E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton referendumin për mbetjet

29-06-2012 / Gazeta 55

Kërkesa do t’i përcillet Gjykatës Kushtetuese më 3 janar 2013

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të enjten t`i hapë rrugën organizimit të një referendumi të përgjithshëm “kundër mbetjeve”, të kërkuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave(AKIP).
Pas dy ditë shqyrtimi të kërkesës, KQZ, me 6 vota pro, vendosi dje ta konsiderojë të rregullt dokumentacionin e paraqitur nga grupi nismëtar i AKIP, që kërkon mbajtjen e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Kryetari i KQZ, Arben Ristani, tha se “kjo është hera e parë që shqyrtimi i një kërkese për referendum vjen deri në një nivel kaq të lartë, dhe përsëriti vëzhgimin se midis firmave kishte edhe nënshkrime të falsifikuara”.
Pas miratimit të projektvendimit, KQZ, sipas ligjit do ia përcjellë kërkesën për referendum Gjykatës Kushtetuese më 3 janar 2013, e cila më pas do marrë në shqyrtim ligjshmërinë e saj.
Gjithashtu, për vendimin e djeshëm të KQZ-së do të njoftohet dhe kryetari i Kuvendit dhe kryeministri.    
Në nëntor 2011, Aleanca kundër Importit të Plehrave depozitoi në KQZ kërkesën për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", i miratuar në Kuvend në shtator 2011. 
Sipas grupit nismëtar, dy nene të këtij ligji (22 dhe 49) lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›