E Diel, 1 Nëntor 2026

Shala: Kosova është një treg mobil

Ministri Shala sot ka qenë panelist në simpoziumin ekonomik me temë: "E ardhmja e Evropës: vizionet dhe realiteti aktual". Ministri Shala në fjalimin e mbajtur është fokusuar në integrimin ekonomik të Kosovës dhe vendeve të Evropës Juglindore, duke theksuar se ky integrim ekonomik ndihmon në kapërcimin e vështirësive politike.

Gjithashtu ai ka vënë në dukje vlerat evropiane dhe vizionit të shtetit të Kosovës rreth proceseve integruese. Pasi theksoi faktin se integrimi evropian është pikë kryesore në axhendën e Qeverisë së Kosovës, Shala tha se edhe përkushtimi i institucioneve kosovare për të arritur këtë objektiv është tejet i madh. Ai tha se Kosova është një treg mobil dhe tejet fleksibil i punës andaj edhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në tregun evropian punës dhe ofrimit të fuqisë punëtore.

Megjithatë, sipas tij, kufizimet në dhënien e vizave si dhe lënia e Kosovës jashtë procesit të liberalizimit të vizave nuk ndihmojnë aspak në arritjen e një objektivi të tillë dhe për më tepër e bën më të vështirë heqjen e paragjykimit dhe përkufizimit të Evropës Juglindore si rajon problematik. Andaj, izolimi i disa vendeve të Ballkanit është tejet i rrezikshëm dhe duhet shmangur në çdo mënyrë, ka potencuar Ministri Shala.

Ai u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të mos e lënë anash çështjen e integrimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Në Forumin Evropian të Alpbach ut, që ka një traditë mëse 50 vjeçare dhe mbledh rreth vetes personalitetet më të shquara të politikës, diplomacisë, shkencës dhe kulturës, këtë vit pjesëmarrës kanë qenë edhe figurat e shquara si laureati i Çmimit Nobel për Paqe dhe figura kryesore në procesin e pavarësimit të Kosovës, presidenti Martii Ahtisari si dhe Ban Ki Mun, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Këtë vit, forumi është fokusuar më shumë në çështjen e forcimit të besimit në mes të popujve dhe shteteve të Evropës. Ministria e Ekonomisë dhe Financave së bashku më Iniciativën Ekonomike të Kosovës me seli në Vjenë do të mbajnë gjatë ditës së Mërkurë (sot) një eveniment promocional me bizneset evropiane mbi mundësitë e investimeve në Kosovë dhe projektet kapitale në të cilat projekte synohet që të rritet pjesëmarrja e sektorit privat dhe kompanive të huaja.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›