Sfidohen pretendentët për titull

Ndeshja derbi e xhiros së tetëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Mitrovicë, ku njëri prej kandidatëve më seriozë për titull të kampionit, Trepça ’89 do të ballafaqohet me kampionin në fuqi, Hysin.
‘Xehetarët’ aktualisht gjinden në pozitën e tretë të renditjes tabelore me 29 pikë, gjashtë më pak sesa lideri Prishtina, e cila e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Mitrovicasit synojnë ta mposhtin ekipin llapjan, me qëllim që t’i qëndrojnë sa më afër ekipit prishtinas, në luftën e tyre për vendin e parë.
“Ndeshjes do t’i qasemi për të shënuar fitore. Luajmë në Mitrovicë dhe me përkrahjen e ‘Torcidës’ ne mposhtnim ekipe edhe më të mëdha, kështu që besoj se do ta mundim edhe Hysin”, ka deklaruar trajneri i mitrovicasve, Rafet Prekazi për Express.
Në anën tjetër, edhe bardhezinjtë konsiderohen si kandidatë për titull të kampionit, pasi tani për tani kanë vetëm dy pikë më pak sesa Trepça ’89. Edhe llapjanët sigurisht se do të përpiqen t’i rrëmbejnë pikët e plota në stadiumin ‘Riza Lushta’, me qëllim të futen edhe më seriozisht në garë për vendin e parë.
Kjo ndeshje është e veçantë për strategun kosovar, Afrim Tovërlanin, pasi do të debutojë si trajner i Hysit, madje pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, të cilën nga Liga e Parë e kishte rikthyer në elitë.
“Do të luajmë kundër ekipit që e kam rikthyer në Superligë, ku pata kaluar jashtëzakonisht mirë me futbollistë, anëtarë të kryesisë, tifozë e gjithë mitrovicasit. Respekt për Trepçën ’89. Por të gjitha këto bien në ujë në momentin e fillimit të ndeshjes. Ne do të aplikojmë lojë të hapur për t’i kënaqur tifozët e pranishëm, kurse ekipi më i mirë le t’i gëzohet fitores”, ka deklaruar Tovërlani.
Ky takim fillon në ora 13:15, derisa në ora 14:00 në Gjakovë, pretendenti tjetër për titull të kampionit, Vëllaznimi do të përballet me Lepencin e riorganizuar, i cili nën udhëheqjen e Muharrem Sahitit objektiv, e ka mbetjen në Superligë.
Superliga – xhiroja e 18-të
E diel
Trepça ’89 – Hysi 13:15
Vëllaznimi – Lepenci 14:00