Dede: Luftëtari, kënaqësi me fitore dhe lojë cilësore
Trajneri Nevil Dede fton tifozët gjirokastritë të jenë sa më të shumtë në stadium për ndeshjen e sotme me Besëlidhjen
Në vitin 1975, kur Nevil Dede shikonte në Durrës për herë të par렠 dritën e diellit, në Gjirokastër Bahri Ishka kompozonte atë Luftëtar, që mori në vazhdim famën për kundërsulmin e shpejtë karakteristik dhe rezultativ. Aktualisht, i pari është në përpjekje për të ringjallur Luftëtarin, pasi veçanërisht 10 sezonet e fundit është kthyer në antipod të vetes, duke luajtur vetëm sezonin 2006-2007 në superiore.
Përkimi midis Ishkës dhe Dedes është se që të dy kanë qenë futbollistë ndër më të shquarit, i 17 Nëntorit i pari dhe i Tiranës i dyti, që është i njëjti klub. Pra, mundet që ky fakt të jetë me fat. Në Gjirokastër luhet sot kryendeshja e javës së 19-të, ku Luftëtari kryesues pret Besëlidhjen, që mban vendin e 4-t, me 6 pikë më pak. Për përballjen e sotme, në radhët e Luftëtarit nuk do të jenë mbrojtësi Bledar Shalari i dëmtuar prej kohësh dhe organizatori Nertil Stoja, i dëmtuar me Skraparin.
Dede Trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede, për ndeshjen e sotme shprehet: Ndeshja me Besëlidhjen është e rëndësishme për rezultatin dhe ne do të luftojmë për 3 pikët, që të vazhdojmë përparimin në sajë të këtij suksesi, pra të fitores që do ta arrijmë me lojë sulmuese. Grupi ynë është i plotë, me përjashtim të Stojës, i cili u dëmtua në transfertën e fundit dhe më vjen keq që nuk do të kemi shërbimet e tij.
Por, për një ekip të formuar si Luftëtari i këtij sezoni, nuk ndihet mungesa e një lojtari, ndërkohë që Shalari ende nuk është rikuperuar. Jam i bimdur se me përqendrimin fizik dhe psikik dhe me përkushtimin e duhur, do të arrijmë rezultatin që pretendojmë.
Po ashtu, jam i bindur se do të kënaqemi nga rezultati dhe loja e ekipit tonë. Shpresoj që në stadium të vijnë sa më shumë tifozë për ta përkrahur ekipin e zemrës dhe them se do të mbeten të kënaqur nga loja cilësore dhe rezultati i favorshëm.
7 pikë
ka marrë Luftëtari në 3 ndeshjet që e drejton Nevil Dede. Pas dy fitoreve me Vlorën në transfertë dhe Himarën në Gjirokastër, ky ekip u ndal në Skrapar, ku barazoi pa gola.
2 mungesa
do të kenë gjirokastritët në ndeshjen e sotme. Për shkak dëmtimesh nuk janë të gatshëm mbrojtësi Shalari dhe organizatori Stoja