E Diel, 1 Nëntor 2026

Shala:Thaçi dhe qeveria e tij kanë defaktorizuar Kosovën

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi e ka defaktorizuar Kosovën duke mos vepruar në momentet e duhura, sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas mesazheve të marra nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Shala ka thënë se arritja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal e ka futur Kosovën në një gjendje të ngrirë, nuk dihen përfitimet konkrete të qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që mund të vonohen edhe njohjet e reja nga shtetet që kanë qenë afër marrjes së këtij vendimi. Ai ka thënë se marrëveshja e arritur për interesa afatshkurtra, nëse nuk merren veprime të duhura nga ana e qeverisë, mund të shëndërrohet në zgjidhje afatgjate.Nënkryetari i AAK-së ka thënë se diplomacia e Kosovës ka qenë pasive, nuk e ka shfrytëzuar vendimin e GJND-së, ka lejuar ofensivën e Serbisë në OKB dhe nuk i ka përfillë mesazhet e kancelares gjermane, Angela Merkel, për shuarjen e strukturave paralele serbe, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për pasojë, sipas tij, qeveria duke mos kryer detyrat e shtëpisë, ka ardhur në një situatë kur nuk e di çfarë kërkon. Ndaj, sipas Shalës, fusnota ka mundur të ejtë edhe më e disfavorshme po mos të ishte mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Shala ka thënë se nëse është pranuar që në fusnotë të futet Rezoluta 1244, atëherë ajo duhet të shfrytëzohet nga qeveria. Sipas tij, Rezoluta 1244 nuk e ka ndaluar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndryshe nuk do të ishte rezultati ç`fare ishte në opinionin e GJND-së. Ai ka thënë se sipas Rezolutës 1244 Serbia nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhje në Kosovë dhe as të ketë kurrfarë strukturash të saj brenda territorit të Kosovës.Ish-koordinatori i Ekipit të Unitetit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Shala, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të merr masa për të integruar veriun, dhe jo të qëndrojë pasive ndaj kësaj gjendje. Ai ka thënë se Kosova duhet t`ia imponojë Bashkimit Evropian që nisja e dialogut me Serbinë për anëtarësim, të varet nga tërheqja e Serbisë nga veriu i Kosovës.“Nëse Beogradi organizon zgjedhje në Kosovës, apo përdor qasjen si ndaj referendumit, të cilin nuk e shpalli të pavlefshëm, atëherë Kosova duhet të ndërpres dialogun me Serbinë”, ka thënë ndër të tjera Shala, duke kritikuar vazhdimisht qeverinë e drejtuar nga kryeministri Thaçi për mungesë strategjie ndaj zhvillimeve në dhe rreth Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›