 vetëm në Tiranë. Aktualisht mund të thuhet që një numër i konsiderueshëm i shoqërive të armatës së madhe të ndërtimit është konsoliduar duke u kthyer në kompani të mirëfillta kapitaliste me aktivitet të gjerë në investime që kapin shifrat e miliona eurove. Shumë prej këtyre shoqërive tashmë kanë krijuar emrin e tyre dhe ushtrojnë veprimtari, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Me potencialet e tyre teknike, teknologjike, njerëzore e financiare, ato janë të afta të marrin përsipër për të kryer çdo lloj investimi apo projekti sado i sofistikuar. Një pjesë e madhe e këtyre shoqërive ushtrojnë veprimtari prej shumë vitesh dhe kanë krijuar një eksperiencë të vyer teknike, profesionale, organizative dhe administrative në fushën e ndërtimit. Nga ana tjetër, stafet teknike të këtyre shoqërive kanë krijuar eksperiencë të çmuar profesionale, të aftë për t’u përballur me çfarëdolloj situate në këtë fushë dhe me çdo lloj projekti ndërtimi apo infrastrukture.
Aftësia ndërtuese
Falë kapaciteteve të fuqishme të akumuluara në vite, si dhe falë eksperiencës së marrë në punë dhe investime të shumta, aktualisht shoqëritë e ndërtimit në vend arrijnë të kryejnë një volum të konsiderueshëm ndërtimesh të të gjitha llojeve. Ato janë në gjendje të ndërtojnë pallate banimi, qendra biznesi, rrugë, aeroporte, vepra të ndryshme industriale etj. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, si zëri më i fuqishëm i gjithë komunitetit të ndërtimit, është munduar të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura për të dialoguar me institucionet përkatëse shtetërore, në funksion të gjetjes së zgjidhjeve më të përshtatshme për zhvillimin e sektorit të ndërtimit. Është kryesisht rezultat i presionit të shoqatës dhe i përpjekjeve që ajo ka bërë që, aktualisht një numër problemesh janë zgjidhur apo janë futur në rrugën e zgjidhjes. Por, nga ana tjetër, është fakt se sektori i ndërtimit është përballur dhe po përballet akoma me kushtet e një klime të përgjithshme jo shumë të favorshme për biznes.
Problemet
Shoqërive të ndërtimit u është dashur të përballen me pengesa e vështirësi të shumta, të cilat kanë pasur efektet e tyre negative, direkt në volumin e punimeve të kryera, në numrin e punonjësve që ato kanë punësuar, në trajtimin e punonjësve, në të ardhurat e gjeneruara dhe, së fundi, edhe në shumën e detyrimeve të paguara prej tyre për buxhetin e shtetit. Të dhënat tregojnë se, si rezultat i kësaj klime jo të favorshme, një numër relativisht i madh i shoqërive të ndërtimit nuk kanë kryer fare veprimtari gjatë vitit 2008. Po të kemi parasysh faktin se secila nga këto shoqëri ka pasur potenciale teknike në dispozicion, si makineri, pajisje teknologjike, si dhe faktin se me fatin e këtyre shoqërive, është lidhur edhe fati i një numri të konsiderueshëm punonjësish të të gjitha niveleve, kuptohet qartë se çfarë dëmi të madh i është shkaktuar ekonomisë së vendit, si pasojë e bllokimit të pakuptimtë të aktivitetit të ndërtimit gjatë viteve të fundit, për shkak të mungesës së lejeve për ndërtim dhe të pengesave të tjera absurde të karakterit fiskal, administrativ e teknik.
Mungesa e likuiditetit, ndërtuesit i kërkojnë ndihmë qeverisë
Sektori i ndërtimit është një ndër më të goditurit nga kriza ekonomike në vend. Sipas përfaqësuesve të këtij sektori, janë mbi 4000 apartamente që kanë mbetur pa u shitur në të gjithë vendin, ndërsa aktiviteti i ndërtimit është tkurrur si pasojë e reduktimit të likuiditeteve. Shkak për këtë janë bërë faktorë të ndryshëm ku dy prej më të rëndësishmëve janë, bankat që kanë prerë kreditimet dhe dërgesat e emigrantëve që kanë rënë ndjeshëm sidomos këtë vit. Shqetësimet janë bërë prezente në kuadër të Ditës Botërore të Ndërtimit, ku Shoqata e Ndërtuesve (SHNSH) i bëri apel qeverisë për përcaktimin e një strategjie sa më të qartë për zhvillimin e këtij sektori, por edhe forcimin e kontrollit publik mbi bankat, me qëllim që ato të vazhdojnë të zbatojnë si duhet misionin e tyre të financimit të ekonomisë. Duke shfrytëzuar këtë aktivitet ndërtuesit gjetën rastin të bëjnë edhe njëherë publike shqetësimet e tyre të vazhdueshme që lidhen me mungesën e partneritetit me qeverinë, mungesën e strategjive për sektorin e ndërtimit, mungesën e planeve rregulluese në qytete por dhe arbitraritetin e administratës tatimore. Nisur nga kjo situatë kritike, ndërtuesit kërkojnë rregullimet e nevojshme ligjore me qëllim normalizimin e biznesit të ndërtimit. Ata cilësuan shfaqe të mentalitetit të gabuar qeverisës, zbatimin e mjaft ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me vendosjen e referencave. Ndërtuesit i paraqitën qeverisë dhe një paketë masash stimuluese për të lehtësuar biznesin e ndërtimit të goditur nga kriza.
Shoqata e Prodhuesve të Veshjeve i paraqet qeverisë 4 masa antikrizë
TIRANË – Kriza që ka përfshirë sektorin fason, ku janë të punësuar mbi 100 mijë persona, ka detyruar krerët e Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve që t’i parashtrojnë qeverisë një paketë masash për të dalë nga gjendja. Përmes një deklarate zyrtare ajo kërkon nga qeveria që të përjashtojë nga TVSH-ja biznesin e eksportuesve të veshjeve, konfeksioneve dhe këpucëve, të hiqet taksa e tatim-fitimit, të kompensojë rritjen e çmimit të energjisë dhe të paguajë sigurimet shoqërore për një periudhë 1-vjeçare. Këto kërkesa janë artikuluar dhe parashtruar para qeverisë pas takimit që zhvilloi Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve. Përmes këtyre pikave ata synojnë që të zgjidhin problemet e rënda me të cilat përballet sektori fason sot.
Taksat e larta, rritja e çmimeve të lëndës së parë dhe ulja e kërkesës nga tregjet e huaja e kanë futur në kolaps këtë sektor. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se deri më tani janë larguar nga puna rreth 13 mijë vetë për shkak të gjendjes së vështirë financiare që ndodhet kjo industri. Shumë sipërmarrës kanë deklaruar se do të mbyllin bizneset nëse do të vazhdojë kjo situatë. Rritja e paralajmëruar e energjisë pritet të jetë një tjetër goditje për industrinë fasone në vendin tonë.
KËRKESAT
1. Përjashtimin nga (TVSH) të biznesit eksportues të veshje/konfeksioneve dhe këpucëve
2. Përjashtimin nga taksa e tatim-fitimit për një periudhë të pacaktuar, në varësi të krizës
3. Kompensimin e plotë të çmimit të rritur të energjisë elektrike
4. Qeveria të marrë përsipër për një vit pagimin e sigurimeve shoqërore për punëtorët e rinj
Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari Amerikan USD 92.14 +0.09
EURO EUR 137.27 +0.05
Poundi Britanik GBP 150.63 +1.38
Franga Zviceriane CHF 90.50 -0.22
Jeni Japonez (100) JPY 101.06 -1.12
Dollari Australian AUD 84.86 +0.26
Dollari Kanadez CAD 89.13 -0.60
Ari(OZ 1) XAU 96583.13 -212.70
Argjend(OZ 1) XAG 1593.98 -13.22
Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 12:16:04, 16.10.2009
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.34%
12M 12-mujor 7.85%
6M 6-mujor 6.84%
3M 3-mujor 5.91%
1M 1-mujor 5.61%
1Ë njëjavor 5.28%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.93%
1Ë njëjavor 6.38%
o/n njëditor 6.23%
12M 12-mujor 9.41%
6M 6-mujor 8.34%
3M 3-mujor 7.41%
Burimi: BSH. përditësimi i fundit: 15.10.2009
17 Tetor 2009