E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Facebook” politika



Të enjten në Kuvend u miratua në parim projekt-buxheti për vitin 2010. Buxheti është rasti më i mirë për çdo deputet për të bërë avokatinë e politikave, tek të cilat beson dhe avokatinë e projekteve që i mendon të rëndësishme. Nuk di të ketë mundësi më të mirë për të përcjellë edhe pritshmëritë e atyre që të kanë votuar. Por, opozita me qetësi e humbi edhe këtë mundësi, madje e pushtuar nga ethet e realizimit të normës, deputetë për pjesëmarrës në miting, opozita thuajse heshti tërësisht. Gjendje krejt pa lidhje.

Personalisht isha shumë i shqetësuar për projektet që lidhen me Qarkun e Korçës, por edhe më shumë për ato projekte që lidhen me rrethin e Pogradecit. Gjatë fushatës shkela çdo fshat e rrugë qyteti, takova qindra njerëz, një pjesë e të cilëve edhe votues të opozitës. Në çdo rast që shprehja një premtim e ngulitja në kujtesë, pasi e dija që të nesërmen do më duhej të matesha me premtimet e mia. Pyesja e ripyesja veten, u konsultova me mjaft kolegë, sidomos nga ata të fushës së financave, për të qenë sa më i sigurt se ato që premtoja do të mbaheshin të gjitha. Premtimi i bërë më mbante të lidhur me çdo projekt.

Mendoj se ka qenë eksperiencë e ngjashme edhe për shumë kandidatë, padyshim edhe për ata që vinin nga opozita. Sot përgjegjësitë janë të ndara, deputetët e mazhorancës ndjekin hartimin dhe diskutimin e buxhetit me avantazhin e mbështetjes dhe aksesit në qeveri. Sot deputetëve të opozitës askush nuk i drejtohet me gisht për premtimet e fushatës dhe ata edhe mund të mos ndjejnë presionin nga votuesit, të cilët kanë mirëkuptim për pamundësinë e deputetëve që votuan. Por, nuk arrij të kuptoj se si deputetët e opozitës nuk angazhohen për të diskutuar buxhetin, madje nuk i ndjej, nuk i shoh kund të shqetësohen as për të folur për politikat që besoj se i besojnë, as për projektet konkrete që besoj se i kanë besuar kur i kanë premtuar. Mirë që janë të shkëputur nga votuesi që ka zemërgjerësinë t’i mirëkuptojë, por nga politikat, projektet dhe besimet e veta pse shkëputen?! Deputetë krejt pa lidhje. Duke i lënë më një anë projektet e zonës, ku si kandidat kemi folur dhe premtuar, debati për buxhetin është edhe sfidë për politikat që beson dhe prioritetet që i gjykon të rëndësishme. Këtu duket sikur dalim nga presioni i fjalës së dhënë personalisht, por buxheti përmban vendime dhe zgjidhje madhore që kanë lidhje me bindjet. Brenda përgjegjësisë së mazhorancës do të arrihet një balancë prioritetesh, por sfida është tek gjerat që ke besuar. Sa dhe si do të jetë buxheti për arsimin, sa dhe si do të ndërtohet buxheti për shëndetësinë, si do shpërndahet barra fiskale, sa do të jetë deficiti, sa do të jetë inflacioni, sa do të jenë rrogat dhe pensionet. Është e kuptueshme që nga një deputet i mazhorancës pritet të votojë buxhetin e propozuar nga qeveria. Por, ka politika që i beson dhe politika që nuk i beson, ka fusha që i mendon prioritare, ka që i sheh më dytësore. Këtu ndahet realisht politika sot, ideologjitë edhe pse janë zbutur, pra për ato nuk vriten më njerëz, nuk ka më dëshmorë, përsëri na ndajnë, të paktën kur flasim për buxhetin. Personalisht u ndjeva mirë me projekt-buxhetin, me rritjen e të ardhurave të planifikuara dhe mënyrën e ndarjes së shpenzimeve. Arsimi, për buxhetin e varfër të të cilit dikur protestoja së bashku me lëvizjen “Mjaft” (mbase ju kujtohet gomari para parlamentit me diçiturën “Injoranca kushton lirë”), do të ketë një rritje 12%. Po kështu shëndetësia edhe infrastruktura kanë rritje. Po kështu kultura dhe bujqësia. Të gjitha këto rritje në buxhet do të jenë pa rritje taksash, çfarë për ne që besojmë tek liria dhe te rregullimi i tregut, si dhe tek taksat e ulëta është mjaft e rëndësishme. Ky buxhet është në pajtim me bindjen dhe frymëzimin tonë. Nga kolegë deputetë të opozitës nuk ka asnjë kritikë. Nuk ka as për politikën fiskale, as për prioritetet dhe shpërndarjen e shpenzimeve. Do të doja të dëgjoja nga ata një opinion. Për kënaqësinë time intelektuale dhe për verifikimin e të vërtetave të mia politika do të doja të dëgjoja nga opozita kritikë, por më mbetet të dëgjoj vetëm zërin e pakët të atyre që quhen “radikalët e majtë” dhe që janë të vetmit në krahun kundërshtar që pohojnë me kurajo të vërtetat e tyre. Për fat të keq atyre u mbetet vetëm interneti si rrugë e shprehjes së kritikës së tyre. Ju mbeten forumet dhe statuset në “Facebook”. Por ata e bëjnë detyrimin para vetes dhe besimeve të veta. Nga strukturat dhe forumet e PS-së nuk del asnjë kritikë e buxhetit nisur nga e majta. Nuk janë as ata që kanë hartuar e miratuar buxhete, as ata që u rëndonin valixhet gjatë kthimit në atdhe me librat dhe titujt Master e PHD. Çfarë po ndodh është e çuditshme, ata që mjet kanë forumet në internet,e kauzat dhe statuset në “Facebook” janë aktivë, janë të angazhuar dhe përpiqen të plotësojnë vakuumin e politikës socialiste, ndërsa socialistët janë të zënë me grumbullimin e njerëzve për miting. Pikërisht të atyre njerëzve që duhet t’iu mbrojnë interesat pikërisht me buxhetin e vitit.

Opozita jo vetëm që ka zgjedhur të bëjë politikë jashtëparlamentare, opozita ka zgjedhur të ndërtojë politikë mbi kauza të sajuara, pasi kauza për votën nuk ekziston, ajo hidhet nga frustrimi i Ramës dhe nga egoizmi i tij i pakufi. Njësoj si ato kauzat që hedhin në egon e vetmisë së personal computer–it, përdoruesit e “Facebook”-ut, me egon e personal politikës Rama hedh një kauzë dhe masturbohet kur numëron sa fansa i janë bërë. Përditë në “Facebook” shfaqen kauza nga më të çuditshmet, si “Gjuha shqipe…” “Çmim Nobel për Kadarenë”, “T’u themi grekëve…”, më i veçanti është një tjetër “të bëhemi kaq e aq shqiptarë në facebook”. Kam frikë se ky i fundit e ka frymëzuar Ramën. Ndryshimi i vetëm është se kauza është “të bëhemi kaq e aq në shesh”. Gjendja është krejt pa lidhje, është krejt përmbys. Kryetari i partisë politike më të madhe të opozitës zbret “Facebook”-un në politikë, ndërsa djemtë e rinj “radikalët e majtë” ngjisin politikën në “Facebook”. Kundërshtari politik i mazhorancës të paktën për buxhetin mbetën këta djem të rinj, që as kanë kërkuar të votohen dhe as kanë drejtuar ndonjë zyrë publike dhe as kanë përdorur ndonjëherë para publike. Në fakt është egoja e zotit Rama që e shkakton këtë përmbysje. Nuk është se në PS nuk ka politikanë që kanë besime të ndryshme nga tonat, nuk është se PS nuk ka financierë, që strukturojnë buxhete me profesionalizëm, nuk është se në PS nuk ka deputetë që kanë bërë premtime për projekte që duan t’i shohin të planifikuara, që nuk kanë besime që duan t’i shohin të konkretizuara në buxhet. Nuk është se nuk ka PS ish-ministra që kanë pasur përgjegjësinë e hartimit të buxhetit. Jo, ka shumë në PS dhe rrotull PS-së që do të dëshironin të debatonin për buxhetin. I vetmi është Rama që nuk e do këtë debat. Jo se kauza e sajuar “Kutia e shenjtë” tërheq vëmendjen e egos së tij të deformuar në vetminë e tij jashtëparlamentare, vërtet e beson si parësore. Jo, ai zgjodhi të mbetet jashtë dhe tashmë e ka të pamundur të flasë në Kuvend për buxhetin nuk dëshiron as të shohë të tjerët të artikulojnë ide dhe politika, qoftë kjo edhe për ligjin më të rëndësishëm të bërjes politikë. Askush nuk duhet të flasë. Por djemtë e rinj, ata që vërtet u dhimbset politika e majtë, ata flasin, por u mbetet ta bëjnë këtë në “Facebook” dhe në forum në internet. Gjithnjë kam besuar se Rama është një fëmijë i përkëdhelur që edhe politikën e sheh si lodrën e tij, të cilën nuk mund ta ndajë dhe nuk mund t’ia prekë askush. Ai është sot një personazh publik përherë i përkëdhelur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›