E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria U19, fitore spektakolare

Shqipëria në volejboll për vajza deri në moshën 19 vjeç ka arritur fitoren e parë në Kampionatin Ballkanik, që është duke u zhvilluar në Beograd të Serbisë. Pas rreth dy orë e gjysëm ndeshje, vajzat e drejtuara nga Ilir Thanasi ia kanë dalë të fitojnë 3-2 ndaj Maqedonisë së Veriut. Një ndeshje rivalësh, e cila duket dhe në pikët e seteve të luajtura. 20-25 seti i parë për Maqedoninë e Veriut.

Kundërpërgjigjet menjëherë kombëtarja jonë, teksa arrin të marrë dy sete radhazi, 25-21 dhe 25-17. I katërti është një luftë nervash, sepse në një anë Shqipëria që kërkon ta mbyllë ndeshjen dhe në anën tjetër maqedonaset që shpresën e fundit për të fituar takimin e kërkonin në setin final. 21-25 seti i katërt dhe tanimë seti i pestë zgjidh të gjithë problemin. Triumfon Shqipëria 15-9 dhe fiton 3-2. Ndërkohë në duelin tjetër, Turqia ka mundur Malin e Zi 3-1 (25-20, 25-21, 20-25, 25-16).

Pas tre ndeshjeve, kryeson Turqia me 9 pikë të plota me setavarazhin 9-2. Në vendin e dytë Serbia me 6 pikë me setavarazhin 6-0. Renditet e treta më pas Shqipëria 2 pikë me setavarazhin 3-5 dhe mbyllin renditjen Maqedonia e Veriut me 1 pikë (2-9) dhe Mali i Zi 0 pikë (1-6).

Në ditën e katërt të ballkaniadës, Shqipëria do të jetë përballë Serbisë për ta mbyllur këtë kampionat me Malin e Zi, ndërsa gjasat janë për të qenë në “mesin e tabelës” me këtë grupmoshë. Që do të thotë se gjërat janë pozitive në rrjetën shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›