E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malko: Te Lushnja nuk ka vend për eufori

Nga Julian Kasapi

Trajneri i verdhejeshilëve, Saimir Malko, mendon se skuadra do të dhurojë spektakël sot në Roza Haxhiu përballë Skraparit

Lushnjarët, pavarësisht se gjatë javës nuk janë stërvitur në një mot të përshtatshëm, janë të gatshëm për ta fituar bindshëm ndeshjen me Skraparin. Pas 3 pikëve shumë të rëndësishme të marra në Himarë një javë më parë, nuk mund të ndalen në stadiumin Roza Haxhiu.

E gjithë vëmendja gjatë javës ishte përqendruar te 90-minutëshi i sotëm dhe stafi teknik është munduar të riparojë ato defekte, që u vunë re në ndeshjen paraardhëse, sidomos në mbrojtje, pasi Lushnja pësoi 2 gola, gjë që nuk ndodhte që humbjes me Kukësin. Trajneri Malko u ka dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Skraparin, duke punuar edhe në aspektin psikologjik. Lushnja është një skuadër, që nuk duhet të diskutojë as transfertat dhe jo më ndeshjet në shtëpi, por duhet gjithmonë kujdes nga auforia.

I gatshëm është i gjithë kontigjenti i futbollistëve, me përjashtim të Sulos në mbrojtje, që është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq që mori në Himarë. E rëndësishme për lushnjarët është që të kenë mbështetjen e tifozërisë, që pritet ta bëjë si duhet rolin e lojtarit të 12-të.

Tifozëria lushnjare e ka bërë një gjë të tillë, madje me një numër të konsiderueshëm edhe në transfertat deritanishme. Me Skraparin parashikohet që një ndeshje spektakolare, me shumë gola, që do të entuziazmojnë tifozërinë verdhejeshile.

Malko Nuk ka vend për vetëkënaqësi në skuadër. E kam thënë që pas fitores me Himarën që përpara është një tjetër finale, sepse të tilla i konsiderojmë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit. Lushnja është gati dhe këtë do ta tregojë në fushë, mjafton të mos kemi probleme me gjykimin.

Nga ana tjetër, dua që tifozëria jonë e mrekullueshme të na ndjekë në stadium dhe të kënaqet me skuadrën e saj,-  ka thënë trajneri Saimir Malko, duke lënë të kuptohet se nuk ka vend për gabime. Sipas tij, lufta me rivalët është e hapur deri në fund të kampionatit për të marrë një biletë për në superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›