Drita me fitore synon kreun

Njëri prej pretendentëve kryesorë për titullin e kampionit, Drita sezonin pranveror do ta nisë të shtunën në Gjilan para tifozëve të vet, ku do të sfidohet nga Trepça e përforcuar.
Nënkampioni vjeshtor aktualisht gjendet në pozitën e dytë të renditjes tabelore me 32 pikë, tri më pak sesa Prishtina, që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Por, sulmuesi i gjilanasve Florent Sejdiu, i cili sezonin vjeshtor barti pikërisht fanellën e Trepçës, thotë se do të bëjë çmos që të shënojë fitore përballë ish skuadrës me qëllim që të t’i barazojnë pikët me liderin Prishtina, e cila nuk arriti më shumë se një barazim përballë KEK’ut.
“Ambiciet tona janë titulli i kampionit dhe Kupa e Kosovës. Me një punë profesionale, të udhëhequr nga trajneri Bekim Isufi, jemi përgatitur shumë mirë për një fillim të mbarë të sezonit dhe për t’i arritur këto objektiva. Por, ndaj Trepçës nuk do ta kemi lehtë, pasi ka bërë përforcime të qëlluara. Nuk duhet ta nënçmojmë, por nëse i qasemi me seriozitet ndeshjes, atëherë besoj se pikët e plota do të mbesin në Gjilan”, ka deklaruar ai për Express.
Pavarësisht se konsiderohet favorite për ta fituar këtë betejë, Drita nuk do ta ketë aq lehtë ta arrijë një gjë të tillë. Kjo pasi përballë do ta ketë Trepçën e përforcuar bukur shumë, e cila gjatë pranverës do të luftojë për një pozitë sa më të lartë në tabelën e klasifikimit.
“Kemi një ekip me disa lojtarë të rinj e të talentuar. Do ta japim maksimumin në Gjilan për ta befasuar Dritën. Jam optimist se në Mitrovicë do të kthehemi të pamposhtur”, u shpreh qendërmbrojtësi i mitrovicasve, Arben Zhjeqi.
Ndeshje shumë interesante do të zhvillohet edhe në Prizren, ku do të përballen dy skuadrat ndër më të rrezikuarat për t’u larguar nga elita, Liria dhe Gjilani. Kjo e fundit aktualisht gjendet në vendin e parafundit të renditjes tabelore me 16 pikë, një më pak sesa Liria. Andaj, fituesit e këtij takimi do t’i rriteshin mundësitë për të mbijetuar në Superligë.
Superliga – Xhiroja e 18-të
E shtunë
Drita – Trepça 13:15
Drenica – Besa 14:00
Liria – Gjilani 14:00
E diel
Trepça ’89 – Hysi 13:15
Vëllaznimi – Lepenci 14:00