KMSHK: Gazetarët e kanë detyrë raportimin e të vërtetës
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), nëpërmes një komunikate shtypi, e ka bërë të qartë qëndrimin e tij përkitazi me letrën publike të z. Christopher Dell, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, dërguar Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës pas botimit të disa SMS-ve të këmbyer midis, tani Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe një këshilltari të tij, ku në një rast përmendet edhe emri i ambasadorit Dell, gjate seancës zgjedhore në Kuvendin, e që u botuan në dy gazeta: "Express" dhe “Koha Ditore".
“Në mbështetje të Kodit tonë të Mediave të Shkruara, mbi të cilin mbështetet puna jonë në të mirë të lirisë së shtypit dhe përgjegjësisë profesionale, raportimi i të vërtetës (Kreu i dytë i Kodit tonë), kërkon që gjatë punës së gazetarëve, redaktorëve dhe udhëheqësve tjerë të redaksive, të sigurojnë respekt për të vërteten faktike dhe për të drejtën e publikut që të dijë të vërtetën. Në rastin konkret, askush deri me tani, nuk ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e SMS-ve të botuar”, thekson KMSHK.
“Ndërkaq, sa i përket ruajtjes së privatësisë, Kodi ynë është i qartë: Shtypi do t u shmanget ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, pos nëse kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik. Në rastin konkret, interesi publik është më se evident, pasi bëheshin votime për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, Kryeministrit dhe të Qeverisë”, thuhet në komunikatë.