Kamza mposht Tiranën dhe ruan vendin e tretë
Nis java e 11-të e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj e femra. Sot dhe nesër ndeshjet e tjera. Bardheblutë nuk fitojnë dot në Asllan Rusi
Kamza Basket-Tirana 67-65
(19-15, 19-15, 15-19, 14-16)
KAMZA BASKET: Çakiçi, Ismeti, Kadiu, Lamçe, E.Mehmeti, Memia, Qypi, Ustalli, Vata, Ymeri. Trajner: T. Lenga
TIRANA: F.Përmeti, G.Bujari, Sherifaj, Gjoni, E.Bujari, Dishnica, Kostallari, Ndreu, Duqi. Trajnere. M. Alibegaj
Gjyqtarë: Sh.Bekteshi, G.Cici
Vendi i tretë në renditje duket i sigurt për skuadrën e Kamzës në basketboll për femra, që dje fitoi 67-65 ndaj Tiranës, në një sfidë shumë të fortë dhe të bukur, që mbeti e hapur deri në sekondën e fundit. Një fitore e vështirë, por me shumë vlera për skuadrën e Kamzës, e cila me këtë sukses bën një hap përpara në renditje, ndërkohë që është edhe fitorja e parë në kampionat për trajneren Teuta Lenga.
Tirana edhe dje u drejtua nga përfaqësuesit e klubit, por këtë herë prania e tyre nuk dha rezultatin e pritur në fushë. Këtë sezon, në dy takime që bardheblutë kanë luajtur ndaj Kamzës në Asllan Rusi kanë humbur, duke e pasur një fushë ters.
Takimi në përgjithësi është komanduar nga skuadra e Kamzës, e cila pati një epërsi të lehtë gjatë gjithë kohës, por siç ka treguar shpesh këtë sezon, skuadra rrezikon në minutat e fundit. Kjo ndodhi edhe dje, ku bardheblutë rikuperuan disvantazhin dhe me pak kujdes mund të kishin dalë fituese, por pa ia arritur dot. Kamza shkëputet 19-15 në periodën e parë, shifra që përsëriten edhe në çerekun e dytë, duke bërë që skuadra të ketë një epërsi të lehtë pas gjysmës së parë të lojës, 38-30.
Por gradualisht Tirana do të rikuperojë dhe do të vërë në vështirësi rivalet, duke e ngushtuar diferencën në periodën e tretë. Shifrat 19-15 të periodës përsëritën për të tretën herë, por këtë herë në favor të bardhebluve, që shohin më afër kundërshtaret (53-49 për Kamzën për periodën e tretë).
Kjo sjell edhe më shumë emocione në 10-minutëshin e fundit, madje shpesh rezultati barazohet, por Kamza tregohet më e saktë në minutat e fundit, duke përfituar edhe nga disa gabime të basketbollisteve bardheblu. Koshi në fund për Kamzën i jep asaj fitoren me 2 pikë, 67-65, duke ruajtur vendin e tretë.
