E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaban Blloshmi, as i pashës, as i beut



(Në 80-vjetorin e vrasjes)

Shekullin XIX dhe XX, në historinë e popullit shqiptar i lidh Rilindja Kombëtare. Pavarësia që u arrit më 1912 qe kurorëzimi i aspiratave të pashuara të popullit shqiptar për liri, pavarësi, dije e përparim. Idetë që lindën në këtë truall, kanë bartësit e tyre, shprehësit e tyre, por edhe luftëtarët e tyre. Një ndër ta qe edhe Shaban Blloshmi nga Bërzeshta, një figurë e spikatur në zonat e Librazhdit e Pogradecit dhe me ndikim të ndjeshëm në viset e Qukësit, Mokrës, Starovës e Strugës. Si veprimtar i përket fundit të shek. XIX, periudhës së Pavarësisë e deri në fund të viteve ‘20 (1929), kur ai vritet nga klane të caktuara dhe për interesa të caktuara politike.

Bërzeshta përmendet që më 1432, kur Gjergj Arianiti fitoi mbi ushtritë osmane. Aty ndodhen dhe rrënojat e një qyteze ilire, me emrin “Maja e murzeve”. Njihen dy kryengritje të banorëve të saj, kundër sundimit osman, më 1562 e 1572. Është vendlindja e atdhetarëve Halit Bërzeshta e Ibrahim Bërzeshta. Shkurt, Bërzeshta qe një nyje e rëndësishme dhe me tradita patriotike.

Shabani u lind më 1882 në Bërzeshtë dhe mësimet e para i merr në Ohër, më pas i vijon ato në Stamboll. Shkrimin e këndimin e gjuhës amtare ai i merr që në moshë të vogël, kur Dervish Hima, i ardhur ilegalisht në Shqipëri, qëndron për pak kohë në Bërzeshtë, në shtëpinë e Shaban Blloshmit, ku organizon me disa të rinj në mënyrë ilegale, mësimin e gjuhës amtare që më 1895. Gjatë qëndrimit në qendrën e Perandorisë ai bie në kontakt me shumë patriotë shqiptarë dhe u bë i njohur në këto rrethe, por veçanërisht miqësinë e ruajti me Ibrahimin dhe Dervishin. Që më 1904 ai kthehet në atdhe dhe në zonën e krahinat e tij organizon lëvizjen e armatosur kundër pushtuesit osman, duke vepruar me çetat e Korçës dhe të Elbasanit. Shaban Blloshmi qe jo vetëm njeri i aksionit e i veprimit, por edhe i mësimit të gjuhës amtare, duke dhënë prova konkrete, si në futjen e librave shqip ilegalisht në atdhe, ashtu dhe në mësimin dhe përhapjen e tyre në popull.

Në vitet 1908-1912, lëvizja kulturore kombëtare karakterizohet nga një ngritje e mëtejshme e shkallës së organizmit të saj, e cila gjen shprehjen në krijimin e një rrjeti të tërë klubesh e shoqërish kulturore-politike, si dhe thirrjen e forumeve të tilla me karakter gjithëshqiptar, siç ishin kongreset kombëtare: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Elbasanit. Kësaj periudhe i përkasin dhe dy letrat që Shaban Blloshmi i dërgon patriotit të njohur Gjergj Qiriazi në Manastir më 12 shtator dhe 26 tetor të vitit 1908. Mesazhi i tyre qenë kërkesat për abetaret, librat e gazetat shqipe për shkollën dhe kulturën kombëtare: “Abetaret që më dërgove i mora… dhe i nisa nëpër fshatra… tani kanë zënë të mësojnë shumë njerëz…”

Si anëtar i klubit patriotik të Starovës, kontributi i tij do të jetë i prekshëm dhe në dy ngjarjet kulturore kombëtare, Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit, duke dhënë ndihmesën e tij në propozimin e delegatëve dhe në përcjelljen e tyre. Në Kongresin e Manastirit klubi i Starovës do të përfaqësohet nga delegatët Hazis Bërzeshta dhe Sulejman Leka, ndërsa në atë të Elbasanit delegatë do të ishin Selman Blloshmi e Sulejman Leka. Çelja e Shkollës Normale (1 dhjetor 1909) do të ishte një tjetër ngjarje që plotësoi aspiratat për arsimin e shkollën shqipe të Shaban Blloshmit. Në Normale bënin pjesë dhe nxënës nga Starova, ku në provimet e fundit për rezultatet pozitive të arritura i jepet çmim nxënësit normalist Mehmet Kadilli.

Me shpërngulje të shpeshta e shtegtime të gjata, njeriu i aksionit do të jetë i pranishëm në ngjarje të rëndësishme me peshë kombëtare, siç ishte shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë. Në një telegram që Kazaja e Starovës më 13 nëntor 1912 i dërgon drejtorit të gjimnazit të Durrësit (në atë kohë në Durrës) Hajdar bej Blloshmit, përzgjedhjen e tij si delegat në kuvendin e Vlorës, nga Bërzeshta veçohen disa firmëtarë, ndër të cilët dhe Shaban Blloshmi.

Shpalljen e Pavarësisë ai e priti me entuziazëm, duke marrë pjesë aktive me armë në dorë për ta mbrojtur këtë pavarësi. Gjatë kësaj periudhe më 1913 në Bërzeshtë hapet e para shkollë shqipe, ku një pjesë të meritës e ka pa dyshim dhe ky veprimtar, duke u përpjekur ta mbajë ndezur këtë vatër të diturisë. Nuk do të kalonte shumë dhe trojet shqiptare do të rrezikoheshin nga Lufta e Parë Botërore e shovinizmi fqinj. Ai si luftëtar aktiv, luftoi me çetën e tij pushtuesit ballkanikë, por dhe organizoi ndihmën vullnetare në Luftën e Vlorës. Qe përfaqësues i Korçës dhe I Pogradecit në Kongresin e Lushnjës më 1920. Por një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij, ishte përfshirja në Lëvizjen Demokratike të viteve ’20, ku Elbasani bëri emër dhe i dha tonin gjithë jetës së vendit në këtë lëvizje (1920-1924).

Në fund të tetorit të vitit 1923 në Elbasan krijohet grupimi politik “As i Pashës, as i Beut” i cili do të vihej përballë grupimeve të tjera politike në Elbasan, për zgjedhjen e deputeteve në Kuvendin Kushtetues. Në listat e shpallura krahas emrave të A. Xhuvanit, S. Cekës. Xh. Kongolit, K. Cipos, S. Shuteriqit etj., ishte i rreshtuar edhe ai i Shaban Blloshmit. Qenë këta delegatë të zgjedhur të Asamblesë së Prefekturës të Elbasanit, që do të përfaqësonin mendimin e popullit për në Kuvendin Kombëtar. Është i njohur historikisht fati i këtyre zgjedhjeve, janë të njohura presionet, rrahjet, grabitjet e votës, por meriton vëmendje një letër e Shaban Blloshmit ku i denoncon këto akte, drejtuar kryetarit të këshillit të përkohshëm të këtij grupimi politik, z. Rrapush Demeti.

Ndër të tjera ai shkruan s: “... Ligji po shkelet, por logjika e tij do të ndodhet sot në Skroskë”.

Shaban Blloshmi qe fanolist, me ide e pikëpamje demokratike. Punoi shumë dhe për çeljen në vitet 1927-1928 të një konvikti (internat) në Bërzeshtë për nxënësit e krahinës. Vitet ‘20 dhe dekadat që do të vinin, në Luftën e Dytë Botërore, për fisin e madh Blloshmi nga Bërzeshta do të kishte ndarje në ide, pikëpamje e përqafime të ndryshme politike. Ishte kjo arsyeja që më 5 nëntor 1929, kur po dilte nga shtëpia për të paguar me paratë e tij punëtorët që po ndërtonin internatin, vritet pabesisht. Vrasja e Shaban Blloshmit u njoftua nga shtypi i kohës. Një prej gazetave shkruante: “Më 5 të muajit vazhdues asht vra në Bërzeshtë Shaban Blloshmi… I ndyeri Shaban Bloshmi ka qenë një nga shtëpijat e mëdha e nga dyert e para të Prefekturës tonë, atdhetar i ndëgjuem dhe me ndjenja të lira e mendime përparimtare”.

Shaban Blloshmi i përket atij brezi të atdhetarëve e veprimtarëve, që lanë pas veprën e një jete në shërbim të atdheut e të kombit shqiptar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›