Shala: Delli e ka gabim

(E plotësuar) Nëse zgjedhja e presidentit të Kosovës, është kryer me rregull, atëherë ambasadori amerikan Kristofer Dell, nuk duhet të kërkoj përgjegjës, apo fajtor për këtë vendim Kështu tha nënkryetari i parë i AAK-së Blerim Shala për Klan
Kosova. Shala tha se deklarata e ambasadorit Christopher Dell se Ramush Haradinaj mbase është më përgjegjësi pse Pacolli është president sot, është e padrejtë.
Sipas tij, fajin pse Behgjet Pacolli është kryetar i ri i vendit, duhet kërkuar tek PDK-ja dhe AKR-ja meqë ato kanë pasur në dorë këtë përzgjedhje.
Nënkryetari i AAK-së theksoi se partnerët e koalicionit, nuk e kanë marr mundin që të studiojnë jashtë partive të tyre për njerëz që i përshtaten profilit të presidentit të ardhshëm, dhe se apetitet politike bënë që zgjedhja të jetë ajo që është. (indeksonline)
Dell: S’kisha asnjë rol në zgjedhjen e presidentit
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, ka mohuar se ka pasur ndonjë rol në zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Unë kam qenë dëshmitar i këtij procesi, kam ndenjur ulur në galerinë e Kuvendit nga ora 2:30 e pasdites derisa ka përfunduar e gjitha, në orën 8 të mbrëmjes, duke e lëshuar sallën gjatë kësaj kohe vetëm një herë, thënë të vërtetën - për të shfrytëzuar tualetin. Për çështjet tjera, këto janë procese që janë bërë nga politikanët, respektivisht liderët e këtij vendi, në pajtim me rregullat dhe Kushtetutën në Parlament. Jashtë kësaj, unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Dell, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Duke komentuar publikimin nga mediat komunikimet private që janë bërë në Kuvend, përfshirë këtu edhe një thirrje telefonike, e cila e involvon atë, Dell ka thënë se “nuk e di për çfarë mund të ketë qenë thirrja telefonike”.
“Sa për tekstet e sms-ve, ato janë tekste midis dy individëve të tjerë, të cilët natyrisht janë të lirë të shkruajnë, komentojnë dhe të thonë ç’të duan, pavarësisht nëse ato e pasqyrojnë realitetin”, është shprehur ai.
Ambasadori amerikan mendon se personi që mbase është më “përgjegjësi” pse Behgjet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë. “Fakti që AAK-ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president u bë Behgjet Pacolli”.
Ndërkaq, ambasadori amerikan shprehet i kënaqur me formimin e një qeveri me “duar të pastra”, ashtu sikur kishte bërë thirrje vazhdimisht. “Po, shumë (jam i kënaqur). Unë mendoj se mediat këtu, me përqendrimin e tyre në raportimet sensacionale të ditëve të fundit, me të madhe e kanë anashkaluar transformimin e jashtëzakonshëm që ka zënë vend. Mendoj se është shumë e dobishme të kthehemi prapa dhe të shikojmë fotografitë e kabinetit që mori pushtetin me rastin e pavarësisë, në vitin 2008”.
Ai është shprehur se po të bëhet krahasimi me sot, do të jemi dëshmitarë të një lëvizjeje në gjenerata. “Ka ndryshime të shquara në fytyrat e kësaj qeverie, në fakt janë shumë pak që kanë mbetur nga qeveria e kaluar; kryeministri, zëvendëskryeministri Kuçi dhe njëri nga ministrat serb, janë personat e vetëm të cilët mendoj se kanë qenë në kabinetin e kaluar. Siç thashë, një transformim i jashtëzakonshëm ka ndodhur dhe mendoj se kjo jo vetëm që përfaqëson një qeveri me duar të pastra, por gjithashtu një qeveri që pasqyron ndryshim realitetesh në Kosovë; është një lëvizje më tej nga politika e gjeneratës së luftës deri një gjenerate njerëzish të rinj, të cilët janë duke zënë vendin e tyre të duhur në këtë shoqëri”, ka theksuar Dell.